Dumani: Problem, rënia e kallëzimeve nga institucionet publike. Shqetësim për SPAK edhe ngarkesa e madhe

Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani teksa renditi rezultatet e punës së bërë nga ky institucion përgjatë vitit 2023, u ndal jo pak edhe te vështirësitë me të cilat ata po përballen.

Në Këshillin Kombëtar për Integrimin Europian, Dumani tha se një problematikë e adresuar nga SPAK është edhe rënia e kallëzimeve nga institucionet publike. Sipas Dumanit, në krahasim me vitin 2022, në vitin 2023 ka një rënie me 40% të referimeve nga institucionet publike, përjashtuar Policinë e Shtetit.

“Një problematikë që ne kemi adresua është edhe rënia e referimeve nga institucionet publike, ku edhe nga raporti i depozituar edhe në Kuvend dhe KLP evidentohet një rënie me 40% krahasuar me vitin 2022, këtu përjashtuar Policinë e Shtetit që ka ruajtur një rend të njëjtë, institucionet e tjera kanë rënie të referimeve apo kallëzimeve”, theksoi ai.

Dumani tha se shqetësim për SPAK përbën edhe ngarkesa e madhe dhe veçanërisht dosjet e mëdha. Për pasojë, Dumani tha se po përgatitet një strategji e veçantë për uljen e çështjeve të mbartura.

“Shqetësuese për SPAK përbën ngarkesa e madhe dhe sidomos dosjet e mëdha. SPAK do të përgatisë një strategji të veçantë në këtë aspekt. Në fazën aktuale po pritet që projekte të asistencës të caktojnë një ekspert për përgatitjen e një strategjie për uljen e çështjeve të mbartura”, u shpreh Dumani.

Po ashtu, kreu i SPAK bëri me dije se po vlerësohet edhe shtimi i numrit të hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), një “domosdoshmëri” që, sipas Dumani vjet pikërisht nga ngarkesa e madhe.

“Ne po vlerësojmë edhe shtimin e hetuesve të BKH dhe kjo duke marrë në konsideratë sepse tashmë mbi 75% e hetimeve të procedimeve tona kryhen e prej hetuesve të BKH dhe shtimi i numrit të hetuesve bëhet i domosdoshëm nga ngarkesa e madhe, por edhe zgjerimi i bashkëpunimit me autoritetet gjyqësore të huaja që kërkon më shumë angazhim”, u shpreh ai.

Artikulli paraprakLëshohen 26 urdhër-arreste, mes tyre edhe efektivë policie
Artikulli tjetërAksion me urdhër të prokurorisë në Kadastrën e Durrësit/ Arrestohen pesë persona, në kërkim dy të tjerë, mes tyre edhe ish zv.drejtori