Duhet të flasim për Alekun

Dejan ANASTASIJEVIÇ

Ka diçka shumë shqetësuese në mënyrën se si Aleku ynë gënjen: ai nuk i zbukuron gjysmë të vërtetat për të fshehur gabimet e tij apo të shmangë çështjen. Në vend të kësaj, ai shpall haptazi gjëra që janë aq dukshëm gabim saqë edhe një 5-vjeçar do t’i dallonte. Kryeministri i palodhur i Serbisë po krijon një botë oruelliane në të cilën dy plus dy bëjnë pesë – dhe askush nuk e kundërshton – apo e vëren.
Ai e bëri sërish të dielën mbrëma. Aleksandër Vuçiç, kryeministri ynë, i njohur gjithashtu si Aleku për disa nga miqtë. Ai doli live në një prej studiove të tij të preferuara televizive dhe foli përçart për plot dy orë duke përdorur fjalë si “budallenj”, “idiotë” dhe “përbindësha” për të përshkruar kundërshtarët e tij, duke bërë premtime të pamundura dhe duke nxjerrë një gënjeshtër pas tjetrës.
Ai tha, për shembull se kurrë nuk e kishte mbështetur Hillary Clinton për presidente të SHBA, megjithëse e bëri publikisht dhe i regjistruar më pak se një muaj më parë dhe madje shkoi në një event financimi të Clinton në Nju Jork ku u filmua duke u përqafuar me bashkëshortin e kandidates, Billin. Moderatori servil i programit, i cili gjithashtu është pronar i stacionit, jo vetëm dështoi të bënte një pyetje të vetme konfrontuese, por në fakt ia bëri qejfin.
Dhe Alek vazhdon ta bëjë këtë vazhdimisht. Kur nuk është në studio, ai i drejtohet serbëve në Parlament ose mban një konferencë për shtyp ose në inaugurimin e një rruge, tuneli apo diçkaje tjetër. Shumica e kryeministrave e bëjnë këtë me raste, por ai e bën shtatë ditë në javë, ndonjëherë disa herë në ditë dhe ne jemi aq të shastisur nga prania e tij e vazhdueshme saqë thuajse nuk ekziston gjë tjetër në hapësirën publike serbe. Gjithçka rrotullohet rreth tij, tij, tij.
Vetëm disa javë më parë, ai theksoi se asnjë sipërmarrje biznesi në Serbi nuk do të punonte nëse nuk do të ishte për përfshirjen e tij. Në çdo vend tjetër përveç Koresë së Veriut, kjo do të shkaktonte një zemëratë; këtu pak vetë e vunë re.
Nëse narcizmi i tepruar do të ishte i vetmi problem, do ta pranoja. Çfarë më shqetëson mua është dëshira e tij e vazhdueshme për të shtrembëruar realitetin dhe për të krijuar një realitet paralel, diçka që ai e ka perfeksionuar në formë arti. Le të marrim si shembull fjalën e tij në Parlament javën e shkuar, dedikuar 100 ditëve të para të kabinetit të tij në të cilën tha: “Serbia sot është e qëndrueshme, e fortë ekonomikisht, e sigurt dhe e mbrojtur”.
S’ka asnjë gabim këtu, apo jo? Epo, thuajse gjithçka është e gabuar: së pari, kabineti i tij është më shumë se sa 100 ditësh, sepse qeveria “e re”, e krijuar në fund të gushtit përpara zgjedhjeve të parakohshme, është pothuajse qeveria e vjetër e zgjedhur më 2014; vetëm disa ministra (nga 19) janë zëvendësuar.
Ekonomikisht e qëndrueshme? Treguesit thonë se Serbia ka zhvillim të ulët, papunësi të lartë dhe më pak të ardhura për frymë sesa shumica e fqinjëve. E sigurt dhe e mbrojtur? Po ato dy arkat me armë të zbuluara pranë shtëpisë së kryeministrit apo një tjetër e zbuluar pranë apartamentit të vëllait të tij më herë këtë muaj, që u dyshua se do të shpërbenin për të vrarë Vuçiçin apo vëllain e tij apo të dy?
Pas dy jave që foli rreth një “komploti monstruoz” të organizuar nga fuqi të huaja misterioze, historia papritur u zhduk nga lajmet. Edhe sot, asnjë i dyshuar nuk është arrestuar apo identifikuar. Nga ta dimë se jemi të sigurt dhe si mund të jetë vendi i qëndrueshëm nëse një konspiracion i ri kund kryeministrit apo një grup armiqsh të rinj zbulohet çdo javë dhe pastaj harrohet papritur dhe zëvendësohet nga një tjetër? Sërish, këtë mezi e vuri re ndokush.
Më lejoni të jem i qartë: pas më shumë se 25 vitesh si gazetar profesionist, nuk pres që politikanët të thonë gjithnjë të vërtetën apo shumicën e kohës.
Megjithatë, ka diçka shumë shqetësuese në mënyrën se si Aleku ynë gënjen: ai nuk e zbukuron gjysmë të vërtetat për të fshehur gabimet e tij apo të shmangë çështjen. Në vend të kësaj, ai shpall haptazi gjëra që janë aq dukshëm gabim saqë edhe një 5-vjeçar do t’i dallonte.
Kur Aleku gënjen, ai e di që ne e dimë se ai po gënjen dhe i shijon kjo, sepse media jonë e bindur dhe politikanët pa shtyllë kurrizore nuk guxojnë ta sfidojnë atë. Kur ai flet, është gjithnjë një lojë pushteti, kurrë një debat apo bisedë. Është turpëruese sepse ai jo vetëm që i del kundër të vërtetës, por edhe logjikës.
Disa mund ta quanin këtë një mënyrë oruelliane të drejtimit të vendit (kujtoni “1984”: Lufta është paqe, injoranca është pushtet dhe liria është skllavëri). Unë vërej një tipar shekspirian dhe nuk mund të rresht së menduari për dramën e tij më të hershme “Zbutja e Kryeneçes”.
Në skenën e fundit, Petruçio sjell Katerinën, dikur kryeneçe dhe tashmë krejtësisht e thyer, te miqtë e tij dhe provon nënshtrimin e saj. Ai i thotë në fillim asaj se hëna po shndrit; ajo bie dakord: pastaj ai i thotë asaj se është dielli: ajo bie sërish dakord. Në fund ajo thotë:
“Por diell nuk është, kur ti thua që nuk është,
Dhe hëna ndryshon ashtu si mendja jote:
Ashtu si ta quash ti, ashtu është,
Dhe po kështu do të jetë për Katerinën”.
Dhe kështu është për Serbinë, me Alekun në krye. Në dramë, miqtë e Petruçios impresionohen me punën që ai ka bërë te Katerina dhe po kështu miqtë e Alekut kur vijnë për vizitë (kryeministrit hungarez Viktor Orban, kampion i joliberalizmit, erdhi këtë fundjavë dhe përgëzoi përpjekjet e Vuçiç). Por unë shoh gjithnjë e më shumë njerëz rreth meje që po heqin dorë dhe po pranojnë vendin e tyre në universin paralel dhe pyes veten se sa kohë mund të rezistoj.
Duhet t’i kthehemi realitetit përpara se punët të marrin një kthesë për keq. Kini parasysh se, ndryshe nga Kryeneçja, shumica e veprave të Shekspirit nuk mbarojnë me fund të lumtur.

Exit mobile version