Dy aksidente pune në sektorin minerar brenda pak ditësh, plagosen punëtorë në Bulqizë dhe Martanesh

Nga Sami Curri

Në harkun kohor të tre ditëve, dy aksidente pune janë regjistruar në galeritë e kromit në Bulqizë dhe Martanesh. Aksidenti i parë ndodhi të hënën, më 27 maj, në një nga galeritë e kromit të kompanisë Albchrome në minierën e Bulqizës. Një minator 40-vjeçar, me inicialet A.N., u godit nga një masiv gurësh teksa ndodhej në thellësi të nëntokës. Pas incidentit, ai u transportua fillimisht në spitalin e Bulqizës dhe më pas në Spitalin Rajonal të Dibrës. Fatmirësisht, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, kompania Albchrome nuk ka reaguar publikisht për rrethanat e ngjarjes.

Vetëm dy ditë më pas, më 29 maj, një tjetër aksident u regjistrua në një subjekt minerar në zonën e Martaneshit. Një punëtor 40-vjeçar, me inicialet I.D., pësoi dëmtime në këmbë gjatë procesit të punës. Në njoftimin e shpërndarë për mediat, Drejtoria Vendore e Policisë Dibër informoi se punëtori i aksidentuar ndodhet aktualisht në spital, në gjendje të stabilizuar, dhe se rrethanat e ngjarjes po hetohen nga autoritetet.

Këto aksidente në punë në sektorin minerar janë bërë gjithnjë e më të shpeshta dhe me pasoja tragjike. Vetëm një javë më parë, një tjetër minator humbi jetën në një galeri kromi në Përrenjas. Edhe miniera e Bulqizës është përballur vazhdimisht me ngjarje të rënda, ku çdo vit raportohen viktima në vendin e punës. Një muaj më parë, në Klos, trupi i një të riu që punonte në një fabrikë pasurimi kromi u gjet pas pesë ditësh kërkimesh, ndërsa pjesë të tjera të trupit të tij u gjetën vetëm pas dy javësh.

Siguria në punë mbetet një nga problemet më shqetësuese në Shqipëri, sidomos në sektorë si ndërtimi, minierat dhe energjia elektrike. Tetë punëtorë kanë humbur jetën në detyrë në më pak se dy muaj në vend. Në zonën minerare të Bulqizës, organizimi sindikal pothuajse ka shuar zërin e tij në vitet e fundit. Përpjekjet për krijimin e një sindikate të pavarur në vitin 2019 sollën presione dhe përjashtime nga puna, duke krijuar një klimë frike mes punëtorëve për organizime të tilla./birn

Artikulli paraprak38 vite në Parlament, çfarë mbani mend nga këta tre deputetë?
Artikulli tjetërKërcënim apo mbrojtje? Qëndrimet e Ramës ndaj SPAK ngjallin kontradikta