Dy interesat mafioze të qeverisë

Gerti BOGDANI

Më lejoni që ta filloj këtë fjalim, duke cituar një rilindas, nga këta fallcot e sotëm, jo nga ata të ndriturit e historisë sonë! Citoj:
“Sot ne kemi një vendim sa të domosdoshëm aq edhe të rëndësishëm për nga pikëpamja e qasjes së zgjidhjeve mjedisore. Ky vendim përbën një lajm të mirë se ne po lëvizim në drejtimin e duhur. Sot të ndalosh importin e plehrave në Shqipëri nuk do të thotë thjesht dhe vetëm të pengosh ardhjen e tyre nga jashtë, por, përpara së gjithash, të ndryshosh mënyrën e të parit dhe të menduarit për mbetjet në Shqipëri.
E pra, me këtë vendim qeveria po dëshmon se mbetjet kërkon t’i konsiderojë jo më një problem, por një mundësi; t’i konsiderojë mbeturinat e brendshme një oportunitet, që duhen shfrytëzuar dhe jo një realitet që duhet mohuar, siç ka ndodhur deri tani.
Sot ne kemi një industri riciklimi në Shqipëri, por jemi të bindur se, nëse do t’i krijohen kushtet, industria do të kishte nevojë për t’u pesëfishuar apo dhjetëfishuar, për të përpunuar lëndën e parë vetëm nga Shqipëria”.
Ky fragment është marrë nga fjalim i tre viteve më parë në këtë foltore i rilindasit Shalsi.
Fjalime të tilla të ngjashme nga ajo ditë ka shumë, por ky vlente të veçohej, sepse është pikërisht deputeti Shalsi, i cili sjell sot për votim një nisëm ligjore për lejimin e importit të plehrave në Shqipëri.
Kjo që ka ndodhur nuk është metamorfoza e një individi që nga deputet e rrjedhimisht avokat i të drejtave të votuesve të vet, shndërrohet në zëdhënës të mafies së plehrave; që nga deputet në shërbim të qytetarëve, shndërrohet në shërbëtor të mafies së plehrave.
Jo! Nuk është metamorfozë! Eshtë thjeshtë heqje e maskës së gënjeshtrës Rilindje!
Dhe gënjeshtra do të vazhdojë të thotë edhe sot, kur të përpiqet të mbrojë e të argumentojë këtë fatkeqësi ligjore që i hap rrugën importit të plehrave në Shqipëri.
Do të përpiqet të argumentojë që është ligj më i mirë se ai që rrëzoi në vitin 2013.
Por, nëse ligji i mëparshëm lejonte vetëm importin e 45 mbetjeve të miratuara në listën e gjelbërt, ky ligj i sotëm i kësaj qeverie, i hap rrugë pa kufi jo thjeshtë mbetjeve të riciklueshme, por edhe mbetjeve toksike e atyre spitalore!
Do të thotë që importi i plehrave do të ndihmojë industrinë e përpunimit dhe biznesin vendas.
Por jo vetëm që nuk e kishte këtë shqetësim tre vite më parë, përkundrazi, sipas INSTAT në Shqipëri prodhohen rreth 1 milion ton mbetje urbane në vit, që do të thotë që po të funksionojë ndarja e mbeturinave në burim, ato dalin e mjaftojnë për kapacitetet e biznesit vendas!
Do të thotë që do të hapen vende të reja pune, rreth 1200. Por si do t’i punësoni këto njerëz, si Arditin 17-vjeçar që e vdiqët në Sharrë? Apo si ata qindra njerëz që punojnë aty pa dorashka, pa maska, pa kushte, pa sigurime? Do t’i punësoni duke i vdekur?
Ajo që është pak, por e sigurt është fakti jo i 1200 më shumë shqiptarëve që do marrin një rrogë në fund të muajit, por i një grushti pushtetarësh që do të marrin disa miliona euro kur të kalojnë këtë ligj në kurrriz të 3 milionë qytetarëve.
