Të rinj që duan të largohen, të kualifikuar që kërkojnë punë jashtë, prindër që mbesin të vetmuar në pleqëri. Emigrimi po e godet fort Shqipërinë. Ekspertët kërkojnë strategji të posaçme për përballimin e fenomenit.
Nga Deutsche Welle
Shprehja “guri i rëndë në vendin e vet” duket se nuk po vlen më për shqiptarët. Me sytë përtej kufirit, themelet e së ardhmes ata kërkojnë medoemos t’i hedhin larg Shqipërisë. Një valë të re emigrimi paralajmërojnë të dhënat e Zyrës Europiane të Mbështetjes së Azilantëve (EASO), teksa raportojnë se rreth 12.000 shqiptarë kanë aplikuar për herë të parë për azil në një nga vendet e Bashkimit Europian, vetëm për periudhën janar-korrik 2019. Veç tyre, 2000 shqiptarë të tjerë kanë tentuar rishtazi për ta fituar këtë status.
Përse emigrojnë shqiptarët?
Një situatë e tillë i ka nxitur sociologët, psikologët dhe ekpertët e ekonomisë të hulumtojnë mbi arsyet e këtij largimi masiv. Eksperti i ekonomisë Zef Preçi bën përgjegjës standartin e ulët të jetesës, nivelin e lartë të papunësisë, si dhe nivelin e ulët të pagave, sipas tij më e ulta në rajon.
Duke iu referuar Institutit te Statistikave ai shton se paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të parë 2019, ishte 51.531 lekë. “Ky largim tregon pasigurinë e tyre për të ardhmen”, vlerëson psikologia Arjana Muçaj, e specializuar në psikologjinë sociale. “Kjo është edhe pasqyrë se si funksionon demokracia në vendin tonë, pasi respektimi i të drejtave të njeriut pothuajse nuk ekziston ose nuk vlerësohet sa duhet”.
Për sociologun Gëzim Tushi arsye të forta për t’u larguar nga Shqipëria janë edhe synimet për karrierë dhe shkollim. “Disa janë pesimistë me situatën politike, konfliktet e vazhdueshme dhe natyrisht me mungesën e sistemit meritokratik”- shton Tushi.
Rinia në largim
Një jetë larg Shqipërisë duket të jetë ëndrra edhe e shumë të rinjve shqiptarë. Në një sondazh të kryer nga Fondacioni “Friederich Ebert” (2018/2019) 40% e të pyeturve kanë shprehur dëshirën të ikin nga Shqipëria. Destinacioni më i preferuar është Gjermania. Specialistët pajtohen me mendimin se largimi i të rinjve nga Shqipëria vjen si rrjedhojë e arsimit jocilësor dhe papunësisë. Referuar të dhënave të INSTAT shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë shënoi 22,2 % në tremujorin e parë të 2019.
“Për të demotivuar largimin e të rinjve është e udhës të rregullojmë përputhjen e kurrikulave dhe diplomave universitare me tregun e punës”- thotë për Dë, sociologu Gëzim Tushi.”Mbi të gjitha duhet të rregullohet sistemi i vlerave dhe meritës, të goditen preferencat nepotike, partiake në trajtimin e të rinjve”.
Edhe pse largimi i të rinjve nuk është një fenomen vetëm shqiptar, psikologia Muçaj nënvijëzon se “ka një ndryshim të madh pasi të rinjtë e huaj kthehen në vendet e tyre për të sjellë eksperiencën e fituar, ndërsa të rinjtë shqiptarë as që e mendojnë këtë si mundësi.”
Këtë largim Preçi e quan një humbje të investimit që vetë shteti shqiptar ka bërë, e që do të ndihet edhe më shumë në të ardhmen. “Së bashku me ta edhe shuma të konsiderueshme prej disa qindra miliona Eurosh janë larguar nga vendi dhe vetëm nje perqindje e vogel e këtij investimi është rikthyer apo pritet të rikthehet në vendin tonë”, thotë Preçi.
Cilat janë pasojat sociale dhe ekonomike?
