Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, nuk ka mundur të zgjidhet në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s, ku Shqipëria përfshihej për herë të parë në histori me një kandidaturë të sajën. Gjatë kongresit të 41 të organizmit europian, që po mbahet në Helsinki, ku pas tërheqjes së kazakut Boranbayev dhe qipriotit Lefkaritis, 11 pjesëmarrës ishin në garë për 8 vendet e Komitetit Ekzekutiv. Duka u rendit i 9-ti, duke mos kaluar dot pragun e nevojshëm për t’u bërë pjesë e organit të rëndësishëm vendimmarrës të UEFA-s. Pas votimit të 55 vendeve anëtare të UEFA-s, ku për herë të parë mori pjesë edhe Kosova, ishte vetë presidenti Ceferin, ai që shpalli rezultatet e votimit.
Edhe pse mori preferencën e pothuajse gjysmës së vendeve anëtare të UEFA-s, Duka në kuotën e 25 votave të fituara, nuk mundi të bëhej pjesë e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Megjithatë në vetvete kandidatura e tij mund të konsiderohet një hap i rëndësishëm për futbollin shqiptar, një moment historik pas kualifikimit të Kombëtares në Europianin francez, pasi për herë të parë Shqipëria arriti të kandidohej me një emër të sajin në një organizëm të nivelit më të lartë vendimmarrës europian, diçka e paimagjinueshme për fusha të tjera qeverisëse përveç asaj të futbollit.