– Busulla e Shqipërisë është euroatlantizmi. Po të ndodhë të mos kapemi nga radari i atlantizmit, apo më keq akoma, të bjerë atlantizmi nga binomi me europianizmin, anëtarësimi në BE merr një rendësi jetike për demokracinë dhe sigurinë tonë si vend –
Nga Preç Zogaj
Lami i parë ishte deklarata e Ambasadës Amerikane për zgjedhjet e 11 majit. E vonuar në krahasim me deklaratat e mëpërshme dhe me ato të qeverive europiane, konçize, e shtrydhur deri në palcë, e konceptuar si një urim për popullin e Shqipërisë, shoqëruar me gadishmërinë e Uashingtonit për të vazhduar partneritetin e ngushtë me vendin tonë, deklarata u përgjigjet qartë dy pyetjeve aktuale kryesore për ne, në erën e re të qeverisjes së Presidentit Tramp.
Pyetja e parë: A i njeh SHBA zgjedhjet e 11 majit? Përgjigja është po. Urohet një gjë që njihet. Urohet populli “dele” sipas epiteteve që përdorin disa opozitarë për zgjedhësit e PS-së.
Urohet populli “që han bar” sipas shprehjes që përdorin disa kundërshtarë të PD-së për zgjedhësit demokratë.
Urohen zgjedhësit e partive të tjera më të vogla.
Urohen edhe ata që nuk kanë marrë pjesë në votime, duke ua deleguar zgjedhjen atyre që kanë marrë pjesë, qoftë duke abstenuar në shenjë proteste, qoftë në shenjë indiference.
Pyetja e dytë: A mos po na harrojnë matanë Atlantikut, a mos nuk do të kemi më statusin e marrëdhënieve të ngushta me vendin më bamirës të kombit shqiptar përgjatë gjithë historisë? Përgjigja është jo. Sa u takon SHBA-ve, dora e miqësisë speciale mbetet e shtrirë. Dora e popullit shqiptar dhe Tiranës politike gjithashtu. Aq më shumë tani kur PD po investohet njëlloj si partitë e tjera në termat e proamerikanizmit dhe kur vetë Amerika ka rifituar germën “r” në të folurën e atyre që ia kishin zëvendësuar gjatë katër viteve të fundit me gërmen “l” (Amelika- Amelika). Me besim se nuk do t’ja heqin prapë “r”-në kur të mos ndodhë ndonjë gjë e re në Uashington.
Lajmi i dytë është deklatata e fundit e Komisioneres për zgjerimin e BE-së, Marta Kos në konferencën e Qendrës për Studime Evropiane në Bruksel. “Na duhet të hapim një grup tjetër kapitujsh me Shqipërinë dhe kjo do të ndodhë në Qershor dhe me këtë do të kemi hapur të gjithë kapitujt e negociatave”, tha ajo duke pohuar ujdinë me kryeministrin Rama për ta realizuar martesën e Shqipërisë me Europën brenda mandatit të saj, domethënë brenda periudhës 2029-2030. Nuk varet e gjitha prej saj, sigurisht. Por kjo zonjë dhe komisionierja për Punët e Jashtme, Kaja Kallas, dhe vetë Presidentja e Komisionit, Ursula Von der Leyen dhe politikanë të tjerë të lartë të BE-së e qeverive të vendeve anëtare na kanë befasuar së fundi, duke avancuar afate që as qeveria jonë nuk ka guxuar deri vonë t’i shqiptojë. Gjeopolitika, ndërgjegja e re që po fiton Europa përkundrejt zhvillimeve me plot të panjohura, duke rritur kohezionin brenda vendeve të familjes, pa lënë xhepa jashtë hapësirës së saj natyrore, është shansi ynë i madh për të bërë realitet endrrën e pashuar të integrimit në BE. Pas një rrugë të gjatë, me shumë ndalesa, ndërprerje, dëmtime për mentë e kresë shpeshherë, jemi duke shkuar drejt stacionit të fundit.
Qeveria po bën të vetën. Opozita duhet të bëjë të vetën, duke u sjellë me integrimin si qeveri. Për t’i dhënë një dorë dhe për të lenë një kujtim të mirë, ndërsa nuk e ndalon dot trenin në lëvizje të anëtarësimit. Meritat e njërit dhe tjetrit do të jenë gjithmonë shumë të vogla në krahasim me përfitimet e të gjithëve.
Kthehemi te Deklarata e Ambasadës Amerikane për zgjedhjet. Kemi komentuar në krye çfarë është thënë në rreshtat e saj, pa u joshur të hyjmë midis rreshtave. (Në këtë rast me vjen ndërmend Kurcio Malaparte, një shkimtar italian me dhunti gjeniu, që thoshte se vështirësia jonë për t’i kuptuar amerikanët qëndron në prirjen tonë për të parë tek ata shtatë të tetat e ajzbergut nën ujë). Gjithkush është i lirë të humbasë në të pathënat e deklaratës amerikane dhe të nxjerrë prej andej çfarë t’i pjellë mendja e t’i dojë qejfi. Unë për vete dhe qindra mijëra si unë besoj nuk tërhiqen në ushtrime kësisoj të fantapolitikës edhe për një arsye të thjeshtë: amerikanët i thonë vetë ato që kanë për të thënë kur duhen thënë. Tani për tani dhe kam bindjen edhe në perspektivë është në fuqi partneriteti i ngushtë amerikano-shqiptar si konstante e një politike me rrënjë të thella që nuk preket nga konjukturat apo eksperimentet kalimtare.
Do të thotë se mbështetja amerikane për luftën kundër krimit e korrupsionit dhe për sundimin e ligjit përmes institucioneve të tilla si SPAK, GJKKO e tjerë do të vazhdojë. Njëlloj edhe bashkëpunimi prioritar në fushën e sigurisë. Në kuadrin e NATO-s dhe në projekte dypalëshe. Nëse shtohen investimet e mëdha në ekonomi edhe më mirë.
Busulla e Shqipërisë është euroatlantizmi. Po të ndodhë të mos kapemi nga radari i atlantizmit apo më keq akoma, të bjerë atlantizmi nga binomi me europianizmin, anëtarësimi në BE merr një rëndësi jetike për demokracinë dhe sigurinë tonë si vend./ Liberale.al