Ekspertët pranojnë se situata është serioze. Shqipëria po plaket me ritme të shpejta. Nga vendi me popullsinë më të re në Europë, mosha mesatare e Shqipërisë është rritur nga 27 vjeç në 35.4 vjeç. “Pasojat janë të dukshme”, shprehet sociologu Gëzim Tushi. “Pakësimi i lindjeve, ulja e numrit të fëmijëve për grua nga 2.7 në më pak se 1.6 dhe zgjerimi i kërkesave për pensione e mbrojtje sociale ka krijuar problemet e veta në shërbimin shendetësor apo kujdesin social.” – shton Tushi.
Sipas Institutit të Statistikave numri i lindjeve në tremujorin e dytë 2019 shënoi një rënie prej 5,7 % krahasuar me tremujorin e dytë 2018. Numri më i lartë i lindjeve ishte në qarkun e Tiranës me 2.157 foshnje, ndërsa numri më i ulët u regjistrua në qarkun e Gjirokastrës, me 111 lindje foshnje.
Pasojat e emigracionit dhe ndryshimet demografike ndjehen edhe në ekonominë e vendit. Preçi thotë se rritja e numrit të qytetarëve në moshën e pensionit dhe largimi i fuqisë punëtore përkeqëson statusin social dhe ekonomik të vendit. “Sidomos largimi i punonjesve te kualifikuar, te cilët janë edhe kontribues të ndjeshëm në skemën e sigurimeve shoqërore për shkak të pagave të tyre më të larta e vështirëson më tej edhe funksionimin e vetë skemës së sigurimeve shoqërore” – shton eksperti i ekonomisë.
Me largimin e të rinjve jashtë vendit, ka një shtim të numrit të personave të moshuar që jetojnë vetëm. Sipas psikologës Arjana Muçaj ndikimi psikologjik tek prindërit është shumë i madh, sepse lidhet me mirëqënien e tyre emocionale. “Ata kanë nevojë për mbështetje si emocionale dhe financiare”, thotë Muçaj. Po sipas psikologes largimi masiv ka ndikim negativ edhe tek njerëzit që vazhdojnë të jetojnë në Shqipëri pasi “ata ndihen të paplotësuar në vendin e tyre, të pavlerësuar dhe aq më tepër të nëpërkëmbur nga klasa jonë politike”- shton Muçaj.
Në kërkim të zgjidhjes
Për ekspertët emigrimi masiv i popullsisë shqiptare do të lërë pas një shoqëri me shumë mungesa. Ata kërkojnë që klasa politike të ndërhyjë sa më parë për të ndaluar këtë fenomen, i cili po i merr vendit personat e kualifikuar.
“Duhet bërë një vlerësim i tregut të punës mbi kërkesën e nevojave që ka tregu për profesionet përkatëse. Kur themi cilësi kjo duhet të shoqërohet me edukimin dhe arsimimin e të rinjve dhe krijimin e mundësisë për punësim, kjo edhe nëpërmjet politikave të shkëmbimit me vendet e rajonit por edhe të BE”- thotë për DW psikologia Muçaj.
Socilologu Gëzim Tushi thekson se duhen strategji për të vlerësuar gjendjen reale social-ekonomike në vend, e më pas të ndërtohen politika për të ndalur këtë proces.”Duhet të jenë ekpertët e fushave të ndryshme dhe jo politikanët që duhet të thonë fjalën e tyre se, çfarë duhet bërë, ku duhet të përqëndrohemi për të penguar procesin mekanik e metafizik të plakjes së popullsisë dhe “emigracionit të vonuar”, shprehet Tushi.
Për ekspertin Zef Preçi përmirësimi i klimës së biznesit në vend shoqëruar me politikat që nxisin rritjen e produktivitetit të punës dhe të pagave, janë ndër rrugët kryesore për frenimin e emigracionit ekonomik. “Po kaq i rëndësishëm mendoj është përshpejtimi i rritjes ekonomike të vendit me synim një rritje vjetore mbi 6%. Qëllimi është absorbimi I fuqisë së lirë punëtore”, shton Preçi. Po deri sa të ndërtohen strategjitë që ekspertët propozojnë a është Shqipëria gati për të përballuar një valë të re emigrimi?