Durrës, djegia e mbeturinave rrezik për banorët

Dy muaj më parë Bashkia e Durrësit miratoi buxhetin rekord prej 43 milionë dollarësh, por ky buxhet duket se nuk po i jep zgjidhje një prej problemeve më të mprehta me të cilin po hasen qytetarët durrsakë siç është djegia e mbetjeve në terren të hapur në zonën e Porto Romanos. Bashkia e Durrësit nuk ka parashikuar në buxhetin e 2017-s asnjë projekt për rehabilitimin e vendgrumbullimit të plehrave, duke bërë që qytetarët durrsakë dhe ata që jetojnë në periferi të vijojnë të thithin helme toksike që lëshohen nga djegia e plehrave në vendgrumbullimin e Porto Romanos. Përveç banorëve të zonës, me këtë problem përballen edhe studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, i cili ndodhet vetëm pak metra larg vendit ku grumbullohen e digjen mbeturinat. Situata bëhet edhe më alarmante kur në vendgrumbullimin e plehrave hidhen edhe mbetjet spitalore, të cilat digjen së bashku dhe lëshojnë helme toksike me shumicë. “Nuk është aspak normale pasi ne këtu jemi 6 orë dhe është një ndotje shumë e madhe për ne dhe nuk është aspak mirë për shëndetin tonë”, shprehet një studente. “Është një problem shumë shqetësues, pasi sa të vish në ambientin e universitetit përballesh me gjithë këto mbeturina. Shpeshherë ndodh që të digjen dhe të shqetëson era dhe gjithçka”, thotë një tjetër studente. “Është shumë shqetësuese si në dimër dhe në verë, në verë akoma edhe më shumë për arsye se temperaturat janë të larta, krijon një ndotje tepër të madhe dhe vështirëson edhe frymëmarrjen tonë”, shprehet një tjetër student. Të kontaktuar nga “Ora News”, specialistët e Shëndetit Publik shprehen se djegia masive e plehrave mbetet një problem shumë serioz për qytetin bregdetar dhe duhet të merren masa për gjetjen e një zgjidhjeje. Ndërsa Bashkia e Durrësit, thotë se djegia kryhet nga mbledhësit e skrapit që herë pas here i vënë flakën mbeturinave.

Exit mobile version