Ajo që është pak, por e sigurt është fakti që do të shtohet numri i sëmundjeve dhe i të sëmurëve. Dhe nëse sot, nga ndotja e ajrit, ujit dhe cilësia e ushqimeve, sëmundjet kancerogjene janë përhapur si gripi, imagjinoni si do të jetë pas disa vitesh kur të fillojnë të na mbysin mbetjet toksike e spitalore që lejon ky ligj!
Ajo që është pak, por e sigurt, është fakti që edhe nëse hapen 1200 vende të reja pune në sektorin e plehrave, do të humbasin disa fish më shumë vendet e punës në sektorin e turizmit e bujqësisë, sepse të jeni të sigurt, asnjë turist nuk do të donte të shkonte me pushime në një vend që do të konsiderohej koshi i plehrave të Europës!
Do të thotë që do të shtohen të ardhurat nga taksat. Por e ka fjalën për të ardhurat e veta, shefit të vet dhe të mafies italiane të plehrave që i ka sot nën shërbim.
Do të thotë që do teë trajnohen tre specialistë dhe do të krijohet një laborator për kontrollin. Por kush është aq naiv sa të besojë se milionat e mafies së plehrave që sot kanë blerë kryeministrin e vendit, do të mund t’i ndalin tre specialistë të punësuar si militantë partie dhe një laborator?
Do te thote qe eshte me standarte te Bashkimit Europian. Por direktiva europiane flet qartë për këtë gjë kur thotë se “çdo vend të menaxhojë mbetjet e veta sa më pranë burimit”.
Për më tepër, ky ligj as nuk është paraqitur dhe as nuk është shqyrtuar në Komisionin e Integrimit Europian që ka për detyrë të shohë përputhshmërinë me standardet dhe legjislacionin e BE-së.
Mbase do të thotë edhe që ky ligj na duhet për të hyrë në Bashkimin Europian. Por nuk është aspak kështu, këtë ligj nuk e kërkon aspak BE, këtë e kërkon thjeshtë mafia e plehrave!
E në këtë pikë, do të doja t’ju kujtoja një serial të famshëm italian, që ata nga brezi im e sipër besoj e mbajnë mend, “Oktapodin”. Besoj mbani mend edhe dy personazhe sa kryesore, aq edhe negative, Tano Karidin dhe Espinozën. Besoj mbani mend që edhe në atë kohë kur luhej filmi, këtu e njëzet vjet më parë, për mafian më fitimprurëse se droga dhe luftë më të madhe se droga, bëhej për trenat me plehrat toksikë.
E mbase ky Espinoza në krye të qeverisë e ka kuptuar që me kanabisin e ka qelbur dhe kërkon burim tjetër fitimi, por duhet të kuptojë që me importimin dhe depozitimin e plehrave në Shqipëri do ta qelbi këtë vend njëherë e përgjithmonë!
Të nderuar kolegë, duke folur për kryeministrin e vendit, më lejoni të citoj edhe këtë krye-rilindas nga fjalimi i tij i tre viteve më parë në këtë foltore. Citoj:
“Nga ana tjetër jam shumë krenar që sot ky Kuvend do të miratojë përfundimisht ndalimin e importit të plehrave në Republikën e Shqipërisë. Ky Kuvend sot do të votojë për të çuar në vend një zotim solemn të marrë përpara publikut shqiptar dhe njëkohësisht për t’i dhënë mbështetjen e merituar një përpjekjeje të gjatë, deri edhe sfilitëse të Shoqërisë Civile dhe të gjithë faktorëve.
Shqipëria sot lëngon mes plehrash. Shqipëria sot është vendi më problematik për sa i përket mbledhjes dhe trajtimit të plehrave në të gjithë hartën e Europës. Shqipëria sot nuk garanton asnjë standard europian, por jo vetëm europian, në trajtimin e plehrave.
Është krejtësisht e qartë që Shqipëria sot dhe nesër nuk mund të importojë plehra nga jashtë.
