DY FJALË PËR PARANDALIMIN E KRIMIT TË RADHËS

Dr. Edvin Cami*
Tashmë është e dukshme: Krimi në shkolla lind, kultivohet e ushqehet në biseda nëpër grupe chat-i e në rrjete sociale. Edhe pasi krimi ka ndodhur, promovimi i ngjarjes vijon në të njëjtat kanale që mbërrijnë te nxënësit e çdo moshe nëpërmjet celularit dhe Internetit.
Dhe jo vetëm krimi, por pjesa më e madhe e dukurive negative që vërejmë sot mes fëmijëve dhe adoleshentëve, përfshirë çdo formë të agresivitetit apo të fobisë nga libri dhe nga “dija klasike”, ushqehen e rriten në po këtë rrugë.
Në disa vende që u përpoqën që përmbajtjet e librave shkollorë t’i kalojnë në kompjuter e në celular dhe ta orientojnë nxënësin te përdorimi i pavarur i teknologjisë në mësim, dështimi është spektakolar, ndaj dhe ka nisur rikthimi te “letra” dhe te libri i shtypur.
Nëse ka ndonjë që dëgjon a lexon, këshilla ime për çdo mësues është që të mos hedhin më përmbajtje mësimore dhe detyra shtëpie në platforma virtuale, as të mos kërkojnë “projekte” që nxënësit i përgatisin në mënyrë “të pavarur” në shtëpi duke kopjuar nga Wikipedia dhe ChatGTP, por t’i orientojnë nxënësit sërish te libri dhe fletorja.
Mirë do të ishte që shkolla të ishte e pajisur vetë me teknologji si tabela ndëraktive dhe interneti në çdo klasë, në mënyrë që mësuesi të mund t’i orientonte nxënësit me to në mjedisin e shkollës, por jo jashtë saj.
Ndërsa këshilla im për prindërit është që të mos i pajisin fëmijët dhe adoleshentët me celularë, por t’ua kufizojnë përdorimin e Internetit vetëm në kompjuterët personalë të të rriturve dhe nën vëzhgimin e tyre.
Nëse prindërit (sidomos nënat) mendojnë se celulari do të jetë i dobishëm për të “ndjekur” e mbajtur “nën kontrtoll” fëmijët kur janë jashtë shtëpisë, e kanë gabim. Në të vërtetë, një adoleshent/e me celular në xhep mundet ta “ndjekë” e mbajë nën “kontroll” gjithkush tjetër përveç prindit.
Shkurt, shkolla dhe familja duhet të bashkëpunojnë për të mbajtur fëmijët dhe adoleshentët larg celularit dhe për të kufizuar kohën e angazhimit të tyre me internetin. Këtu duhet të nisë rruga për të parandaluar (jo vetëm) krimin e radhës.
* Dr. Edvin Cami është didakt dhe pedagog i gjuhës gjermane në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Tiranë.
Exit mobile version