“Duhet një strategji 30-vjeçare për sjelljen në binar të arsimit”

Flet Ndriçim Mehmeti ekspert për politikat arsimore

Rezultatet e dobëta në testin PISA janë pasqyra e dështimit të politikave arsimore, kurrikulës së re dhe teksteve të dobëta.

Duhet një strategji 30-vjeçare për sjelljen në binar të arsimit thotë Ndriçim Mehmeti ekspert për politikat arsimore.

A mund të rendisni disa nga arsyet pse ka rënie të aftësive të 15-vjeçarëve shqiptarë në raport me vlerësimet e mëparshme të testimit PISA?

Rezultate e dobëta në PISA 2022, vijnë për pasojë:

-Të politikave të gabuara të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (MAS).

-Të kurrikulës dhe teksteve të dobëta të zgjedhura enkas nga MAS dhe që përgjegjësia më e madhe i bie jo vetëm Ministrisë së Arsimit por edhe ASCAP, e cila dështoi në zotimin e saj për të zbatuar kurrikulën e cila, do t’i bënte fëmijët shqiptarë njësoj si bashkëmoshatarët e tyre në vendet e BE-së.

Kurrikulla dështoi, mjete didaktike dhe infrastruktura për zbatimin e saj munguan, trajnimi i mësuesve po ashtu dhe së fundi erdhi rezultati që pritej.

Nxënësit që u testuan në PISA 2022 janë nxënësit që filluan vitin shkollor në vitin 2013-2014, kur u hoq kurrikula e mëparshme dhe u vendos kurrikula dhe tekstet anglosaksone.

Rezultatin më të mirë, Shqipëria e pati në PISA 2015, me nxënësit që filluan shkollën në vitin 2006, ke atë kurrikulë që u anatemua kaq shumë.

Çfarë duhet të përmirësohet në kurrikula dhe në cilësinë e mësimdhënies në mënyrë që Shqipëria të mbyllë hendekun e njohurive në matematikë ose së paku të mos e thellojë më tej?

Tanimë është vonë. Për më tepër, MAS në vend që të bëjë analizë të thellë dhe të ngrejë alarmin për rezultatet e PISA 2022, nëpër studio përfaqësues të lartë të MAS, ua hedhin fajin mësuesve, nxënësve dhe prindërve “që nuk paskan kuptuar filozofinë e re të kurrikulës e për pasojë kanë dështuar”.

Duhen marrë urgjentisht këto masa:

1.Të gjenden përgjegjësit për këtë situatë dhe të marrin përgjegjësitë që u takon nga i pari deri tek i fundit;

2.Të rishikohet buxheti i arsimit për vitin 2024, duke e çuar së paku 5%;

3.Të investohet fuqishëm në: infrastrukturën shkollore (laboratorë, kabinete, mjete didaktike, pajisjen e mësuesve me mjete digjitale dhje elektronike, pajisjen e nxënësve me tableta dhe jo në tulla e llaç për ndërtim e rikonstruksion shkollash);

4.Të nisë një program kombëtar për trajnimin e mësuesve;

5.Të depolitizohet shkolla;

6.Të rriten pagat e mësuesve në të gjitha nivelet së paku nga 30-50% të pagës bruto;

7.Të mblidhet një forum kombëtar këshillimi për politikat arsimore, i cili të referojë në Parlament dhe të merren masa në kuadër të një plani kombëtar që do të synojë vizionin që kemi për arsimin sot e 30 vitet e ardhshme./ Monitor
Ndricim Mehmeti

Artikulli paraprakKurti në garë për pushtet edhe në Maqedoninë e Veriut/ Analisti: E papranueshme, po përçan shqiptarët
Artikulli tjetërZjarri në Lushnje, reagon deputetja e PD, Eralda Bano: Solidarizim me qytetarët e rrezikuar dhe të lënduar