A duhet ta anullojë Trump samitin me Kim Jong Un?

Harry J. Kaziani
Presidenti Trump duhet të tregohet i palëkundur dhe të refuzojë tërheqjen nga pretendimi për çarmatimin e plotë dhe të verifikueshëm të Koresë së Veriut, veçanërisht pas kërcënimit të shtetit komunist për të anulluar samitin e 12 qershorit. Çdo shenjë dobësie nga Presidenti Trump, siç kanë bërë të gjithë presidentët e mëparshëm, do ta inkurajojë Kimin që tund këmbët dhe të pretendojë më shumë lëshime.
Në kundërpërgjigje të lojërave të Koresë së Veriut – që një ditë mirëpret idenë e samitit, të nesërmen ngre dyshime dhe një ditë tjetër lëshon deklarata armiqësore – Presidenti Trump duhet të mbajë të njëjtin qëndrim të palëkundur që ka pasur deri tani dhe t’i çojë regjimit të Kimit mesazhin e qartë: Nuk do të ketë asnjë samit në rast se Korea e Veriut nuk është e gatshme të bjerë dakord për një afat të përcaktuar për dorëzimin e arsenalit atomik, gjë që do të garantohet përmes inspektimeve të vazhdueshme të paparalajmëruara.
Nëse Kimi refuzon të bjerë dakord me çarmatimin e plotë, Presidenti Trump duhet të ketë kurajën të tërhiqet nga samiti, duke mos i dhënë Kimit shansin unik për të bërë një foto me Presidentin amerikan, gjë që me siguri po e pret me emocion të madh. Tërheqja nga ky samit me siguri do t’i kushtonte Presidentit Trump Çmimin Nobel të Paqes, por çmimi do të ishte i pakuptimtë nëse jepet për një marrëveshje me Kimin që nuk vlen as sa letra mbi të cilën është shkruar.
Presidenti Trump mund të mos kërkojë çarmatmin e plotë të Koresë së Veriut menjëherë. Ai mund të ofrojë një qasje më të lehtë hap pas hapi. Për shembull, nëse Korea e Veriut dorëzon një numër të caktuar armësh bërthamore sipas marrëveshjes, Amerika mund të bjerë dakord të heqë disa prej sanksioneve – duke treguar se besimi mund të rindërtohet dhe se të dy palët mund të përfitojnë nga bashkëpunimi.

Nëse as kjo nuk mund të arrihet dhe Korea e Veriut do ta shtojë pambarimisht dorëzimin e arsenait bërthamor për një periudhë të papërcakuar, duke futur në xhep lehtësimin e sanksioneve – Presidenti Trump amerikan duhet të përgjigjet vetëm një fjalë: Jo. Kur bëhet fjalë për historinë e gjatë të përpjekjeve të dështuara të negociatave ndërmjet Koresë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara, një gjë është e qartë: Kur gjërat vështirësohen, Korea e Veriut tërhiqet gjithmonë. Historia po përsërit veten. Vetëm një dekadë më parë, Penjani shkatërroi një kullë ftohjeje që lidhej me progamin bërthamor, një veprim që ishte më tepër për shfaqje, jo për marrëveshje.
Dyshimi është që Korea e Veriut, duke nuhatur se administrata Trump nuk do t’i japë asnjë lëshim përpara çarmatimit, kërkon të bëjë presion me samitin. Është e kuptueshme se Korea e Veriut po përpiqet të arrijë marrëveshjen më të mirë që mund dhe mendon se dorëzimi i armëve bërthamore është maksimumi i lëshimit nga ana e saj, veçanërisht pas një periudhe të gjatë negociatash me Shtetet e Bashkuara.
Presidenti Trump do të tregohej naiv nëse do të hynte si paraardhësit e tij në vorbullën e negociatave të stërzgjatura, por fatmirësisht Trump nuk njihet si lider naiv. Kushdo do të tundohej të bënte disa lëshime të vogla, për shembull anullimi i stërvitjeve ushtarake me Korenë e Jugut që Veriu i përdor si justifikim për të anulluar bisedimet, por dorëzimi përballë tundimeve do të ishte gabim.

Historia na mëson se Koresë së Veriut i pëlqen shumë të fusë në xhep çdo lëshim të vogël që mund të marrë, të tërheqë zvarrë negociatat për vite me radhë dhe të ndërtojë armë bërthamore akoma më të avancuara ndërkohë. Ata është koha për të treguar se çfarë është Doktrina Trump – paqe përmes forcës – kur vihet në provë nga diktatorët. Kjo do të thotë se, nëse Korea e Veriut nuk do të zotohet përpara një plani çarmatimi konkret dhe me inspektime ndërkombëtare, atëherë Shtetet e Bashkuara do të largohen nga tavolina e bisedimeve.
Duhet të mbajmë parasysh se anullimi i bisedimeve nuk është rrugë që të çon drejt luftës. Kur zgjodhën Presidentin Trump, amerikanët folën qartë dhe me zë të lartë: Nuk duam më luftë për ndryshim regjimi, që na kushton triliarda dollarë nga paratë e taksave tona! Prishja e bisedimeve do të thotë se, Shtetet e Bashkuara kanë kapacitetin e nevojshëm dhe pushtetin kombëtar për ta mbajtur Korenë e Veriut nën kontroll për vite me radhë, edhe për dekada nëse do të jetë e nevojshme.
Kimi do të marrë përsipër një rrezik të madh nëse e detyron presidentin të anullojë samitin. Vendi i tij është i varfër, njerëzit janë të uritur dhe së shpejti mund të mbetet nga shërbime këmbimi me vendet fqinje. Kjo do të thotë se do të falimentojë. Korea e Veriut ka gjithçka për të humbur. Presidenti Trumop nuk duhet t’i bëjë asnjë lëshim dhe nuk do t’i lutet kurrë diktatorit vrasës që të marrë pjesë në samit. Kimi është në pozicion dobësie. Ai duhet të zgjohet nga gjumi, të pranojë faktet siç janë dhe të ulet për t’u takuar me Presidentin e vendit më të fuqishëm të botës. Ndoshta do të marrë edhe fotografinë e tij.

Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Exit mobile version