Dy zyrtarë amerikanë që po udhëtonin me pasaporta diplomatike janë droguar teksa kanë marrë pjesë në një konferencë, vitin e kaluar, në Rusi.
Njëri prej tyre madje është hospitalizuar, për siç erdhën në përfundim zyrtarët, të kishte qenë pjesë e një sjelljeje të ngacmimit të Rusisë ndaj diplomatëve amerikanë, e cila po përshkallëzohet.
Incidenti ka ndodhur në një bar ose në hotelin ku diplomatët amerikanë po qëndronin, pasi ishin duke marrë pjesë në një konferencë të Kombeve të Bashkuara kundër korrupsionit, që u mbajt në nëntor në Shën Petërsburg.
Kjo gjë ka ngritur shqetësimin e Departamentit amerikan të Shtetit, që ka shprehur indinjatën në Moskë, thonë zyrtarët e qeverisë amerikane, të cilët kanë njohuri për këtë ngjarje.
Por ngjarja nuk ishte dramatike deri në qershor, kur një diplomat i akredituar i SHBA-së, u ndalua para ambasadës amerikane në Moskë, të cilin zyrtarët në Uashington e ekzaminuan dhe konstatuan se ishte droguar në nëntor dhe arritën në përfundim që kjo ishte pjesë e një modeli të caktuar.
Departamenti i Shtetit ka sugjeruar se ngacmime të tilla janë shndërruar në shqetësim në dy vitet e fundit.
Sipas zyrtarëve të qeverisë së SHBA-së edhe një tjetër ish-zyrtar ka pasur njohuri për rastin e drogimit të diplomatëve, të cilët ishin pjesë e delegacionit të SHBA-së, që po merrnin pjesë në konferencën kundër korrupsionit që u mbajt më 2-6 nëntor në Rusi.
Kjo ishte konferenca e parë zyrtare në të cilën Moska ua lejoi pjesëmarrjen përfaqësuesve të qeverisë amerikane, pasi SHBA, Bashkimi Evropian dhe aleatët vendosën sanksione kundër Rusisë për shkak të aneksimit të Krimesë më 2014.
Sipas listës së pjesëmarrësve, në konferencë kanë marrë pjesë njerëz nga e gjithë bota, përfshirë edhe 21 persona nga byro të ndryshme brenda Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së dhe po ashtu disa amerikanë të tjerë, përfshirë akademikë dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar me disa persona nga organizatat joqeveritare që kanë qenë të pranishëm në këtë konferencë, por ata kanë thënë se nuk kanë qenë në dijeni për këtë incident.
Një zyrtar i qeverisë amerikane i ka thënë Radios Evropa e Lirë se hetuesit amerikanë kanë ardhur në përfundimin se dy amerikanëve – një burri dhe një gruaje – iu është hedhur në pije një lloj droge që përdoret për raste të përdhunimit, në ndonjë bar në Shën Petërsburg ose në hotelin ku po qëndronin.
Njëri nga amerikanët ishte dërguar në një klinikë për trajtim dhe i ishin marrë mostra të gjakut në mënyrë që të përcaktohej se nga çfarë vuante, por në spitalin ku ai po qëndronte gjatë ekzaminimit papritur kishte pasur ndërprerje të energjisë elektrike dhe stafi mjekësor nuk kishte mundur të analizonte mostrat e marra, ka thënë një zyrtar.
Më pas ky person ishte dërguar jashtë vendit për trajtim mjekësor, por mostrat nuk kishin mundur të merreshin dhe të analizoheshin pasi ishte shumë vonë.
Për shkak se zyrtarët që kishin marrë pjesë në këtë konferencë nuk ishin zyrtarë të lartë të Departamentit të Drejtësisë, Departamenti i Shtetit kishte vendosur që lidhur me këtë rast të protestonte kundër Moskës qetësisht.
Një notë proteste i ishte dërguar Moskës, por zyrtarët rusë kanë kërkuar të dhëna konkrete që dëshmojnë se zyrtarët janë droguar. Amerikanët nuk kanë mundur të ofrojnë prova të tilla.
Në fund, zyrtarët e SHBA-së kanë thënë se përgjigjja që iu kanë dhënë zyrtarët rusë hetuesve lidhur me këtë incident ishte se, “pa të dhëna të tjera, nuk mund të bëhet më shumë”.
Ambasada ruse nuk i është përgjigjur Radios Evropa e Lirë për të komentuar këtë ngjarje.
Incidentet e drogimit të të huajve nëpër baret në Rusi nuk janë të pazakonta dhe ato shpesh bëhen me qëllim të grabitjes. Departamenti i Shtetit ka udhëzues specifik për qytetarët amerikanë lidhur me rrezikun me të cilin mund të ballafaqohen nëpër baret në Rusi.
Por, rasti i dy zyrtarëve amerikanë nuk është i ngjashëm me këto incidente tipike, pasi ato zakonisht ndodhin nëpër klube të natës dhe bare që frekuentohen shumë.
Zyrtarët amerikanë nuk ishin bashkë në kohën kur janë droguar. Po ashtu nuk ka indikacione se ata kanë qenë viktima të grabitjes, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, zyrtari i qeverisë amerikane.