Dy kallëzime të tjera në Prokurori për dhunë ndaj fëmijëve në kopsht

Shtohen kallëzimet ndaj Anjeza Shabanit, administratores së kopshtit pa licencë për dhunë ndaj fëmijëve. Burimet zyrtare pranë organit të akuzës bënë të ditur se pas publikimit të pamjeve filmike ku duket qartë Anjeza Shabani që ushtron dhunë ndaj fëmijës tre vjeç, në Prokurori janë paraqitur edhe dy prindër të tjerë. Sipas akuzës, kallëzuesit e rinj kanë pretenduar se kanë pas fëmijët në kopshtin “Diren” dhe për shkak të dhunës i kishin larguar. Ata i kanë thënë hetuesve, se kallëzim nuk kishin bërë në atë kohë, pasi nuk i besonte njeri dhe për këtë fakt i kishin tërhequr fëmijët e tyre nga kopshti. Para Prokurorisë, dy prindërit veçmas nga njëri-tjetri kanë akuzuar Anjeza Shabanin për dhunë ndaj fëmijëve të tyre, në kohën që i kishin në kopshtin “Diren”.
Nga ana tjetër, Prokuroria ka kryer verifikimet pranë Drejtorisë Arsimore në Tiranë ku ka konstatuar se kopshti “Diren” nuk ishte i licencuar, por ishte regjistruar si një biznes i vogël në QKR me aktivitet biznesi mbjelljen e luleve dhe fidaneve. Nga ana tjetër, ajo ushtronte aktivitetin e kopshtit të fëmijëve dhe në asnjë rast nuk ishte kontrolluar nga ndonjë institucion shtetëror. Ky kopsht, tha prokurori, ishte vendosur në një ndërtesë, e cila ishte në pronësi të bashkëshortit të Anjeza Shabanit, e cila në katin e parë kishte hapur kopshtin për fëmijë dhe në katin e dytë jetonte familjarisht. Për këtë fakt, burimet nga Prokuroria thanë se do të merren në pyetje edhe pjesëtarët e familjes së të arrestuarës.
Sipas akuzës, për llogari të këtij hetimi janë marrë në pyetje edhe dy edukatoret dhe infermierja e kopshtit. Të gjithë të pyeturit kanë pranuar faktin e dhunës së ushtruar ndaj fëmijës nga administratorja e kopshtit. Ata kanë thënë se nuk mund të denonconin, pasi do të hiqeshin nga puna. Por pavarësisht këtij justifikimi, burimet nga Prokuroria thanë se, edhe dy edukatoret dhe infermierja do të ndiqen penalisht në gjendje të lirë për akuzën e “moskallëzim të krimit”.
Vetëm pak ditë më parë, emisioni investigativ “STOP” në “TV Klan”, publikoi pamjet shokuese ku administratorja e kopshtit ushtronte dhunë fizike ndaj një fëmije 3 vjeç.

Artikulli paraprakPengmarrja e anijes, Forcat Detare të NATO dhe BE nisin kërkimet
Artikulli tjetër5 mijë euro për një vend pune, arrestohet avokati