Dy ndryshime për të kuptuar nga do të vijnë prangat për të cilat flet Basha

Bledi KASMI

Kryetari i opozitës, Basha ka deklaruar dy ndryshime të strategjisë së PD në luftën ndaj korrupsionit dhe goditjes ndaj mafias në qeveri. Bëhet fjalë për gjetjen e mekanizmave të rinj në luftën ndaj regjimit dhe oligarkisë që duket se do t’i shtohen paketës së deritanishme anti-mafia.

Ndryshimi i parë ka të bëjë me faktin se nuk do të paditen më vetëm qeveritarët për aferat e grabitjeve të paimagjinueshme që po u bëhen shqiptarëve, por do të paditen për kontratat mafioze edhe ortakët e Ramës kudo ku ata të jenë. Rëndësia e këtij hapi ka të bëjë në rradhë të parë me gjurmimin e parave.

Dihet që pas kontratave fiktive të Ramës janë ortakët e tij ata që merren me pastrimin e parave dhe më pas ndajnë së bashku milionat e eurove që u grabisin shqiptarëve. Rama vendos firmën, ortakët marrin paratë përmes tenderave fiktivë apo koncesioneveve. Kjo skemë ka funksionuar që Rama të jetë i qetë në pastrimin e parave që ai vjedh.

Ndërsa deri dje, këta ortakë mund të konsideroheshin të paprekshëm dhe thjesht si biznese, nga dita e sotme strategjia e opozitës ka ndryshuar duke paralajmëruar se asnjë prej tyre nuk do të jetë më i paprekshëm dhe të jetë i mbrojtur nën ombrellën e të bërit “biznes”. Pra, klientët e Ramës në vjedhjen e shqiptarëve duhet të kenë frikë. Nuk do të hetohen më për pasuritë që kanë vendosur gjatë këtyre viteve vetëm ofiqarët e regjimit, por pikërisht edhe këta ortakë të Ramës në biznesin e zhvatjes së këtij vendi.

Ndryshimi i dytë që ka paraqitur sot Basha ka të bëjë me faktin se paditë nuk do të bëhen më vetëm në Prokurorinë shqiptare, e cila nuk funksionon sepse është kthyer në një vegël të regjimit, por edhe në prokuroritë e vendeve partnere prej nga ku vijnë ortakët mafioze të Ramës.

Ndërsa shpresa për hetime antikorrupsion në Shqipëri ka vdekur nuk mund të thuhet kjo gjë për vendet partnere, të cilat kohët e fundit po dëshmojnë gatishmëri për të luftuar korrupsionin e Ramës që nga Shtetet e Bashkuara e deri në Gjermani dhe Itali.

Basha paralajmëroi sot nisjen e padive penale për arkitektët e Ramës tek Teatri, Akademia e Arteve dhe kasat fiskale. Bëhet fjalë për tre shtetas të huaj, njëri italian, tjetri danez dhe të fundit një grup mafiozësh nga Kroacia. që do të jenë të paditur tanimë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tyre. Çështja e juridiksionit ekstraterritorial padyshim që ekziston sepse në këtë rast kemi të bëjmë me një korrupsion kriminal.

Po, sa raste të tjera me ortakë të tillë të huaj janë kapur në flagrancë ka? Natyrisht që ka shumë. Një prej tyre është edhe ajo e skandalit me zgjerimin e Unazës së Re ku u arrit të falsifikohej deri edhe firma e Sekretarit të Shtetit në Delaëere që e ka bërë Gjiknurin shumë të urtë kohët e fundit. Po nuk duhet harruar se Prokuroria belge ka nisur hetimet për 3.4 milionë eurot e Toyotës së ‘Ballës’, ndërkohë që hetimet për Tahirin nuk janë mbyllur as në Itali. Rastet janë të shumta dhe të tjera pritet të dalin.

Për të kuptuar më qartë se si do të funksionojë kjo strategji e re e PD dhe si duhet kuptuar fjalia e përsëritur e Bashës gjatë kësaj vere se kriza kësaj here do të zgjidhet me pranga në duart e qeveritarëve mjafton të kujtoni dy fjalitë e zyrtarit të Departamentit amerikan të Shtetit të bëra vetëm pak ditë më parë.

Palmer i dha një ultimatum të prerë Ramës për arrestimin e Dakos duke ja bërë të qartë se në rast se ai nuk do ta dorëzojë atëhere “Shtetet e Bashkuara kanë autoritetet e nevojshme për të ndërmarrë veprime në përgjigje të kësaj”.

“Do të shpresoja që ky veprim të demonstronte angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të luftuar kundër korrupsionit dhe për të ndërmarrë veprime atje ku ka prova të forta dhe bindëse të praktikës korruptive. Ky është një autoritet që ne e kemi. Është një autoritet që ne me siguri nuk kemi frikë ta përdorim. Dhe është një autoritet që ne besojmë se mund të kontribuojë në procesin e luftimit të korrupsionit publik në Shqipëri dhe gjetkë”, tha Palmer.

