Dy ditë e dy net, të pa harrueshme e të pamjaftueshme në Pejë

Nga Zef Ndreka 

Me dhjetra herë kisha kaluar rrugës për në Prishtinë dhe Pejën e bukur e kisha lënë anash vetëm duke parë tabelat në autostradë, pa e parë e pa e “prekur” nga afër, megjithëse kisha lexuar shumë e kisha dëgjuar për të e historitë e saj.

Rrugën për në Pejë e mora me mikun tim Berat Boja nga pyjet e Malit të Zi dhe zbritëm nga afër Grykës së Rugovës nga vendi që pejanët e quajnë Kulla. Kulla, ajo zonë historikisht shqiptare, nga e cila janë dhuruar 1800 ha Malit të Zi. E megjithatë, banorët e zonës nuk e quajnë vetën malëzez!
Pas një pushimi nga rruga e gjatë, mëngjesin e nisem me kafe tek hotel Dukagjini, tek njeriu i mirë, bisnesmeni i suksesshëm i Pejës e më pas shëtitje në qytet, në rrugët karakteristike të pazareve të vjetra, në shëtitoret moderne të qytetit shumë të gjelbëruar të saj.

Peja, ka shumë për të të ofruar si vizitor. Parqet e mëdha brënda qytetit, pyjet e pa fundme që e ushqejnë me oksigjen atë, klima e rrallë dhe e shëndetshme, qyteti i pastër e i rregullt me infrastruktur moderne, lagje historike të pandryshueshme, qytet, që rritet natyrshëm dhe me plan urbanistik të studiuar që zgjerohet fushave përreth.

Peja, të ofron bukuri që nuk i fsheh. Të ofron historitë dhe krenaritë e saj, pa shumë bujë, por plot krenari.
Pejanët në çdo kohë kanë qëndruar e kanë luftuar. I kanë rezistuar e dëbuar serbët, po ashtu janë djegur e masakruar prej urrejtjes së tyre, prej ushtrive militare të Millosheviçit.
Në Pejë tashmë jetohet.

Qyteti, në çdo lulishte, në çdo cep të saj është i mbushur me bustet e luftetarëve, të drejtuesve, të politikanëve që kanë dhënë jetën për vatan.
Në qendrën e qytetit të bie menjëherë në sy një monument gjigand i Heroit Adrian Krasniqi, trimit pejan i vrarë nga serbët në moshën 25 vjeçare.

Po ashtu, në lulishtet pranë kafeneve e lokaleve janë përjetësuar të tjerë luftetarë, trima e atdhedashës. Busti i Heroit të Kombit Enver Hadri me nënshkrimin e vargut brilant të Ali Podrimes: ” Kosova, gjaku ynë që nuk falet”.

Më tej busti i Akademikut, Prof.Dr. Ali Hadri me nënshkrimin patriotik: “Aspak nuk do të shqetësohem nëse do bëhet viktimë e sadizmit politik, sepse në këtë mënyrë do të ndaj fatin tragjik të popullit tim”.
Diku më tej, një tjetër monument kushtuar Heroit të Kombit, Gjeneralit Shkëlzen Haradinaj, i rënë në 1999 në betejë për çlirimin e Kosovës.

Por, në qytet nuk mungojnë edhe përsonalitete me të hershme si ai i trimit patriot Haxhi Zeka, i rënë në vitin 1902.

Qyteti ka lëvizje, galleria, edhe pse i ftohtit e ka mbuluar atë.

Qytetin e përshkon përmes lumi Lumbardh që buron nga bjeshkët e Rugovës, ku rritet trofta e egër, e rrallë.
Qytetarët e dashur, të qetë e të edukuar të binin në sy kudo.

Por edhe bisnesmenët aty nuk është se janë të pakënaqur. Ka rregulla dhe bisnesi e tregu është më i rregulluar se në Shqipëri.

Pakënaqësia ndjehej vetëm tek proçeset e asocionit, tek nënshkrimet e kryeministrave të Kosovës nga viti 2013 e më pas për ndarjen e territoreve të Kosovës në favor të Serbisë dhe Malit të Zi. Kjo ndjesi është vrastare, është realisht goditje kombëtare, e pakuptimtë dhe tradhtare.

Takuam e biseduam me shumë miq atje. Historitë e luftës janë ngjarje që kurrë nuk i harrojnë.
Por, një takim dhe bisedë e veçantë, e dashur dhe e bukur ishte më një të moshuar 93 vjeçarë që ngjitej çdo ditë në malet e Rugovës duke qëndruar i fortë, elegant, energjik.
Kishte punuar 40 vjet mësues i gjuhës shqipe. Kishte mbi 30 vite në pension.

Pasioni i tij për malin, për fushën, për lulet, për pyjet, për fluturat e mbanin gjallë. Një përsonazh i gjallë që të mëson shumë.

Për të fituar në kohë dhe për të marrë më tepër informacion, u drejtuam nga Muzeu i qytetit, një institucion kulturor që të prezanton trashëgiminë e Pejës, të luftës nacionaliste çlirimtare të luftës së dytë botërore. Po ashtu, Muzeu i Pejës ruan dhe promovon trashëgimitë materiale dhe shpirtërore të rajonit.

Muzeu i Pejës është krejtësisht i veçantë në mjediset e “Konakut të Tahir Beut”.
Ky muze, të ofron edhe shumë zbulime në sektorin e arkeologjisë dhe historisë.

Ky muze të ofron rreth 2000 objekte muzeore, eksponate etnologjike, arkeologjike dhe dokumente historike. Të gjitha këto, prezantojnë trashëgiminë e pasur dhe të larmishme kulturore, materiale dhe shpirtërore të Rrafshit të Dukagjinit.

FB IMG 1700574156747

Exit mobile version