Ka vetëm një arsye pse mafia u drejtohet vendeve si Shqipëria për të dërguar plehra dhe ka vetëm një arsye pse qeveritë e vendeve si Shqipëria, të dobëta në standarde dhe të paafta për të kontrolluar ruajtjen e standardeve nëpër kufijtë e tyre, i hapin rrugë importit të plehrave. Arsyeja është shumë e thjeshtë: interesa të jashtëzakonshme financiare që lidhen me fatkeqësinë e kombeve që lëngojnë në mungesë të qeverive dhe të shteteve që u shërbejnë interesave të këtyre kombeve.
Ka vetëm dy kategori vendesh që importojnë plehra: ose vendet me standarde maksimale dhe me garanci maksimale, që i lejojnë vetes import edhe të mbeturinave më të rrezikshme, për shkak se kanë të gjitha aftësitë për t’i kontrolluar dhe për t’i trajtuar këto lloj mbeturinash, dhe vendet me standardet më të ulëta të kontrollit, madje inekzistente të përpunimit të tyre. Fatkeqësisht, Shqipëria që trashëgojmë bën pjesë tek të dytat dhe gjëja më e mirë që ne mund të bënim për Shqipërinë e rrënuar që trashëgojmë është ndalimi i importit të çdo lloj mbeturine.
Plehrat në Shqipëri nuk do të hyjnë asnjëherë deri ditën, kur Shqipëria të jetë në gjendje t’i seleksionojë, t’i ndajë, t’i mbledhë, t’i përpunojë plehrat që prodhon vetë. Pastaj, në një epokë tjetër, mund të jetë e mundur, por deri kur të vijë ajo ditë ne nuk kemi asnjë zgjedhje tjetër për të respektuar deri në fund popullin, për të respektuar deri në fund shëndetin e çdo qytetari dhe për të respektuar deri në fund interesin tonë kombëtar dhe publik. Nuk ka më plehra që të hyjnë në kufijtë e Republikës së Shqipërisë”.
Mbase Edi Rama e ka harruar këtë zotim solemn, mbase dëshiron ta harrojë, apo mbase e kanë bërë ta harrojë!
Por sot është detyra juaj, e të gjithëve ne, hiq deputetin Shalsi, që ta bëjmë ta kujtojë!
Dhe që t’ia kujtoni, ju sot nuk duhet të mendoni dhe votoni si deputetë listash! Nuk duhet ta keni mendjen a do jeni apo jo në listë vitin tjetër; e nëse po, i sati, i pari, i pesti, apo i pesëmbëdhjeti!
Sot duhet të votoni ashtu sikundër nuk keni votuar asnjëherë më parë; kundër vullnetit të shefit!
Sot duhet të votoni si kurrë më parë. Jo me moralin e kalbur dhe integritetin e humbur të politikanit, por me vetëdijen e qytetarit dhe shtetarit të përgjegjshëm!
Me vetëdijen e të qenurit prind, gjysh apo gjyshe, vëlla apo motër, nip apo mbesë, mik apo komshi;
Me vetëdijen e familjarit që familjen e vet do që ta rrisë në një vend të shëndetshëm.
Me vetëdijen e prindit që fëmijën e vet do ta rrisë në këtë vend.
Sepse ndryshe nga shumë votime të tjera në këtë Parlament, kjo votë e juaja e sotmja, është e një rëndësie teë veçantë, sepse është një takim me të ardhmen e fëmijëve tuaj!
E për ta mbyllur, një fjalë të fundit!
Nëse sot votoni, si deri më tani, me dritshkurtësinë e një deputeti që shpreson të jetë përsëri në listën e shefit, apo një politikani që mendon thjeshtë të bëjë një dorë lekësh e të iki nga ky vend, atëherë vërtetoni që nuk ka rëndësi importi apo jo i plehrave, por rëndësi më imediate ka eksporti juaj!

Artikulli paraprakSkandali, Dako i Ramës i mori pronën me dokumenta biznesmenit të masakruar
Artikulli tjetërFundi i pronës private është fundi i lirisë suaj