“Dy çetnikë mprihnin hanxharët”- Të mbijetuarit e luftës në Kosovë rrëfejnë ferrin e bandave serbe! Eksodi për në Shqipëri dhe si rrodhën ngjarjet pas bombardimeve të NATO-s

Kukës, më 25 mars 2024: Masakra e Godenit në Kosovë, fshat në kufi me Shqipërinë, pikërisht me Dobrunën e Hasit, është masakra e parë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarako-policore mbi ish-Jugosllavi.

 

Ndërkohë në të njëjtën ditë(25 mars) është edhe dita e parë e eksodit tragjik të mijërave shqiptarë të Kosovës, ku banorët e fshatit Goden të mbetur pas masakrës, u përzunë nga forcat paramilitare dhe ushtarako-policore për në Shqipëri duke vënë në zbatim operacionin “Patkoi” ideuar dhe projektuar nga Sllobodan Milosheviçi.

Raportimet e mediave ndërkombëtare kishin ngritur pretendimin, sipas të cilit qeveria austriake kishte paralajmëruar NATO-n përpara fillimit të bombardimeve se po përgatitej një ofensivë në shkallë të gjerë në Kosovë. Pretendimi u përsërit nga qeveria gjermane, e cila tha se operacioni ushtarak me titull “Patkoi” ishte një plan për të dëbuar shqiptarët nga Kosova dhe ishte projektuar gjashtë muaj përpara fillimit të luftës ajrore. Misioni Verifikues i OSBE-së u tërhoq nga Kosova më 20 mars, pak përpara se të fillonte bombardimi dhe të përkeqësohej situata. Bashkë me misionin e MVK-së u larguan edhe gazetarët e huaj që ishin të akredituar, duke mbetur në Kosovë vetëm gazetarët e vendeve aleate të Serbisë.

Largimi i misionit vëzhgues të OSBEsë, i gazetarëve dhe i veprimtarëve të ndihmës ndërkombëtare, jo vetëm e privuan Kosovën prej dëshmitarëve më të rëndësishëm, por i dhanë fund gjithashtu efektit të frenimit që provokonte prania e verifikuesve të OSBE-së dhe gazetarëve ndaj forcave qeveritare. Gazetarët e shumtë që po largoheshin nga Kosova, përmes Maqedonisë, shumica prej tyre tashmë po i drejtoheshin Shqipërisë në pritje të asaj se çfarë do të ndodhte. Edhe ato të paktë gazetarë të huaj më kurajozë që kishin mbetur u detyruan të largoheshin nga Kosova pas 24 marsit. Pa asnjë informacion lokal, civilët shqiptarë në Kosovë prisnin t’u ndodhte më e keqja. Në një përpjekje finale për të shmangur bombardimin, i dërguari special i Shteteve të Bashkuara Richard Holbrooke shkoi në Beograd për të takuar Milosheviçin dhe kërcënoi me goditje ajrore, nëse ai nuk nënshkruante marrëveshjen. Ai e la Beogradin duarbosh më 23 mars, dhe të nesërmen, goditjet ajrore të NATO-s filluan. Më 24 mars 1999, në orën 19:55, ndërsa avionët e NATO-s nisën fushatën e bombardimeve mbi Republikën Federale të Jugosllavisë, sytë e të gjithë botës u kthyen nga Kosova.

Fillimi i luftës ajrore kundër Jugosllavisë ishte gjithashtu fillimi i periudhës më të përgjakshme në Kosovë, qysh prej fundit të Luftës së Dytë Botërore. Ndërkohë, Sllobodan Milosheviçi kishte filluar tashmë të zbatonte në praktikë operacionin “Patkoi”. Nuk kanë kaluar më shumë se 16 orë nga bombardimet e NATOs dhe forcat serbe kanë kryer masakrën e parë në fshatin Goden në kufi me Shqipërinë, më 25 mars duke vrarë 20 burra të këtij fshati dhe duke përzënë për në Shqipëri banorët e tjerë të fshatit, të cilit më pas i kanë vënë flakën. Në të njejten ditë, kanë plagosur me snajper komandantin e Postës Kufitare të Dobrunës në Shqipëri, Emerli Nezën, në kufi me Kosoven, pikërisht me fshatin Goden ku u realizua masakra. Lufta tashmë kishte filluar dhe në një farë mënyre kishte implikuar edhe Shqipërinë, sidomos zonën kufitare me Kosoven.

