Duhet edhe një 22 Mars tjetër

Arben GABRAJ

Doli shkurti hyri marsi, kaloi edhe Dita e Verës dhe opozita prap në protestë. Protestë për votën e lirë. Për zgjedhje të lira. Kundër blerjes së votës. Duket si një paradoks, por është e vërtetë. Edhe pas një çerek shekulli…Thuhet se tashmë teoria e Evolucionit e Darvinit ka rënë. Por unë nuk e besoj plotësisht. Dikur na mësonte se evolucioni zhvillohet në formë spiraleje. Gjithçka përsëritet, por në një shkallë më të lartë. Kujtuam se më 22 Mars 1992 gjithçka mori fund. Njëherë e përgjithmonë. S’do kishte më komunizëm, s’do kishte më diktaturë dhe diktator, s’do kishte shtatore, s’do kishte më byroista, enverista, vullnetarista, por demokraci.
Atëherë më 22 të Marsit të motmotit 1992 besuam se gjithçka kishte marrë fund dhe ëndrra e shqiptarëve për një “Shqipëri si gjithë Europa” u realizua. Liria e Demokracia kishte triumfuar. Sot 22 Mars i motmotit 2017 ato forca që sollën pluralizmin dhe demokracinë janë në protestë. Përballë Partia e Punës, sot i thonë “Rilindje” jo Parti Socialiste, përballë nuk është Ramizi, Nexhmija, Adili, Spiro Koleka, Pali Miska, Hekuran Isai, Lambi Gegprifti, Haxhi Lleshi, Kristaq Rama, Myslim Peza, Gogo Nushi, i td (në gjuhën e Kominternit etj), por janë bijtë, nipat dhe mbesat. Siç thotë Lideri historik i të djathtës Sali Berisha “bijtë e etërve”.
Nuk është më politbyroja e vjetër, por nipat dhe mbesat, diku me të njëjtin mbiemër, diku jo. Kryesojnë qeverinë, ministrojnë e diku tjetër koncesionojnë. Atëherë vullnetar-istët enveristë antimitingoninin dhe vringëllinin kallashët, rivinin bustet e shtatoret. Sot vullnetaristët janë civilisto-sorosistë, ngrenë antiçadra. Vullnetaristët atëherë këndonin “Enver Hoxha tungjatjeta sa kto male sa kto shkrepa”. Sot civilisto-sorosistët hartojnë peticione e mbledhin firma pro veting-iste. Atëherë Partia e Punës ra në gjumë Bolshevike dhe u gdhi Socialiste Europianiste. Byroistat, Komitetqendroristat u strukën. Dolën reformistat, liberalistët, Nano-istë, Majko-istët, Meidan-istët, Blushi-stët i td. Dolën edhe Freshistat. Sot Nano-istët janë dorëhequr, Majko-isto dhjetoristët nuk bzajnë, Meta-istët janë bërë Integristë, Meidan-istët janë përjashtuar, Blushi-stët  janë tani Libra-ist. Bijtë e etërve, politbyroistët e rinj udhëheqin, bëjnë shtet, bëjnë veting, koncesionojnë Shqipërinë.
Asnjë socialist i thjeshtë apo intelelektual nuk mund të ngjitet në majë, të udhëheqë, veç politbyroistët e rinj. Paradoks, rastësi, apo e paracaktuar. Darvini paska të drejtë. Gabojnë ata që ja hodhën poshtë Evolucionin. Ai është gjithmonë në formë spiralje dhe riciklohet në një shkallë më të lartë. Por çdo gjë e ka një të kundërt, ka një zgjidhje, një farë Big Bang sado i vogël ose fryma e Zotit apo grimca. Që demokracia të mos blihet nga grimca e tymit të barit (kanabis) të çlirohet grimca e Big Bangut (revolucionit demokratik) si më 22 Mars të motmotit 1992 që të sjellë një Republikë të Re. Të bëjë Shqipërinë “Great Egan” sllogan i Presidentit Donald Trump që na përshtatet ne më shumë se kujtdo.
E çuditërisht nuk mund të rri pa u kthyer pak pas në kohë. Sikur të kisha një makinë kohe si ato në filmat hollivudian të Stiven Spilberg ku heroi duke e ndërtuar vetë makinën e kohës kthehet mbrapa dhe ndryshon rrjedhën e saj, duke ndryshuar historinë.
Megjithatë po kthehem vetëm me penë nëpërmjet rreshtave si pjesëmarrës, parë vetëm nga këndvështrimi im aty ku ne ishim protagonistë siç e menduam dhe e bëmë atëherë.
