Dumani kampion anti-korrupsion nga DASH, Lapardhaja: Mesazh për atë që do vijojë të bëjë politika amerikane! SPAK i vetmi institucion që vlerësohet

Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpallën kreun e SPAK, Altin Dumanin, si një nga 10 kampionët e luftës kundër korrupsionit për vitin 2024.

Lidhur me këtë vlerësim, analisti Namir Lapardhaja në një lidhje skype ditën e sotme për emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’, në Report Tv, tha se atë ditë që Dumani u shpall kampion i antikorrupsionit, Berisha bënte thirrje se duhet ti hiqet ‘non grata’ nga SHBA.

“Kur Dumani u shpall kampion kundër korrupsionit, po atë ditë një politikan ‘non grata’ nga Blinken, bënte thirrje që do ti kërkonte SHBA që ti heq ‘non gratën’. Tani përveç heqjes së ‘non gratës’ së tij ai do të duhet që ti kërkojë edhe heqjen e vlerësimit për Altin Dumanin, presidentit Donald Trump.”

Lapardhaja shpreh se ky vlerësim nuk është vetëm për kreun e SPAK, por edhe për gjithë drejtësinë e re që ka luftuar korrupsionin në vend.

“SHBA-të janë në koherencë të plotë më atë që kanë deklaruar që në fillim të reformës në drejtësi.

Ky nuk është një vlerësim vetëm për Altin Dumanin, por edhe një vlerësim për përpjekjen e drejtësisë së re për ta ndarë Shqipërinë nga procesi i pandëshkueshmërisë, i cili e ka shoqëruar atë për 30 e ca vite, por edhe një mesazh për atë që do të vijojë të bëjë politika amerikane në të ardhmen. Politika e Amerikës nuk udhëhiqet nga agjenda të caktuara, por është një politikë që të gjitha administratat duhet që ta vijojnë me të njëjtin standard dhe koherencë”, tha ai.

Sa i përket vulosjes së non-gratës së Berishës nga Britania, i cili do të mbetet non grata pasi nuk do t’i lejohet apelimi, Lapardhaja tha se vetëm mbështetësit e tij e mendojnë seriozisht këtë.

“Dua që ti jap pak nota humori, sepse edhe shumë seriozisht kjo çështje s’është për tu marr. Vetëm ata ithtarët e tij dhe besimtarët e marrin seriozisht. Ajo që ka ndodhur në Britani është në vazhdën e verimeve të mëparshme të këtij shteti. SHBA flet përmes vendimeve, si SHBA dhe DASH të njëjtin qëndrime do të mbajnë në të ardhmen, ndërsa brenda për brenda këto përdoren për manipulim të mbështetësve”, tha ai.

Ai tha se SHBA do të vijojë të shpall non grata të tjerë, teksa u ndal tek rasti i ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, i cili më 9 dhjetor u shpall ‘non grata” nga SHBA.

“Një ish zv kryeministër është shpallur ‘non grata’ nga SHBA dhe kjo do të thotë që SHBA nuk do të ndalojë me këtë lloj mekanizimi. Por ata do të vijojnë. Kjo është një politikë afatgjatë për Ballkanin Perëndimor për largimin e ndikimit rus dhe për luftën që SHBA i ka shpallur korrupsionit”, tha ai.

Një koment e pati edhe për vendimin e Komisionit të Venecias për mandatin e Olta Xhaçkës. Ai u shpreh se parlamenti duhet ta kishte çuar në kushtuese dhe do të duhej që të ishte kjo e fundit që të shprehej.

“Duhet që të theksojmë se mazhoranca dhe Partia Socialiste e kanë mbrojtur në mënyrë të padrejtë dhe ligjore mandatin e Xhaçkës, por parlamenti duhet ta kishte çuar në kushtuese dhe duhet të ishte kushtetuesja që duhej të shprehej për përputhshmërinë ose për mospërputhshmërinë të mandatit të Xhaçkës me Kushtetutën e Shqipërisë”, tha ai.

Exit mobile version