Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi
Taksa e qeverisë së Kosovës për mallrat serbe dhe boshnjake, e vendosur në dhjetorin e kaluar ka shkaktuar debate të mëdha brenda spektrit politik të vendit. Debati ka marrë drejtim aspak normal, sepse kundërshtarët e kësaj takse nën regjinë e presidentit Thaçi kanë filluar ta interpretojnë mosheqjen e saj si qëndrim antiamerikan të kryeministrit Haradinaj.
Ndërkohë zoti Haradinaj, në përgjigje të kësaj akuze thotë se “Taksa nuk është kundër SHBA-ve, ajo drejtohet kundër Serbisë, prapa së cilës qëndron Rusia”! Debatin e ka nxit së tepërmi intervenimi intensiv i ambasadës amerikane me kërkesën ultimative për heqjen e kësaj takse. Madje në një deklaratë të saj thuhej se “mosheqja e taksës ndaj mallrave serbe është cënim i interesit straegjik të SHBA-ve”!
Dje këshilltari për Siguri Kombëtare, Bolton, telefonoi në Prishtinë dhe përsëriti presionin për heqjen e kësaj takse.
Sot ambasadori Philip S. Kosnett takoi autoritetet kryesore të Prishtinës dhe për të disatën herë kërkoi heqjen e taksës me Serbinë. Ndërkohë kryeministri paralajmëroi se në javën e ardhshme publiku do të ballafaqohet me ngjarje dramatike! Panorama është trishtuese, sepse gjithsa ndodh në Kosovën jostabile e të padefinuar përfundimisht si shtet sovran krijon huti dhe undësi që shteti të shkërmoqet.
Heqja e taksës konsiderohet si kusht i vazhdimit të bisedimeve Beograd-Prishtinë, gjë për të cilën është i interesuar aq shumë Uashingtoni. Por këto bisedime tashmë janë kthyer në favor të politikës dhe diplomacisë së Serbisë dhe me shumë gjasa ato të përfundojnë në cënimin e integritetit territorial të Kosovës. Presidenti serb, Vuçiq, para pak ditësh pranoi publikisht se me bisedimet e Brukselit “Beogradi fitoi kohën e duhur për t’ju kundërvënë Kosovës”! Në këtë situatë avantazhi Beogradi bëri gjithçka që të nxisë aktorët amerikanë për të bërë presion në Prishtinë për heqjen e taksës.
Në këtë aksion presidentit serb i erdhi në ndihmë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili udhëtoi disa herë në Uashington, i sponsorizuar prej Vuçiq, me qëllim që të bindë zotin Bolton për një zgjidhje të konfliktit në favor të Serbisë. Duke analizuar gjithçka ka ndodhur më duhet të theksoj mendimin tim se nëse SHBA-të janë të interesuara për vazhdimin e dialogut ato nuk kanë asnjë interes strategjik që ky dialog të çojë në cënimin e territorit të Kosovës.
Edhe sikur interesi amerikan për këtë territor të jetë minor e i papërfillshëm, nga kjo zgjidhje do të përfitojë Serbia dhe Rusia. Një zgjidhje që favorizon Serbinë dhe Rusinë nuk mund të jetë interes jetik amerikan, me çka interpretohet ndërhyrja e Uashingtonit në Prishtinë. Taksa në vetëvete adresohet kundër Beogradit dhe Moskës ndërkohë që Moska shfaqet si armike e Amerikës dhe Beogradi ai aleat i Moskës!
Kësisoj as heqja e taksës, as ndryshimi i kufijve nuk mund të jenë interes amerikan. Në një raport të inteligjencies amerikane të publikuar sot thuhet se “Mundësia e një konflikti të hapur ushtarak dhe ndikimi i Rusisë, mbeten kërcënimet kryesore për sigurinë e Ballkanit Perendimor për vitin 2019!
Dhe nëse është kështu atëherë duket qartë se ndarja e Kosovës si interes rus nuk mund të jetë gjithashtu interes amerikan. Nëse kthehet kjo ndarje në “interes amerikan” për këtë kanë rol skenarët e hartuar në Beograd.
Duke e ditur këtë fakt, Edi Rama, Aleksandër Vuçiq dhe Hashim Thaçi kanë hartuar një strategji të re serbe, me qëllim që ta joshin Amerikën pro zgjidhjes së konfliktit shqiptaro-serb me ndryshime kufijsh midis Kosovës dhe Serbisë. Vuçiq ka premtuar dhe Rama e Thaçi kanë dëshmuar e garantuar, se “Serbia është e gatshme të anëtarësohet në NATO, nëse SHBA-të mbështesin ndarjen e territorit të Kosovës në favor të territorit serb”! Hyrja në lojën serbe të kryeministrit të Shqipërisë dhe presidentit të Kosovës i jep pamje të besueshme edhe procesit të bisedimeve dhe rezultatit të tij me ndarjen e Kosovës, si dhe jep më shumë garanci se “Serbia do të jetë në të ardhmen pjesë e NATO-s”, çka do të thotë se do të shndërrohet në bastion antirus në Ballkan dhe në Europë.
