Dy histori të miat me Genc Lekën e Vilson Blloshmin

Rudolf Marku

1.
Para disa ditësh u kujtua dita e vrasjes së dy poetëve, Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, një ndër krimet më të shëmtuar të sistemit komunist shqiptar. Ju lutem, më lejoni t’ju sjellë dy  kujtime të miat personale, një i vitit 1994 dhe tjetri i vitit 2012…Janë kujtime thjesht personale, që nuk sjellin asgjë të re në dokumentacionin e jetës, e të ekzekutimit të dy poetëve fatkeqe, por që prapë lidhen me një rastësi të çuditshme, me fatin e tyre…

Poeti Sadik Bejko ka bërë një punë të jashtëzakonshme për të zbuluar të vërteten e jetës dhe vrasjes së  tyre, duke botuar dy vëllime me dokumentacione arkivore, dhe duke sjellë shembullin se si një poet i gjallë përkujdeset për dy kolegë, të  ekzekutuar në mënyrën më barbare, jo në vitin 1941 – 1942 apo 1943, por në vitin 1977; dhe jo të ekzekutuar  nga pushtuesit fashist a nazistë a nga bandat fashisto-monarkiste greke a bandat jugosllave, por nga bashkatdhetarët e vet të nderuar, që sot e kësaj dite janë shëndosh e mirë, madje duke gjalluar nëpër kryesira të partive të lavdishme të demokracisë Perëndimore. Ironikisht, të asaj demokracie,  simpatia për të cilën shërbeu dhe si pretekst  për të  ekzekutuar  dy poetët e pafajshëm.

…Viti 1994, nëse nuk gaboj.  Së bashku me Pjetër Arbërorin, Sadik Bejkon, Uran  Butken dhe ca miq të tjerë u patëm ftuar në Librazhd për të marrë pjesë në varrosjen e eshtrave të Genc Lekes dhe Vilson Blloshmit. Pasi patëm parë vendin e ekzekutimit të dy poetëve fatkeqe, një prozhmë e vetmuar pylli, buzë një përroi të tharë, një yrt ndjellakeqes, dhe pas një ceremonie përkujtimore në Shtëpinë e Kulturës së qytetit,  u drejtuam për në varreza, duke mbajtur mbi supe peshën e dy arkivoleve, me ato pak eshtra të mbetura.

Ishte kortezhi më i zymtë që kam parë në jetën time…Arkivolet qenë të lehtë, ngaqë ishin pothuajse bosh, e prapë rëndonin aq shumë, sa pesha e krimit që kishte marrë jetën e dy poetëve të pafajshëm. Një krim bërtitës, barbar, i shëmtuar, hakërrimi i injorancës kundër kulturës, i shtazërisë kundër butësisë njerëzore të poezisë, i shëmtimit të përjetshëm kundër bukurisë së shpirtit…

Kur ja, tek po ecnim në një rrugë mes qytezës së shkretë e  të zymtë, qe quhet Librazhd, papritur dëgjojmë një zë  të shqiptuar me tërë forcën e gurmazit,  si sfidë, : Mirë ja u kemi bërë!…Kthejmë kokën, dhe shohim se këto fjalë janë shqiptuar nga një njeri me një pamje groteske, me një shprehje ligësish të provincave të thella, i tharë, i rrudhur keqas, me një kapele leniniste, një lloj shapkë bolshevike,  ulur në një parvaz vitrinash të një dyqani të boshatisur…

Menjëherë më shkoi ndërmend Ferri i Dantes, klithmat nga gropat tërë gjarpërinj dhe merimanga, klithmat e ligësisë njerëzore, që herë artikulohen si pasione politike, herë si artikuj gazetash,-aq të pranishme në jetën e përditshme shqiptare- herë si sulme kundërshtarësh dhe herë si dëshira shqyerjesh…Për Kolakowskin, barbaria totalitare, në përgjithësi ( mendojeni vetë se ç ‘mund të themi pastaj  për ligësinë totalitare të markës shqiptare), mbetet dhe shprehja e prezencës së Djallit në Histori. Çfarë kemi bërë për ta përzënë Djallin nga Historia jonë? – pyet ai, edhe për ne të gjithë.

Më duket se kemi bërë të kundërtën: kemi bërë çmosin për ta joshur që të qëndrojë mes nesh! Po të ishim vërtetë një shoqëri e qytetëruar, kur vjen puna tek dënimi i krimeve të së kaluarës, mendoj se të gjithë ne duhej të ishim përtej pikëpamjeve të majta a të djathta, përtej pozicionimeve partiake, sepse normalisht si qenie njerëzore duhej të kishim përqafuar atë ide të kahershme të Adam Miçnikut që thoshte, se, jeta më ka mësuar  po qe se dikush është duke u fishkëlluar nga një kamxhik dhe se dikush tjetër është duke fishkëlluar dikë me kamxhik, gjithmonë jam në anën e tij që është duke u fishkëlluar nga kamxhiku…Por jo në Shqipëri…

Më ka mbetur në kujtesë  ajo britmë e atij njeriu me kasketë- Mirë ua kemi bërë! –thënë si një sfidë triumfuese. Qënia që tha këto fjalë ishte një qenie e mjerë, e rrënuar, me rrudha që nuk vinin veç nga pleqëria-qenë rrudha ligësie, ca brazda ku ka pikuar ligësia e panevojshme njerëzore dekada me rradhe…Qenë fjalë të artikuluara nga një njeri me siguri i përbuzur nga e gruaja e vet dhe nga fëmjët e vet…Të urresh edhe në ceremoninë e varrimit, aq më tepër në ceremoninë e varrimit të dy poetëve të pafajshëm?. Mos është kjo skenë një simbol i  trishtë i Shqipërisë tonë?

