Dy javë të izoluar nga bora, banorët në Kukës dhe Tropojë pa ushqime

Prej dy javësh disa fshatra të thella malore në Kukës dhe Tropojë vijojnë të jenë të bllokuar nga bora. Prefektura e Qarkut të Kukësit bën të ditur se banorët e izoluar nga bora kanë nevojë për ushqime, pasi rezervat e tyre familjare po shkojnë drejt përfundimit. Në këtë situatë, Prefektura bën apel për ndihma edhe në rrugë tokësore, pasi situata e rrugëve është përmirësuar.
“Dy janë njësitë më problematike, Njësia Arren që vazhdon të jetë e izoluar bashkë me fshatrat përbërëse dhe Njësia Administrative Lekbibaj, ku janë disa fshatra të izoluar. Jo vetëm këtu, por në disa njësi administrative kërkohet kjo ndihmë. Do ishte një suport i mirë për këta banorë që për shkak të zgjatjes së këtij të ftohti janë në limitet e fundit të ushqimeve që disponojnë”, shprehet Abdulla Domi.
Në përgjigje të kërkesave të Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile, helikopterët e Forcës Ajrore deri më tani kanë kryer vetëm dy fluturime për shpërndarjen e ndihmave ushqimore dhe batanije për banorët e fshatrave Arrën dhe Kalis në Kukës.
Aktualisht në Kukës e bllokuar është vetëm Njësia Adminstrative Arrën me gjithë fshatrat përbërës, ndërsa në Tropojë të bllokuar janë katër fshatra të Njësisë Administrative Lekbibaj.
Ndërkohë, moti do të përkeqësohet në ditët në vijim. Sipas Meteoalb, orët vijuese do të dominohen nga moti i kthjellët dhe vranësira të lehta. Sot vranësirat do të jenë më tepër të pranishme, duke rrezikuar në Jug të vendit reshje të izoluara shiu e bore në Juglindje.
Dita e premte si edhe fundjava do të dominohen nga moti i kthjellët, por i ftohtë. Temperaturat e ajrit do të variojnë: zonat malore, minimalet nga -13 në -5 dhe maksimalet nga -3 deri në 2 gradë C. Bregdeti dhe zonat e ulëta nga -2 në 3 gradë dhe maksimalet nga 7 deri në 12 gradë C.

Exit mobile version