E ENJTE 25 MARS 1999 FILLON EKSODI I SHQIPTARËVE TË KOSOVËS PAS BOMBARDIMEVE TË NATO-S

Të mbijetuarit rrëfejnë ferrin e bandave kriminale të ushtrisë serbe. “Na rrethuan të gjithë fshatin. Burrat i ndanë veç nga gratë dhe i larguan. Dy çetnikë mprehnin hanxharët dhe thoshin se me to do të na thernin. Grave u shqyenin veshët duke u marrë vëthët, u këputën gishtat për t’u marrë unazat, i keqtrajtuan, i zhveshën… Na dërguan në një buzë përroi dhe na thoshin: ‘Ja, këtu do ju vrasim’, pastaj na vinin në një tjetër vend: ‘Ja do ju vrasim këtu’… Pastaj dëgjuam krisma. Në një përrua vranë 22 burrat që i ndanë në fillim prej grave dhe pjesës tjetër të fshatit. Nuk ngopeshin duke vrarë e duke na masakruar. Po të mos ishte një oficer kroat, që bëri kryqin para nesh dhe na tha se kishte një grua me dy fëmijë, ushtarët serbë do të na kishin vrarë të gjithëve.

Ata kënaqeshin duke na vënë hanxharët në grykë… Fshati Goden nuk është më. Burrat u vranë, ndërsa gratë janë në Shqipëri. Të gjitha shtëpitë u dogjën, bashkë me to u dogjën të gjalla edhe bagëtitë. Më parë grabitën televizorë, frigoriferë e çfarë plaçkash u hynin në punë. Pastaj kënaqeshin duke u vënë zjarrin shtëpive në sytë tanë…”

Një ditë pas masakrës në fshatin Goden të Gjakovës, ku serbët pushkatuan 22 shqiptarë dhe përzunë për në Shqipëri të gjithë banorët e tjerë të këtij fshati, ne jemi ndodhur në shtëpinë e Dylber Gecës, në Krumë të Hasit, ku ishin strehuar 20 refugjatë nga fshati Goden. Ishte e pamundur të intervistoje ndonjërin prej tyre, pasi ata vetëm qanin e vajtonin për njerëzit e tyre të vrarë. Në mes të lotëve, mundëm të intervistonim të vetmin burrë që kishte mbetur gjallë nga fisi Feraj, Hajdar Ferajn, i cili, i mbytur në lot, pranoi të fliste për masakrën e Godenit.

Në Shqipëri janë informuar për një masakër në fshatin Goden. Çfarë ka ndodhur në të vërtetë në fshatin tuaj?

Ditën e enjte në mëngjes, të gjithë banorët e fshatit Goden dhe pikërisht të lagjeve Feraj, Morina dhe Osmanaj, kishin shkuar për një ngushëllim vdekjeje, te një bashkëfshatari ynë. Aty rreth orës 1000 forcat serbe, të cilat janë të dislokuara prej kohësh në këtë fshat, na kanë rrethuar. Në atë moment kam njoftuar komshinjtë se na kanë rrethuar ushtarët serbë të postës së Godenit.

Çfarë ndodhi në ato momente?

Në ato momente ishte ora 1000 paradite ku serbët janë futur nëpër shtëpitë tona dhe kanë marrë 22 burra, afërsisht nga një për çdo shtëpi, nga fiset Feraj, Morina dhe Osmanaj, e i kanë ndarë veçmas. Një togë e ushtarëve serbë i ka marrë me vete duke i çuar në një përrua afër fshatit, ndërsa të tjerët i kanë nxjerrë jashtë nga shtëpitë, ndërkohë që çetnikët e maskuar me maska të zeza kanë shqyer dyer e dritare, duke plaçkitur çfarë kishte nëpër shtëpitë tona si, televizorë, frigoriferë, magnetofonë, divanë e kolltukë, si edhe traktorët që kishim nëpër oborre. Pasi kanë bastisur të gjitha shtëpitë tona, atyre u është vënë flaka duke djegur edhe bagëtinë brenda. Ndërkohë ne na rreshtuan në oborrin e shkollës dhe asaj i vunë zjarrin. Në ato momente, fëmijët kanë filluar të qajnë me të madhe, pasi u dhimbsej shkolla, ku ata kishin bërë mësim. Aty na kanë mbajtur për rreth dy orë dhe nga momenti në moment prisnim të na pushkatonin. Një çetnik serb mprihte dy hanxharë, duke deklaruar se do të na thernin të gjithëve. Gratë dhe fëmijët filluan të ulërinin me të madhe.