Nuk dua ta besoj. Por ja që fytyra tërë rrudha me një kasketë groteske leniniste në kokë, më thotë se është më mirë që unë vetë duhet të besojë te simblolet. Sepse mençuria njerëzore qenka në proporcion të drejtë me aftësinë tonë që kemi (a nuk kemi) që të mund të dëshirojmë simbolet që na rrethojnë në çdo hap….E qe vetëm presin nga ne qe t’i nxjerrim nga kutia magjike ku janë vendosur.

2.

Është viti 2014. Jam në Tiranë, në Panairin e Librit, kur një vajzë më thërret që nga Stendat e Librit – Dikush ka lënë një libër për ty. Ka pritur të paktën nja 4 orë të mira që të takoheshit.

Më dha librin. Më erdhi aq keq që isha bërë shkaktar që një njeri kishte pritur gjatë në një ambient të rrëmujshëm e tërë zhurmë, si ai i një Panairi.  Me siguri libri qe shkruar nga personi i panjohur që kishte dashur të takoheshim. E mora atë libër me kujdes dhe lexova titullin dhe emrin e autorit: “Ngadhënjimi i Shpirtit- Poetët martirë”. Autori-Nazmi Seitaj. Shtëpia Botuese-Globus R.

Eshtë një libër kujtimesh kushtuar poetëve martirë Genc Leka dhe Vilson Blloshmi. Shkruar nga një mik intim i tyre.  Fillova të shfletojë librin, kur shoh një pusullë letre të shkruar me shkrim dore dhe të lënë mes faqeve të librit: “ …Dëshiroj që t’iu dhurojë këtë libër. Arsyen do ta gjeni në faqen 102. Përshëndetje Nazmi Seitaj”.
Përnjëherë shkove te faqja 102 të cilën po e riprodhojë këtu:

“…Genci erdhi nga Qukësi me një gazetë në dorë dhe  na gjeti aty te shkëmbi në rrafshinë. Nuk më kujtohet nëse ajo ishte gazeta ‘’Drita’’ apo ‘’Zëri i  Rinisë,, por mbaj mënd se Genci  ishte befasuar nga një tregim i Rudolf Markut, që rrëfente për dashurinë fatkeqe të poetit arbëresh, Zef Serembe.

Tregimin e lexoi Genci. Ne herëpashere e ndërprisnim dhe komentonim ato fragmente të tregimit që na linin mbresa.

Nuk më harrohen se si i përsëriste Genci fjalët e Serembes, kur dikush i thotë atij në çastin që kishte qëndruar mbi varrin e vajzës në dheun e largët të Brazilit: ‘’Sa shumë që ju ka dashur’’.

“nuk më ka dashur kurrë”,- ia ktheu Serembe i pikëlluar-ajo s’më ka dashur kurrë!’’…..
Lexuesi i këtyre kujtimeve nuk e merr me mend se sa dashamirës ishin këta poetë për ata krijues që shkruanin me aq dashamirësi,  e lirizëm për jetën dhe njeriun. Ata nuk kanë qene kurrë ziliqarë. Ndienin kënaqësi kur lexonin krijime, të cilat qëndronin larg skematizmit vulgar dhe politik; Rudolf Marku, ky moshatar i Vilson Bloshmit, e ky krijues nga Lezha e largët, i mrekulloi këta poetë, paçka se atyre nuk u lejohej të botonin. Le të botonin të tjerët, për ato çka ndjenin ata në zemrat e tyre…”.

3.
Tregimin e sipër përmendur e kam shkruar dhe botuar në moshën 20 vjeçare. Në librin e Sadik Bejkos për dy poetët e vrarë lexojë se, ca ditë më vonë nga ajo ditë që rrëfen Nazmi Seitaj, Genci i ka shkruar një letër Vilsonit rreth tregimit për Zef Seremben, me entuziazmin dhe dashamirësinë karakteristike të një poeti të talentuar e të kulturuar. Letra ndodhet në dosjet e dy poetëve (shih librin për Genc Lekën dhe Vilson Blloshmin- përgaditur me parathënie të I.Kadaresë  dhe pasthënie nga Sadik Bejko).

Nuk e kisha ditur më parë se kisha qenë, qoftë dhe për një ditë të vetme, në kujtesën e këtyre dy poetëve. Nuk e kam ditur as atë ditë kur shkova në Librazhd në ceremoninë e varrimit të eshtrave të tyre të gjetura në një rrëpirë mali, buzë një përroi. Nuk e kisha ditur për vite me radhë.

Vilsoni dhe Genci me siguri kanë përmendur me dashuri sa e sa shkrimtarë të tjerë bashkëkohor shqiptar, moshatarë të tyret apo dhe më të mëdhenj nga mosha. Përmendja e emrit tim është thjesht një koincidence fatlume, nga ato koincidencat që vijnë nga shkëndijat hyjnore. Por ajo që më prek në gjithë këtë histori, është dashamirësia e jashtëzakonshme e këtyre dy poetëve që jetonin në një provincë të humbur e të izoluar, të vëzhguar e të kërcënuar në çdo hap të jetës së tyre.

E prapë të përshkuar me një dritë të brendshme kulture. Me dritën e shpirtit njerëzor! Në kontrast me agresivitetin e shumë njerëzve sot- me atë  agresivitetin e njeriut dhe shpesh herë me agresivitetin e krijuesve mediokër që jetojnë atë liri që u jep atyre të drejtën të shpifin, të shajnë, të përdhosin, të përgojojnë kolegët e tyre me përjargie zilish vrastare, apo dhe me atë vrasjen me armës me silenciator-vrasjen me ane te heshtjes. Ja, kjo më shtyu t’i shkruajë këto rreshta jo aq mikluese për lexuesin delikat të sotëm…/Gazeta Liberale

 

Exit mobile version