Dy atentate në Tiranë e Shkodër, biznesmeni në luftë me vdekjen

Dy atentate kanë ndodhur ditën e djeshme duke rikthyer krimin dhe pasigurinë. Atentati i parw ndodhi nw Tiranw, ku Biznesmeni Tofik Hyka mbeti i plagosur me disa plumba në kokë dhe në trup, pas një atentati ndaj tij paraditen e djeshme rreth orës 10:25 pranë stadiumit “Selman Stërmasi” në Tiranë. Hyka 56-vjeçar nga Tirana, ish-pronar i fabrikës së tullave në Vorë, u qëllua me pistoletë ndërsa ndodhej i ulur në lokal “Piemonte” në kryeqytet. Sipas burimeve, dy persona iu afruan me një motor të fuqishëm, njëri prej të cilëve mbante një skafandër në kokë ku qëlloi ndaj Hykës katër herë, duke i shkaktuar plagë në trup dhe kokë. Burimet bënë të ditur se, nga të plumbat ka mbetur i plagosur edhe një person tjetër.
Hyka është dërguar menjëherë në spital ku ndodhet në gjendje të rëndë për jetën. Policia ka shkuar në vendngjarje por nuk ka mundur të arrestojë autorët e krimit. Në vendin e ngjarjes, Policia sekuestroi katër gëzhoja të kalibrit 6.5 mm.
Fillimisht u njoftua se është arrestuar një person për atentatin ndaj biznesmenit Hyka, por Policia mohoi lajmet. Sipas Policisë, janë shoqëruar vetëm dëshmitarë të ngjarjes. “Nga hetimet paraprake dyshohet se kanë qenë dy autorë, të cilët janë larguar me një motor. Janë ngritur pika kontrolli dhe po kontrollohet zona përreth, parkinge automjetesh, garazhe etj., ku dyshohet se mund të jetë parkuar motori me të cilin kanë lëvizur autorët. Gjithashtu janë sekuestruar pamjet filmike përreth vendit të ngjarjes dhe do sekuestrohen edhe pamjet filmike në të gjitha rrugët e mundshme ku mund të kenë lëvizur autorët. Janë shoqëruar disa dëshmitarë okularë në vendngjarje”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia ka sekuestruar edhe pamjet e kamerave të sigurisë së disa bizneseve të zonës. Po ashtu, janë marrë edhe deklarimet e më shumë se 10 dëshmitarëve. Policia po heton në pistën e hakmarrjes si dhe në pistën e konflikteve për shkak të borxheve të mundshme, apo përfshirjes së tij në aktivitete të paligjshme.
Sipas policisë, pista e parë lidhet me vrasjen e Dritan Avdylit në Shijak në vitin 1995. Avdyli u vra, pasi në bashkëpunim me persona të tjerë i kishin kërkuar një sasi madhe parash Hykës. Pas vrasjes së Avdylit, disa vite më vonë në rrugën e Qelqit, në ish- kombinat, për këtë ngjarje u vra i dyshuar Durim Kusi. Hyka prej shumë vitesh ishte një nga pronarët e fabrikës së tullave në Vorë, por u detyrua ta mbyllte për shkak të borxheve të shumta dhe problemeve të pagesave me punëtorët.

Kush është biznesmeni që iu bë atentat

Tefik Hyka, 55 vjeç, ish-pronar i fabrikës së tullave në Vorë, i cili u qëllua në një atentat pranë stadiumit “Dinamo”, është në luftë për jetën. Ai u qëllua nga një person me motor, i cili ka mundur të largohet.
Tefik Hyka, që në vitet e fundit kishte jetuar jashtë vendit kryesisht në Paris, në vitin 1995 u përfshi në vrasjen e të fortit të Shijakut, Dritan Avdyli, pas një gjobe që dyshohet se iu vu atij për fabrikën e tullave që privatizoi me Bono Thesari. Në atë kohë u përfol se një njeri i Hykës e futi në kurth Dritan Avdylin, i cili u ekzekutua nga Durim Kusi, një vrasës me pagesë.
Ekzekutimi do të sillte një zinxhir vrasjesh, mes të cilave edhe ajo e Durim Kusit, që u ekzekutua në Tiranë nga djali i xhaxhait të Dritan Avdylit. Tefik Hyka ishte personi që dyshohej se kishte porositur vrasjen, pas një gjobe që i kishte vënë atij, Dritan Avdyli.
Tofik Hyka ka pasur edhe një konflikt pronësie me vëllain e tij Sinan Hyka. Konkretisht më 14 qershor të vitit 2012, Sinan Hyka ka bërë padi civile në Gjykatën e Tiranës ndaj vëllait Tofik Hyka, duke kërkuar që të njihet si pronar i një toke me sipërfaqe 350 metër katror në fshatin Lalm të Tiranës.
Në padinë e civile, Gjykata e Tiranës vendosi që Sinan Hyka, vëllai i biznesmenit Tofik Hyka, të njihet si pronar i pjesës së tokës që i takon. Këtë vendim të vitit 2012, biznesmeni Tofik Hyka e ankimoi në Gjykatën e Apelit Tiranë. Në vitin 2014, edhe Gjykata e Apelit të Tiranës vendosi gjithashtu që Sinan Hyka të jetë pronar i tokës në fshatin Lalm të Tiranës, duke rrëzuar ankimimin e biznesmenit Tofik Hyka.

Plumba në gjoks ‘Mir vetllës’ në Shkodër

Një tjetër atentat ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, këtë radhë në Shkodër. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 21:30 në lagjen ‘Perash’ ku si pasojë e breshërisë së plumbave mbeti Ii plagosur një 42-vjeçar. Nga të dhënat paraprake mësohet se i plagosur ka mbetur Ilmir Hajdari, që rezulton person me precedent penal.
Burimet e policisë bëjnë të ditusr se, autorët kanë qenë në automjet kur kanë sulmuar Hajdarin, i cili njihet me nofkën ‘Mir vetlla’, e për pasojë ai ka marrë disa plumba në gjoks. Fill pas atentatit, autorët janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja.
Sakaq, sapo u njoftuan për ngjarjen, forca të shumta policore mbërritën në vendin ku ndodhi krimi, ndërsa nisën kërkimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Ndërkaq, nuk dihet ende se cila mund të jetë pista ku po heton policia lidhur me shkaqet e plagosjes.
“Më datë 28.06.2017, rreth orës 21:30 njoftohemi se ka të shtëna me armë në lagjen “Perash” në vendin e quajtur “Sheshi Isa Boletini”. Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje ku ka rezultuar se si pasojë e të shtënave ka mbetur i plagosur shtetasi I. H., 42 vjeç, banues në Perash, Shkodër, i cili është dërguar në Spitalin Rajonal Shkodrës dhe ndodhet në gjendje të rëndë për jetën. Janë ngritur pika të shumta kontrolli dhe po bëhet krehja e zonës për identifikimin dhe kapjen e autorit. Grupi hetimor në vendngjarje po punon për grumbullimin e provave ligjore duke bërë të mundur sqarimin e rrethanave të ngjarjes si dhe dokumentimin ligjor të saj”, thuhet në njoftimin e policisë.

Exit mobile version