Partia Demokratike e cilësoi dje raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit si dëshmi e oligarkisë së korrupsionit në pushtet. Përmes një deklarate për shtyp, Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Grida Duma theksoi se korrupsioni është përhapur në çdo degë të qeverisjes.
“Korrupsioni. Korrupsioni i shtrirë kudo, në çdo degë të qeverisjes. Ky është problemi më i madh i Shqipërisë. Ky është konkluzioni i Departamentit Amerikan të Shtetit. Raporti vjetor i DASH e vë korrupsionin në krye të listës. Korrupsioni i 340 milionë eurove të shëndetësisë të ndara nga Edi Rama e Ilir Beqja me miq e klientë, ndërkohë që njerëzit po vdesin spitaleve se nuk kanë para të blejnë ilaçet. Korrupsioni i 400 milionë dollarëve që u vodhën në dogana e tatime në një vit, ndërkohë që bizneset po mbyllen se nuk paguajnë dot taksat e rritura” u shpreh Duma në reagimin e saj.
Ajo theksoi se korrupsioni i 970 milionë eurove dëme të konstatuara nga KLSH përmes tenderave të paligjshëm, me fitues të përcaktuar, ndërkohë që investitorët po ikin, po braktisin vendin. Korrupsioni që ka formën e luksit qeveritar, të vilave e sarajeve, të syzeve 60 mijë euro të Gregut, ndërkohë që 46.2 për qind e familjeve shqiptare jetojnë në varfëri me 5 dollarë në ditë, ndërkohë që 100 mijë shqiptarë kanë ikur të dëshpëruar në eksod masiv. Duma theksoi se korrupsioni i aferës Rama-CEZ, ku iu morën shqiptarëve 500 milionë euro, u ndanë në një pazar të pisët, ndërkohë që shumica e shqiptarëve nuk paguan dot faturën e rritur të dritave.
“Korrupsioni i Koços që ka dorë në çdo tender, në çdo fond, në çdo licencë, në çdo pasuri. Ky pra është korrupsioni që shqiptarët ndeshin çdo ditë në jetën e tyre, që e provojnë çdo ditë në lëkurën e tyre. Tashmë dhe një alarm ndërkombëtar, i vendosur në krye të problemeve të Shqipërisë nga Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit. Kjo është oligarkia e korrupsionit, e paralajmëruar herët edhe nga sekretari Kerri, oligarki që ka zgjedhur të ndjekë luksin, pasurinë, e të varfërojë e shtypë popullin” tha ndër të tjera Duma.