KLSH kallëzon në Prokurori regjistruesin, dy ish-regjistrues dhe 13 specialistë dhe ish-specialistë të ZVRPP së Beratit. Sipas KLSH-së: të akuzuarit kanë kryer regjistrime të pasurive me sipërfaqe më tepër nga sa është përcaktuar në Ligj, duke lëshuar çertifikata mbi këto pasuri. Kanë lejuar tjetërsimin e këtyre pasurive në 20 raste dhe kanë regjistruar 43626 m2 sipërfaqe tokë arë, pa patur aktin e marrjes së tokës në pronësi.
KLSH auditoi Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme Berat, për periudhën 01.01.2013- 31.12.2015. Në përfundim të auditimit u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore, për të cilat janë rekomanduar masat përkatëse për përmirësimin e gjendjes dhe nxjerrjen e përgjegjësive, të miratuara me Vendimin e Kryetarit të KLSH-së me nr. 70, datë 29.06.2016, të cilat janë përcjellë në subjekt me shkresën nr. 189/7, datë 30.06.2016.
Nga auditimi u konstatuan një sërë shkeljesh, ndër të cilat më kryesoret janë: Në 15 raste janë regjistruar 43626 m2 sipërfaqe, bazuar në Aktin e Marrjes së Tokës në përdorim, që nuk përbëjnë titull pronësie, veprim në papajtueshmëri me nenin 25/a dhe pika 5 neni 45, të Ligjit nr. 33, datë 21.03.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” dhe UKM nr. 2, datë 13.06.2013 “Për mënyrën e procedimit të organeve të administratës publike, për pasuritë e paluajtshme, të fituara me Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP)”.
Në 20 raste, janë kryer veprime tjetërsimi nëpërmjet transaksioneve mbi këto pasuri, si pjesëtim pasurie, bashkim pasurie, pa patur dokumentacionin ligjor për regjistrimin e pasurive.
Në 27 raste janë regjistruar pasuri, të cilat nuk janë përfituar me Ligjin nr. 7501, datë 17.09.1991 “Për tokën”, veprim në papajtueshmëri me nenin 25/a, të Ligjit nr. 33, datë 21.03.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, gërma ç pika 1, të UKM nr. 2, datë 13.06.2013 “Për mënyrën e procedimit të organeve të administratës publike, për pasuritë e paluajtshme, të fituara me Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP)”.