Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi ngriti shqetësimin se qyteti i Durrësit është kthyer në kryeqytetin e bandave kriminale.
Referuar kërkesës së PD për shkarkimin e kryebashkiakut të Durrësit, Bylykbashi deklaroi në RTV Ora Neës se veprimi i Dakos në raport me Lulzim Berishën është një akt i paprecentë që nuk ndodh as në Palermo dhe Napoli.
“Është e shkruar e zezë mbi të bardhë, një akt i paprecedentë në gravitetin e vet. Dikush mund të pretendojë se janë procedura rutinë. Por as në Napoli dhe as Palermo nuk mund të ndodhë. Askush, as kryebashkiaku i Durrësit nuk ka të drejtë ta kthejë Durrësin në një nga ato qytete që janë simbol i krimit të organizuar. Për fat të keq, Durrësi është kthyer në kryeqytetin e këtyre bandave, por të paktën shteti nuk mund t’i japë dorë. Kjo ishte protestë e heshtur, simbolike.
Ne nuk kërkojmë më dorëheqjen e kreut të Bashkisë së Durrësit, i kemi kërkuar Kryeministrit ta shkarkojë për këtë shkelje të gjetur nga ekspertët ligjorë të PD. Të gjithë thonë se nuk do e bëjë si me kryetarin e Bashkisë së Kavajës që e mban në detyrë ndonëse është dënuar për përdhunim.
Ndërkohë që dhe ligji për dekriminalizim i jep mundësi për të shkarkuar. Kërkesa jonë për shkarkim është në tryezën e Kryeministrit, është detyrë e tij të ruajë një gram nga morali publik në lidhje me atë që para një viti u miratua në Parlamentin e Shqipërisë që është dekriminalizimi”, u shpreh Bylykbashi.
Ai thotë se Kushtetuta duhet ta vendosë në binarë këtë situatë. Bylybashi tha se është shumë i rëndësishëm zbatimi i dekriminalizimit, që së fundi sipas tij është paraqitur edhe si një kusht i panegociueshëm nga Brukseli dhe Uashingtoni.
Kushtetuta të vendosë në binarë situatën
Kjo i bie që për çdo të dënuar të ketë çertifikata të tilla pozitive, është një vendimmarrje. Si Presidenti që vendos të falë dikë dhe dikë jo, fal dikë që ka kushtet, por të tjerë nuk mund të lirohen. Po kështu dhe kryetari i Bashkisë nuk mund të pretendojë me një infantilitet, ta thjeshtojë, duke thënë se është procedurë rutinë. Për fat të keq me sa duket dhe nga lista e personave të tjerë për të cilët ka lëshuar vërtetime të tilla rezultojnë persona të dënuar për krime të rënda. Nëse është traditë e Bashkisë së Durrësit, duhet ndërprerë. Ta vendosë Kushtetuta në binarë këtë situatë.
Pushteti u implikua në lirimin e Lulzim Berishës
Në 2014 është marrë një vendim në gjyqësor, ndërkohë që në 2012 ishte marrë vendim tjetër. Në 2005-2007 të gjitha bandat përfunduan në burg, kjo ishte sjellja e PD. Në 2014, kur nuk ishim ne pushtet filluan shumë gjëra, por të arrihej deri aty sa vetë pushteti implikohet drejtpërdrejtë jo në ulje dënimi, por lirim, jemi përpara asaj që kemi denoncuar: pakti i Edi Ramës me krimin. Pakti për të ardhur në pushtet në një marrëveshje me të. Dikë ka bërë deputet, dikë kryetar bashkie apo i favorizon në forma të tjera, nuk është gjë tjetër vetëm produkte të këtij fakti. Këtë tentuam të thërrmojmë me dekriminalizimin. Më 17 dhjetor ky ligj bëri një vit, i miratuar me konsensus dhe fakti që kemi kriminelë në krye të bashkive apo Parlament, tregon se Edi Rama jo vetëm që e miratoi ligjin thjesht për farsë, por qëllimi i tij është krejt tjetër.
Ka një ligj që e vë me shpatulla pas muri, jo më kot Brukseli i kërkoi zbatimin e këtij ligji, që Edi Rama nuk i shpëton me asnjë lloj transformimi, kushte, kritere apo çfarëdolloj tentative për t’u kacavjerrë. Gjithë të tjerët, përfshirë kryebashkiakun e Durrësit, ekzekutojnë filozofinë e Edi Ramës.
Dekriminalizimi, kusht i panegociueshëm i SHBA-BE
Në këtë fazë të bëjë çtë dojë Kryeministri, e ka për detyrë vetëm ta zbatojë. Është kusht i panegociueshëm i Brukselit, Uashingtonit. I kërkojnë në mënyrë specifike të zbatojë dekriminalizimin. Zbatim do të thotë, personat e kriminalizuar ikin nga Parlamenti, personat e kriminalizuar ikin nga pushteti vendor dhe burgjet nuk zbrazen. Kemi një ligj për amnistinë. Nuk ka ndodhur kurrë që çdo vit të vijë një ligj për amnistinë, kjo është e paprecedente dhe me pasoja.
KQZ pengesë për dekriminalizimin
Bylykbashi akuzon KQZ se po bllokon dekriminalizimin në disa raste. “Ne dimë që KQZ ka çuar vetëm me kërkesën e Prokurorisë dy raste. Për fat të keq është bërë një nga organet që ka bllokuar funksionimin e ligjit, kur ka një kompetencë shumë të rëndësishme, të gjitha rastet që konstaton me pak problem t’i çojë në Prokurori për verifikim. Formularët janë publike, duhej që edhe të dhëna të tjera të viheshin në dispozicion, por nuk janë. Departamenti i Administratës Publike ka dërguar mbi 100 raste, por është e papranueshme dhe turp që kriminelë të gradave të ndryshme janë në administratë, por problemi më i madh është tek të zgjedhurit siç është Parlamenti, këshillat apo kryetarët e bashkive. Këtu po luftojmë dhe këtë po kërkojmë. Të mos fshihemi tek administrata. Ka instrumenta të tjerë që do ja shtrëngojnë më shumë lakun Edi Ramës, sa më afër zgjedhjeve të vijë aq më shumë do t’i rritet kostoja. Ligji ka vënë kufi, deputetët, qytetarët, mediat kanë të drejtën dhe detyrën morale të vënë në zbatim këtë ligj. Mediat kanë bërë rolin e tyre. Nëse dikush ka dhënë një deklaratë të bardhë, përveç faktit që zbulohen kanë kryer dhe një krim tjetër, falsifikimi i dokumentave. Personat përgjigjen penalisht”, tha Bylykbashi.