Dy llojet e mashtruesve në politikë

Nga Fitim Zekthi

Ka shumë, por dy janë llojet më të pranishëm të mashtruesve dhe gënjeshtarëve në politikë.
Elliot Cohen, që ka studiuar në mënyrë të thellë natyrën e pushtetit, thotë se këto dy lloje mashtruesish i ka tipizuar Shekspiri tek “Henri IV” dhe “Henri V”.

Henri IV ishte mashtrues shumë i madh. Ai vrau mbretin Rikard II. Ai në publik shprehu keqardhje për vdekjen e mbretit, por ai mashtronte, – thotë Cohen, – duke mos thënë gjë, duke mos ndërtuar një vete tjetër, duke mos u hequr si i mirë, si i butë, si i dhembshur. Nuk e portrizonte veten si diçka krejt tjetër. Henri IV kurrë nuk e siguroi kurorën kollaj dhe në mënyrë të sigurt, kurrë nuk pati qetësi, ai vazhdimisht merrej me tradhëtarë dhe rebelues, vazhdimisht kishte dhe gjente armiq. Ai ishte shumë i dhunshëm, brutal.

Ndërsa Henri V ndërtonte diçka tjetër nga çfarç ishte, ai hiqej si i dhembshur apo si i dashur, si i drejtë dhe si i mëshirshëm në një sjellje tmërrësisht hipokrite. Ai fliste atë që donin njerëzit të dëgjonin, nuk shihte kudo armiq, e kishte më të lehtë ruajtjen e kurorës.

Cohen thotë se politikanët e mirë kanë diçka nga lloji i dytë.

Sigurisht pa atë lloj hipokrizie totale, por ata, ai përmend Churchill apo Tedy Roosvelt etj., u flasin fermerëve si fermerë, gjeneralëve dhe ushtarëve si ushtarakë, fizikantëve si fizikantë, muzikantëve si muzikantë etj.

Tek ne, në këto vite kryeministra e drejtues politikë, kandidatë për drejtues politikë kanë qenë në masë dërrmuese shembëlltyra të këqija të këtyre dy llojeve.

Asnjë milimeter nuk kanë lëvizur nga lloji i Henrit V për t’iu qasur disi modeleve të mira. Përkundrazi kanë thelluar poshtërsinë e stilit të Henrit IV dhe të atij V.

Lufta në PD, si çdo luftë, zbuloi lakuriq se në çfarë niveli ekstrem është mashtrimi, hipokrizia. Gjërat që ndodhin përditë, njerëzit që bërtasin vazhdimisht aty bërtasin njëherazi edhe me karakterin e tyre.

Po të ndodhë një luftë e tillë në PS, me siguri që ajo do të ishte edhe më e shëmtuar.

Artikulli paraprakNga qëndrimi gjatë ulur te gjumi i pamjaftueshëm, këto janë zakonet që ngadalësojnë metabolizmin tuaj
Artikulli tjetër“Do jem apo nuk do jem”, kjo është çështja