A mund të ndodh kjo dhe si mund të përfitojë Kosova prej këtij procesi dhe përfundimi? Do ta pranojmë se Serbia pas marrjes së Trepçes do të jetë dakord të bëhet pjesë e NATO-s. E pranojmë dhe premtimin e Hashim Thaçit se “Serbia do ta njohë Kosovën”. Por a do ta pranojë Kosovën Moska?! Në rastin kur Serbia tërhiqet nga orbita ruse, Kremlini do të marrë pozicion antiserb e për pasojë do të vazhdojë të mos e njohë shtetin e Kosovës. Pa njohje në Këshillin e Sigurimit nuk mund të ketë ulëse në OKB! Që do të thotë se Kosova mbetet edhe më tej një problem i pazgjidhur, kësaj here me integritet territorial të cunguar.
Ndërkaq anëtarësimi i Serbisë në NATO do të bënte që Kremlini të ndërhynte dhe vendi do të shkonte në luftë civile. Kurrë nuk do të pajtohej Vladimir Putin që vota e Beogradit t’i bashkohej Aleancës së Atlantikut kundër tij! Ndaj ai do aktivizonte gjitha potencialet proruse në Serbi me qëllim rrëzimin e liderëve properendimorë. Në këtë rast do të dështonte edhe anëtarësimi i Serbisë në BE. Unë besoj se kjo llogari është bërë në hava! Refuzimi i Haradinajt për të mos heq taksën me Serbinë i ka dhënë shansin sponsorëve të ndarjes së Kosovës të venë bast për “miqësinë me SHBA-të”?! Hashim Thaçi foli sot për individë ose axhendë antiamerikane, ndërsa Xhavit Haliti dje kërkoi që prokuroria të hetojë ata “që prishin marrëdhëniet me SHBA-të”! Ky i fundit në vend të kërkojë hetimin e shefit të tij, presidentit të Kosovës, për cënim të integritetit territorial të vendit në favor të Serbisë, shpik si “shkelje penale, nëse dikush kundërshton një kërkesë të njërës Amerikë”!
Po si qëndron e vërteta? Vënia e taksës ishte kërkesë amerikane. Ashtu siç është sot kërkesa për heqjen e saj po ashtu një kërkesë amerikane. Vënien e taksës e kishte rekomanduar sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mathis, si masë dhe kundër ndarjes së Kosovës . Mattis u shkarkua. Por kjo kërkesë ka sot mbështetjen e kongresmenëve demokratë e para së gjithash të kryetarit të Komitetit të Jashtëm, Eliot Engel.
Ndërkohë nuk ka mbështetjen e Jon Bolton, i cili për fatin e keq të Kosovës, sot gjendet në krye të institucionit më të rëndësishëm të sigurisë kombëtare në Amerikë. Jon Bolton ishte në shkurt të vitit 2008 kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ndaj dhe nuk ka problem nëse procesi për Kosovën kthehet para 17 shkurtit të atij viti. Kësisoj shohim se Bolton mbështet dhe mbështetet nga ideatorët e ndarjes së Kosovës, Edi Rama e Hashim Thaçi, me të cilët ka zhvilluar bisedë telefonike dje dhe sot.
Sponsiorët amerikanë të pavarësisë së Kosovës janë kundër Thaçit dhe Ramës, pra edhe kundër ndarjes së Kosovës e pro taksës ndaj Serbisë. Kështu Haradinaj gëzon mbështetjen e kësaj pjese të Amerikës, ndërkohë që kërcënohet nga Amerika e Bolton. Pala proserbe, Rama e Thaçi, mbështëtin e mbështeten te antikosovari, Bolton, Haradinaj te prokosovari i dëshmuar, Eliot Engel e të tjerë! Amerika është e ndarë aq sa mund të thuhet se Trump ka krijuar dy Amerika.
Siç po shihet, njëra është me Kosovën dhe tjetra kundër saj. Duke qenë dy Amerika edhe në Prishtinë u krijuan dy grupime. Njëri proamerikan e në favor të Kosovës dhe tjetri proamerikan e në favor të Serbisë! Se Amerika bëhet dy ose tri pjesësh, ky është problem i saj. Po që presidenti i Kosovës t’i bashkohet Amerikës proserbe, kjo është përgjegjësi e Hashim Thaçit. Kështu që ndër dy grupet pro dy Amerikave, para drejtësisë duhet të shkojë grupi i atyre që mbështesin orekset e Serbisë për të pushtuar territoret e Kosovës! Apo jo Xhavit Haliti?!
Tirane, 31.01.2019