A komunikonin ushtarët serbë me ju dhe çfarë ju thoshin?

Po. Ata na shanin herë pas here në gjuhën e tyre dhe na kërcënonin duke na thënë se “do t’ju vrasim të gjithëve, se jeni baza të terrorizmit dhe i përkrahni ata. Le të vijë t’ju shpëtojë NATOja. Ikni në Shqipëri, se kjo është tokë serbe. O shkoni atje, o ju vramë”. Ndërkohë ushtarakë të ndryshëm ndërronin mendje herë pas here duke na çuar në vende të ndryshme afër përrenjve për të na pushkatuar. Por fati ynë që jemi ende gjallë është një ushtarak me origjinë kroate, i cili deklaroi para nesh se kishte edhe ai grua dhe dy fëmijë. Pasi bëri kryqin para nesh, mori përsipër të na përcjellë deri në kufirin shqiptar. Në atë moment kemi marrë frymë të lehtësuar, por përsëri i ndanë burrat nga gratë për rreth dy orë. Pas dy orësh, ushtarët serbë kanë thirrur pleqtë, të cilët kanë shoqëruar gratë për t’u bashkuar me ne dhe na kanë dërguar në kufi, në një pyll në afërsi të fshatit Dobrunë, ku na kanë mbajtur për 4 orë rresht, të rrethuar. Gjatë kësaj kohe kanë filluar të plaçkisin gratë duke u marrë atyre orët e dorës, varëset, unazat dhe vathët. Ç’nuk u bënë në sytë tanë, na vjen rëndë edhe t’i përmendim. Shumë prej tyre u kanë shqyer edhe veshët. Në kohën që ne ishim të rrethuar në pyll, kufi me Shqipërinë, dëgjuam breshëri krismash në përroin e fshatit. Më pas morëm vesh se kishin pushkatuar të 22 burrat që i ndanë veçmas në fillim, kur na nxorën nga fshati.

Çfarë ndodhi pastaj me ju?

Telashet nuk kishin të sosur. Përsëri deshën të na pushkatonin, pasi një ushtar serb kishte gjetur në shtëpinë e Gëzim Ferajt një shqiponjë. Ushtari serb e kishte vënë atë në gjoks dhe na u drejtua ne, duke na pyetur: “Çfarë do shqiponja në tokën serbe?” dhe na drejtoi mitralozin e lehtë që mbante në krah. Atëherë sërish ka ndërhyrë oficeri që kishte dhënë besën dhe kështu shpëtuam, ndërkohë që babain e Gëzimit e rrahën shtazërisht dhe tani ai ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Kukësit. Pastaj na kanë rreshtuar për një dhe na kanë nxjerrë në Shqipëri, duke kontrolluar përsëri gratë për unaza, ora dhe sende të tjera”.

A ka pasur raste të tjera vrasjesh apo djegiesh në fshatin tuaj?

Në shtator të vitit të kaluar(1998) fshati ynë është bombarduar, ndërsa plaçkitjet e keqtrajtimet nga ana e ushtrisë serbe në këtë fshat kanë qenë të vazhdueshme, pasi në këtë rajon gjenden forcat çetnike të Arkanit.

Çfarë bëhet sot në fshatin Goden?

Fshati Goden nuk ekziston më. Ai është djegur i tëri. 22 burra janë vrarë dhe 176 banorë të tij gjenden në Shqipëri. Ja emrat e të pushkatuarve: Sali Osmanaj, Ali Feraj drejtor i shkollës, Metush Morina, Neshat Feraj, Bedri Osmanaj, Myftar Osmanaj, Faik Osmanaj, Ramë Feraj, Islam Morina, Vesel Morina, Jonuz Morina, Mehmet Osmanaj, Bashkim Osmanaj, Binak Morina, Shaban Feraj, ndërsa 6 persona të tjerë janë të paidentifikuar, pasi ishin masakruar nga forcat çetnike dhe nuk njiheshin.

Artikulli paraprakI arrestuar për tjetërsim pronash, GJKKO lë në burg Jorgo Goron, ja masa për Bilbil Aliajn dhe Vezir Gjikokën
Artikulli tjetërKryetari i PD, Lulzim Basha, takim me Mireille Clapot, nënkryetare e Komisionit për Punët e Jashtme të parlamentit francez: Kërkova mbështetjen e Francës për anëtarësimin sa më parë të Kosovës në Këshillin e Europës