Dule-Ramës: Në krye të qeverisë një aventurier droge

Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule ashpërsoi gjuhën në foltoren e Kuvendit dhe akuzoi Kryeministrin Rama se ishte aventurier dhe po grabiste Himarën me qëllim për të mposhtur sipas tij, komunitetin grek atje. Ai shkoi më tej, kur tha se Gama po e shpallte Greqinë, armik dhe se porosinë e kishte nga Presidenti turk Erdogan. Prishja e pronave dhe bizneseve, siç theksoi Dule, është selektive dhe prek vetëm minoritarët grekë.
“Kjo është një çështje e madhe për mua, një krahinë e vendit tonë me tradita, histori, identitet, vlera që nga ardhja në pushtet e qeverisë Rama gjendet nën kërcënimin e përditshëm të fadromave dhe buldozerëve, e kam fjalën për Hiamarën. Nisi kjo histori me ndarjen territoriale, që u faktua se ishte në shërbim të interesave të mbrapshta, u provua që ishte tendencioze. Vazhdoi në Dhërmi ku u prish një objekt kulti, edhe kjo prishje klienteliste. Pati prishje selektive biznesesh me sens të theksuar hakmarrjeje, ndërkohë që vazhdojnë në shkelje të ligjeve ndërtimet e sarajeve në Qeparo në emrin e rilindjes urbane. Nuk ka rilindje që fsheh qëllimin e vërtetë, që është mposhtja e atij komuniteti”.
“Nuk ka asnjë patriotizëm fals që të marrë përsipër llogaritë e mbrapshta, grabitëse të Ramës dhe klikës së tij në Himarë. Pse po paguan kaq shtrenjtë Himara, po flasin për rehabilitim të atyre që vuajtën në të kaluarën. Në Kushtetutë e themi qartë dhe me gojën plot që të mbrojmë të drejtat e bashkatdhetarëve tanë kudo në botë, po shtetet e tjera nuk e kanë këtë të drejtë? Nuk e kanë këtë të drejtë eurodeputetët grekë të flasin për shkeljen e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri?”, vijoi Dule.
Dule tha më tej se, Rama po përdor një retorikë nacionaliste për të fshehur grabitjen e pronave në Himarë. Ai shtoi se Kryeministri ka zbuluar armikun e radhës, ndërsa e akuzoi që këtë porosi e ka nga “baba” (Erdogani).
“Ne kemi një aventurier në krye të qeverisë, ky Kryeministër po ndryshon vlerat është gati, po presim të na zbulojë armikun e ri, pas kthimit të ligjit të mjeteve, pas kanabizimit masiv, vetëm tek lulishtja e Kryeministrisë nuk ka kanabis, se brenda nuk jemi të sigurt se nuk ka. Po zbaton kërkesat e babës në institucione arsimore, po zbulon armikun e ri, është Greqia që pret 1 milion bashkatdhetarët tanë që punojnë e jetojnë atje”.
Duke iu drejtuar njëherësh si kryetar i PBDNJ-së, si minoritar apo si gjirokastrit, Dule i kujtoi kreut të qeverisë se nuk janë këto marrëdhëniet që pret populli shqiptar. “Nuk janë këto marrëdhëniet që kërkon ky popull me Republikën e Greqisë. I keni hyrë një aventure që ka një kosto. Nuk mund të mbuloni me retorika nacionaliste aktin prej grabitqari që ke ndërmarrë me Himarën”, tha ai.
Me anë të një historie nga Gjirokastra, të një komandanti divizioni që kur pinte një gotë deklaronte se do merrte Janinën e që e këshilluan të pinte të dytën se ndoshta merrte edhe Athinën, Dule i dha një mesazh Ramës, e ftoi të zhdehej.

Replikat

Në replikë me të Kryeministri Rama u shpreh se mes Kurveleshit dhe Himarës nuk ka minoritet grek, ndërsa e akuzoi atë personalisht si nxitësin e konflikteve me shtetin fqinjë. Nga ana e tij, Dule i kujtoi që është një qytetar i BE-së.
Rama: As prej 30 vitesh, as prej 10 vitesh nuk ka komision, asamble, trojkë, konventë, gjykatë ndërkombëtare që të ketë njohur shprehimisht ekzistencën e ndonjë territori grek mes Kurveleshit dhe Himarës.
Dule: Në këtë pozicionim kaotik u përpoqa t’i përmbahem çështjes. Rama po shkon nga dështimi në dështim. Zoti Kryeministër rastis të jem edhe qytetar i BE, aty kushdo që ndjehet si individ i cenuar i ka dyert ligjore të hapura për të gjetur të drejtën e vet, iu shmangët thelbit. Unë përpiqem t’i bëj miq këtij vendi aq sa mundem, por është e vështirë me një Kryeministër si ty. Më thua se e nxij imazhin, po a ka qeverisje më të nxirë se e jotja në 25 vite?
Rama: Nëse merr përsipër të informosh në mënyrë të qëllimshme pasi nxit situata të krijuara artificialisht nuk mund të kesh qëllim tjetër përveçse të krijosh armikun në anën tjetër. Për çfarë arsye gënjen në Athinë, ju thua se godinat janë të ligjshme pse ju thua do të prishen pa u shpronësuar? Për çfarë arsye i nxit dhe gënjen edhe një pjesë të atyre që janë në të drejtën e tyre të jenë të revoltuar? E dëgjove qartësisht shpjegimin tim për çështjen, nëse gjen një element të gjithë këtij procesi, që është ndryshe dhe i paunifikuar se në gjithë Shqipërinë janë prishur mbi 9 mijë ndërtime. Mirë që gënjen, po e përdor këtë gënjeshtër për t’i hedhur benzinë zjarrit. Je ti që më detyron mua të hyj në këtë debat. Zanafillën e saj historia e ka tek ti personalisht. Çdo popull ka kokëboshët e vetë, ti ke gjetur të gjithë kokëboshët e Greqisë dhe ju fut marrëzira në kokë, ata janë gati të marrin për të vërtetë çdo shpifje, gënjeshtër që bën ti. Nëse në procedurën e bërë për ta ka ndryshim për gjithë shtetasit shqiptarë unë mbaj përgjegjësi publike. Mbaj edhe para fqinjëve. Patjetër, edhe para kujt të duash. Atë jam qytetar i Europës, ti je se ke pasaportë greke. Ne jemi qytetarë të Europës po nuk kemi ende pasaportë, por mos mendo se na bën ne të ndjehemi të kompleksuar se ti do të influencosh që të pengohet procesi i integrimit për qejfet e tua.
Dule: Kryeministri im nuk di çfarë është dialogu, di vetëm monolog dhe të llojit delirant. U ngrit në mes të debatit dhe iku.

Exit mobile version