Nga Red VARAKU
Pas bllokimit të dhunshëm të integrimit europian si dhe pas qëndrimit të prerë amerikan të shpallur nga ambasadorja Yuri Kim dhe ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për çështje të Evropës dhe Euroazisë, Philip Reeker, i cili qartëson se Shqiperia nuk ka rrugë tjetër përveç zgjidhjes së krizës dhe integrimit europian, është e qartë edhe për më naivët, që Ramës i ka mbaruar koha dhe oferta e Partisë Demokratike për zgjedhje të parakohshme politike në të njëjtën ditë me zgjedhjet lokale, përmes një qeverie tranzitore janë e vetmja alternativë.
Por, për shumë qytetarë, mbase të paangazhuar politikisht, akoma është e paqartë, se pse ky njeri nuk e jep menjëherë dorëheqjen, kur dihet që prej fillimit të protestave studentore, nuk ka qeverisur as edhe një minutë të vetme.
Për shumë qytetarë është akoma e pashpjegueshme nevrastenia me të cilën ai sulmon Perëndimin. Është i pashpjegueshëm brutaliteti me të cilin sulmon Opozitën, kërcënimet që ai bën për shkarkimin e Presidentit dhe turfullimën për vendimin e Bashkimit Europian.
Por, e gjitha kjo, ashtu si dhe futja e qartë në konflikt me Perëndimin nëpërmjet përfshirjes në projektin e Putin të Eurazisë të Jugosllavisë së Re dhe rritja e retorikës anti-perëndimore, nuk po ndodh ashtu kot, pa qëllim, sepse pas saj fshihet një strategji e mirëmenduar.
Fill pas publikimit të përgjimeve, ai ka pasur vetëm një axhendë, e cila nuk ka asnjë lidhje me axhendën e Partisë Socialiste, e aq më pak të Shqipërisë, por është një axhendë tërësisht personale, që ka si qëllim së pari pastrimin e PS nga kundështarët e projektit të tij për t’i lënë partinë kones së tij të bindur Veliaj.
Rasti i linçimit të Ditmir Bushatit, vetëm se ky i fundit mund të rivalizonte seriozisht Veliajn, është ilustrimi më i mirë i kësaj situate. Ndërkohë, të gjithë janë dëshmitarë të rrënimit dhe degradimit të plotë të strukturave politike të PS në të gjithë vendin dhe luftën mes klaneve kriminale brenda saj për të kapur degët e saj në bazë.
Një luftë që ka degjeneruar edhe deri në përplasje me armë si në Durrës apo shkrirjen plotësisht të një dege si në rastin e Shkodrës. Ai e di që këtë operacion mund ta bëjë vetëm tani që është në pushtet, sepse pasi të dalë në Opozitë është e pamundur.
Së dyti, për të garantuar paratë e fituara në mënyrë të paligjshme, të cilat po i administrojnë oligarkët pranë tij.I vetmi shqetësim për të vëllazërinë e tijë është si të gjejnë mekanizma për të pastruar miliardat që kanë fituar gjatë këtyre viteve. Përpjekja e muajve të fundit për të dhënë gjithçka me PPP, si dhe ngritja e Korporatës së Investimeve, që në fakt nuk janë gjë tjetër vetëm taktika të pastrimit të parave ku investohen paratë e fituara në mënyrë të paligjshme, është tregues i qartë se Rama, nuk po e zgjat dorëheqjen ngaqë është kokëfortë, por po e zgjat qëndrimin në pushtet për të garantuar miliardat e fituara në mënyrë të paligjshme, të cilat po i administrojnë me bujari oligarkët pranë tij.
I futur në spiralen e panikut të humbjes së pushtetit, pas publikimeve të BILD dhe sidomos pas fillimit ofensivës perëndimore menjëherë pas 30 Qershorit, Rama e ka të qartë fundin e tij , ndaj po e shtyn dorëheqjen sepse i duhet pak kohë të ‘pastrojë’ krimet, që ka bërë si dhe të plaçkisë edhe atë pak pasuri që ka mbetur nëpërmjet miratimit të ligjeve që legalizojnë vjedhjet masive të pasurisë së shqiptarëve.
Babëzia me të cilën ai ka filluar të zhvatë prona publike, pasuri nëntokësore, pasuri pyjore, naftë, krom, bakër, lumenj, liqene, ndërtesa, livadhe, janë të tilla që asnjë pushtues nuk do kishte mundur t’i bënte. Gjithë pazaret e pambaruara të gjashtë viteve në pushtet, u bënë realitet në këto muaj të fundit, falë VKM-ve të tij dhe qartësisë për të rrjepur çdo lek deri në minutën e fundit.
Ka gati një vit që po hakmerret ndaj shqiptarëve duke u përpjekur natë e ditë të lërë një shtet të shkatërruar, një ekonomi piramidë, një inventar pasurish të plaçkitur dhe një shoqëri të dorëzuar në duar të krimit.
Por, durimit të shqiptarëve po i vjen fundi. Ai nuk mund të vazhdojë të bllokojë më Shqipërinë në emër të pushtetit të tij. Ka ardhur ora që ta lërë sa më shpejt Shqipërinë të ecë në rrugën dhe fatin e saj dhe t’ i hapë rrugë gjykimit nga ligji dhe vota e shqiptarëve.
Kjo do ta bëjë më pak mizor fundin e tij dhe më të sigurt të ardhmen e pasardhësve të tij. Ndryshe, zemërimi dhe urrejtja që mund të shpërthejë si vullkan nga çasti në çast, mund të kthehet njëqind fish mbi atë dhe vëllazërinë e tij kriminale.