Durim Bami arrestohet për herë të dytë në Dubai/ Çfarë po ndodh me një nga emrat më të njohur të botës së krimit në Nikël

Një nga personazhet më të njohur të botës së krimit në Shqipëri, Durim Bami, është arrestuar për të dytën herë në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ndalimi i Durim Bamit është kryer në datën 21 Tetor 2024, fiks në ditën kur në Tiranë u prangos ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Metaj.

Mësohet se Durim Bami është ndaluar nga policia e Dubait dhe po bën 5 ditë që mbahet i izoluar.

Nuk dihet me saktësi se cilat janë rrethanat që kanë shtyrë arrestimin e tij për herë të dytë nga policia e Emirateve.

Informacionet për arsyen e arrestimit të Bamit në Dubai, po mbahen tepër diskrete nga Policia e Shtetit dhe prokuroria e posaçme SPAK, të cilat nuk japin asnjë koment.

Kjo është hera e dytë që Durim Bami, arrestohet nga policia e Dubait.

Herën e parë ai u ndalua për llogari të SPAK-ut në muajin qershor 2024, pasi prokurorët e posaçëm, kishin lëshuar në muajin maj një mandat arresti si i përfshirë në kultivimin e parcelave të drogës në zonën e Fushë-Krujës, sigurimin e kushteve për të vrarë ish-deputetin e PS-së në Lezhë, Arben Ndoka, si dhe sigurimin e kushteve për të vrarë dy miqtë e

Ervis Martinajt, Erigers Mihasin dhe Hektor alias Tori Xheçuka.

Por për këtë arrestim, Durim Bami, mundi të lirohej nga gjykata e Dubait.

Ndërsa arrestimi i dytë i Bamit është kryer në 21 Tetor dhe ende nuk dihet me saktësi nëse ndaj Durim Bamit është lëshuar një masë sigurimi e dytë “arrest me burg” nga SPAK, që detyroi policinë e Dubait të rivihet në lëvizje për të arrestuar për herë të dytë, Durim Bamin.

Tashmë Bami mund të jetë në procedurat e një ekstradimi të mundshëm, apo riatdhesimi të menjëhershëm, siç ndodhi me rastin e Plaurent Dervishajt dhe Julian Meçajt, dy njerëzve të grupit të Durrësit të akuzuar për atentatin ndaj Landi Muharremit dhe prokurorit, Arjan Ndoja./Ora News

Exit mobile version