Dy burgime të përjetshme për bandën e Admir Tafilit

Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi dënimin me dy burgime të përjetshme dhe 131 vite burg për 10 të pandehurit e akuzuar si pjesë e grupit kriminal që drejtoheshin nga Admir Tafili. Sipas Prokurorisë, ky grup që menaxhohej nga burgu ku vuante dënimin me burgim të përjetshëm Admir Tafili, merrte porosi dhe kryente edhe vrasje kundrejt pagesave të ndryshme. Për këto fakte, Prokuroria tha se, Tafili kishte rolin e organizatorit ç’ka Gjykata e Krimeve të Rënda duhet ta dënojë me burgim të përjetshëm. Pasi veç rolit të ndërmjetësuesit mes porositësit dhe vrasësit Tafili ka urdhëruar edhe vetë ekzekutimin e personave të ndryshëm.
Me burgim të përjetshëm Prokuroria kërkoi dënimin edhe të vrasësit Kristi Pine, por për shkak të pendesës dhe bashkëpunimit me sistemin e drejtësisë, Prokuroria kërkoi nga Gjykata që Pine të dënohet përfundimisht me 10 vite burg. Për të pandehurit Elson Merdani dhe Dritan Peksanin, Prokuroria kërkoi dënimin me nga 35 vite burg si ekzekutues. Po me këtë cilësim u kërkua të deklarohet fajtor edhe i pandehuri Albert Qefalia për të cilin Prokuroria kërkoi të dënohet me 27 vite burg. Ndërkohë me një dënim minimal, nga 5 deri 2 vjet burg Prokuroria kërkoi të dënohen të pandehurit Aleksandër Gore, Fatos Koka, Albano Beqiraj dhe Dhimitër Zito, të cilët kanë ndihmuar vrasësit për të gjetur armët, për të ruajtur ose vëzhguar personin që ishte porositur për ta ekzekutuar. Ndërsa për tre të pandehur të tjerë të kësaj dosje, Prokuroria ka veçuar dosjen për të vazhduar gjykimin veçmas nga të pandehurit e këtij procesi.
Sipas Prokurorisë, grupi kriminal që drejtohej nga Tafili ka kryer 1 vrasje, 1 tentim vrasje me pasojë plagosjen e personit që është tentuar të vritet dhe kanë marrë porosi dhe kanë organizuar për të kryer 3 vrasje të tjera, të cilat për shkak të arrestimit të të pandehurve fatmirësisht nuk u ekzekutuan personat, për të cilat ishte paguar vrasja. Avokatët dhe të pandehurit, pasi dëgjuan Prokurorinë i kërkuan Gjykatës së Krimeve të Rënda, kohë që të përgatisin mbrojtjen, kërkesë që u pranua nga togat e zeza që vendosën të shtyjnë seancën për 2 javë.

Artikulli paraprakGjendet i vrarë një person në Tiranë
Artikulli tjetërHumbin jetën dy persona në aksident në aksin Fier-Lushnjë