Nga Spartak Ngjela
Kur një lidership drejtues i një shteti nuk ka ide, ky shtet, intelektualisht, nuk jeton.
Dhe kjo është një aksiomë për shtetin mesjetar në Evropë.
Po sot në Shqipëri, në dy lidershipet e Partisë Socialiste dhe të Partisë Demokratike, a ka ide?
Jo, fare: të dy këta lidershipë janë krejt pa ide.
Askush!
Ide të reja nuk ka asnjëri nga këta lidershipë, prandaj nuk flasin, por vetëm llomotisin.
Domethënë asgjë.
Po shqiptarët pse i durojnë?
Nuk kanë rrugë tjetër, veç të durojnë të mërzitur dhe të shtojnë abstenimin në votime. Pjesëmarrja në votimet e muajit maj 2025, ka qenë shumë e ulët.
Por çfarë tregon kjo?
Kjo tregon se shqiptarët nuk kanë më besim te politika aktuale, në të dy lidershipët e të dyja partive të mëdha.
Atëherë?
Duhet të presim e të shohim me vëmendje se si do të precipitojnë ngjarjet politike; sepse është shpejt të konkludojmë.
Por pyetja mbetet kjo:
A do ta durojnë ende edhe më gjatë shqiptarët e Shqipërisë krizën politike që e ka sjellë gjendjen në Shqipëri, sipas këtij gjykimi:
Edhe kryeministri Rama flet; Edhe opozitari Berisha flet; Por shumica e shqiptarëve nuk i dëgjojnë, dhe një përqindje e madhe kërkon të largohet nga Shqipëria.
Dhe shumë kanë ikur. Sepse nga Shqipëria për në Perëndim kanë ikur rreth dy milionë shqiptarë.
Atëherë?
Asgjë!
Rini me Ramën dhe Saliun; dhe zini radhën për të kërkuar punë në vendet e Bashkimit Evropian.
Trishtim i madh është ky.
Po, natyrisht që një trishtim i madh është. Por ky është realiteti në Shqipërinë e sotme.