Duhet ndalur ky delirant

Monika KRYEMADHI

Nuk ka më qesharake se të lexosh çfarë kryeministri shkruan pas mesnate, duke u munduar të justifikojë publikimin e një “liste të zezë”, të ngjashme me fletërrufetë e komunizmit. Sado të përpiqet me arrogancë dhe paralajmërime, Edi Rama nuk e shmang dot paturpësinë e tij dhe të oborrtarëve të tij që shkelën çdo të drejtë njerëzore dhe publike duke linçuar, jo vetëm punonjës të administratës, por edhe prokurorë e gjykatës, që nuk janë aspak kompetencë e kreut të qeverisë.
Por dëliri i pushtetit nuk njeh më kufij dhe shenjat e para të sundimit të pakicës, që vodhi zgjedhjet e qershorit, po jep shenjat e para. Karafili i qeverisë nuk sheh më përtej oborrit të tij, krimit dhe drogës, bashkëpunëtorëve të vjedhjes së votës dhe oligarkëve.
Pushteti pa kufij që ata i dhanë me tjetërsimin e votës e bën atë të mendojë dhe veprojë si një diktator, duke harruar që ky popull ka memorie dhe nuk i toleron akte të tilla paturpësie.
Ndaj të gjithë së bashku duhet ta ndalojmë këtë delirant që nuk njeh më kufizime.
Sot më shumë se kurrë opozita duhet të jetë e fortë dhe e bashkuar për t’i treguar këtij kryeministri në dëlir se pushteti i pakufizuar dhe arroganca janë të papranueshme në demokraci, qoftë edhe në një demokraci të brishtë si e jona. Të gjithë së bashku duhet ta ndalojmë këtë revansh që u ble më 25 qershor me lekët e krimit dhe drogës. LSI do të vijojë çdo ditë dhe pa kompromis betejën e saj kundër instalimit të pushtetit mafioz.
Të gjithë së bashku do t’i japim përgjigjen që meriton arrogancës së pushtetit të blerë me paratë e krimit dhe drogës. E drejta e votës do të jetë synimi ynë. Askush nuk na ndal në këtë rrugë drejt lirisë që çdo shqiptar ka për të vendosur të ardhmen e tij dhe të fëmijëve të tij.

Artikulli paraprakLista e zezë e Kryeministrit kërkon një përgjigje të fortë ligjore
Artikulli tjetërSkandali, në listën e Ramës edhe emri i një personi të vdekur