Shkurt i motmotit 1992, një vit e pak nga Lëvizja e Dhjetorit ‘90, krijimi i pluralizmit, themelimi i Partisë Demokratike e të tjerave, krijimi i shtypit të lirë, hapja e kufijve. Një vit nga greva e 20 shkurtit dhe rrëzimi i diktatorit. Gati një vit nga zgjedhjet e manipuluara të 31 Marsit ku fitoi Partia e Punës dhe humbi Ramizi, Greva e Minatorëve, rënia e parë e Nanos. Shumë pak muaj nga rënia e Qeverisë së Stabilitetit të mundur nga Berisha i vetëm.
Jemi në fushatë, na ndajnë pak më shumë se një muaj. Partia Demokratike na thërret ta mbështesim. Ne studentët ishim zanafilla, ishim zemra, ishim shtylla vertebrore e PD. U mblodhëm në oborr. At motmot te Rruga e “Kavajës”, do të ktheheshim në qytetet dhe rrethet tona të ndihmonim PD në zgjedhje. Ishim shumë në lista nga 30, 50, 60 e me shumë për çdo rreth. Në total ndoshta nja pesë mijë a më shumë, ndoshta më pak, numri pak rëndësi ka, gjesti dhe vepra ka rëndësi. Ato mbesin në histori dhe jo numrat.
Ne ishim ushtarët e Demokracisë, pedagogët tanë ishin gjeneralët.
U nisëm. Disa bënë përjashtime, unë, Pjerini nga Shkodra, Albana nga Tepelena vendosëm të bëjmë fushatën në Vlorë në qytetin e Theodhorit (Dhimitrit). Mbërritem në Vlorë pas një rruge monotone. Nuk po ndalem shumë në detaje se nuk dua të bëj histori, thjeshtë sa për kujtesë. Direkt tek selia e PD asokohe një shtëpi dykatëshe afër sheshit “Pavarësia”. Na priti një nga drejtuesit, një inxhinier me origjinë nga Çamëria e martirizuar.
Na shpjegoi se çfarë do bënim me pak fjalë megjithëse e dinin, t’u shpjegonim njerëzve programin e PD. Kudo në rrugë, kafene, autobuz dhe shtëpi për shtëpi e derë më derë. T’u shpjegonim njerëzve ta “bënim Shqipërinë si gjithë Europa”. Ngjisnim afishe dhe shpallje, lajmërime e ftesa për takime e mitingje. Era e ndryshimit të madh duket se po frynte. Dy javë në Vlore pastaj në Dhërmi. Theodhoriu ishte nga Dhërmiu. Nëna e tij jetonte atje. Megjithëse Ai thoshte me origjinë nga Kruja. Të parët e tij ishin shpërngulur aty pas rënies së Krujës para pesëqind vjetësh për t’i shpëtuar përndjekjes së pushtuesit Osman. E thoshte shpesh biles me krenari. Dinte origjinën e të gjithë fiseve të Dhërmiut. Strati dhe Kosha ishin bashkuar dhe sot janë Strakosha. Kjo sa për linguistikë dhe mos të jem monoton. Se do thonë pastaj gjuhëtarët apo akademikët se flet kot.
Fushata aty ishte më e ashpër në kontrast me bukurinë e natyrës, kaltërsinë e Detit Jon dhe rrezatimin e diellit të atij mes Marsi. Siç dukej Demokracia do vinte këtu pak më me zor. E megjithatë do të vinte. Megjithëse edhe valët e TV shqiptar mezi arrinin, diku-diku nuk arrinin fare.
Erdhi dita e votimit 22 Mars. Më caktuan në qendrën e votimit në fshatin Vuno, komisioner. Mos u gabofsha fshati i Spiro Kolekës dajës dhe i nënës së Edi Ramës. Numëruam votat pas një dite të lodhshme. Rezultatet nuk kanë rëndësi dhe sinqerisht nuk i mbaj mend shifrat se edhe koha nga një herë bën të vetën. Fitoi në atë qendër PPSH (PS) mori vota PD dhe Omonia. Jo çuditërisht mori vota edhe PKSH.
Nisëm materialet në Vlorë. Lajmet na vinin se në qytetin e Vlorës PD kishte marrë gjashtë deputetë. PS asnjë. Koalicioni i djathtë kishte arritur një fitore plebishitare me mbi një milion e dyqindmijë vota. E majta ish-komuniste kishte marre nja 20% ose 22 deputetë. Të nesërmen miting festiv në sheshin “Skënderbej”, qindra mijëra pjesëmarrës. Kishte fituar Demokracia.
Morëm rrugën e kthimit. U kthyem në auditore.

Student i Dhjetorit

Exit mobile version