Ajo që duhet kuptuar është se ka një darë të fortë nga Brenda dhe jahstë vendit, që e ka kapur tashmë Ramën dhe se shpëtimi i vetëm i tij mund ti vijë vetëm nga Kuba. E di vetë ai se si.

Si e shtjelloi Basha strategjinë e re në takimin me gazetarët

Hajduti nuk ka shkuar me pushime, hajdutëria vazhdon. Për të vjedhur qindra milionë euro, Edi Rama përdor metodën korruptive të fryrjes së kostove me disa herë dhe marrjes së fitimit mbi koston reale.

Kjo metodë korruptive shpjegon pse koncesionet dhe tenderat për rrugët kushtojnë disa herë më shumë se në Europë dhe janë me cilësi më të dobët. Vetëm tek Milot- Balldre rryshfeti është 220 milionë euro.

Kontrata për faturimin elektronik të bizneseve është rasti më i fundit i kapjes së shtetit. Duke nxjerrë jashtë përdorimit kasat fiskale dhe duke i detyruar të blejnë të reja, biznesit do ti grabiten 170 milionë euro.

Tenderi i bërë për të krijuar këtë sistem, që në embrion, ka qenë tërësisht i korruptuar dhe i sajuar më qëllim që të mundësonte vjedhjen e menjëhershme të 10 milionë eurove. Tenderi është vjedhur direkt nga Edi Rama.

Në aferën e faturimit online ka një luftë mes interesave të Arben Ahmetajt dhe ndonjë zyrtari të korruptuar të PD në pushtet dhe klanit të Edi Ramës me familjarët e tij dhe mafian kroate, që e ka në paradhomën dhe zyrën e tij.

Pavarësisht kërdisë që po bën me fondet e buxhetit të shtetit, me PPP-të dhe koncesionet, me taksat dhe detyrimet e jashtëligjshme, si këto që po planifikon për biznesin e vogël, nuk ka për t’i gëzuar paratë e vjedhura.

PD dhe opozita e bashkuar do të fillojnë menjëherë një hetim penal dhe një auditim financiar të të gjitha kontratave, koncesioneve, të të gjitha lejeve të dhëna nga kjo bandë.

Dua t’u bëj të qartë zyrtarëve të çfarëdo niveli, si dhe klientëve të tyre, që me paratë që po vidhni nuk jeni duke blerë as mirëqenie, as luks, por jeni duke blerë burgun dhe konfiskimin.

Brenda javës së parë të shtatorit, prokurorisë shqiptare dhe prokurorisë daneze do t’i depozitohet kallëzimi penal për arkitektin e korruptuar në funksion të grabitjes së Teatrit Kombëtar, Bjerke Ingels.

I njëjti standard për kallëzim do të ndiqet ndaj mafiozëve kroatë dhe aferës së Ramës me kasat fiskale dhe arkitektit të dënuar në Itali, Casamonti, për skemën korruptive tek Universiteti i Arteve.

Rreshtimi i PD përkrah interesit publik me djegien e mandateve vetëdijësoi shqiptarët se nuk jemi të gjithë njësoj, se beteja jonë është më e madhe se beteja për pushtet, është betejë për shqiptarët.

Të gjitha vendimet e opozitës në lidhje me 30 Qershorin kanë qenë në interesin publik për të shmangur gjakderdhjen që kërkonte Edi Rama, në mënyrë që të detyronte Lulzim Bashën të ulej në tavolinë me të.

Braktisje dhe refuzim si më 30 Qershor për Edi Ramën nuk ka ndodhur në 30 vite. Është detyra jonë të realizojmë objektivin europian, zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Kushtet tona janë kushte europiane, të mos qeverisemi nga hajdutë në zgjedhje te ardhshme dhe të dalin para drejtësisë ata që janë kapur duke vjedhur zgjedhjet.

Qendrimet tona janë të drejta. Janë qendrime për interesin e shqiptarëve. Sakrifikimi i pushtetit prej nesh nuk është shenjë dobësie, por shenjë force e një politike të standardit europian.

Mungesa e SPAK-ut është një nga veprat më të mëdha tinzare të Edi Ramës. Kur them se kjo krizë do të mbarojë me standarde dhe parime europiane, e përsëris, do të mbarojë me politikanë me pranga në duar.

Ata që kanë vjedhur votat e shqiptarëve, ata që kanë vënë dorë mbi pasuritë e shqiptarëve do të shkojnë të gjithë para drejtësisë, pa përjashtim.

Nuk ka asnjë përçarje në gjirin e opozitës. Qendrimi ynë është i qartë. 13 Tetori është e vetmja datë kushtetuese për zgjedhjet në Shqipëri. KQZ do të vendoset përballë përgjegjësisë ligjore dhe penale për moszbatimin e dekretit.

Edi Rama, me mercenarët e tij politikë dhe mediatikë, po hedh para të madhe për të përdorur të vetmen levë që i ka mbetur, përçarjen e opozitës, përçarjen e PD. Nuk do t’ia dalë as me njërën, as me tjetrën.

Kapja me dhunë e pushtetit vendor është një precedent i rrezikshëm për stabilitetin dhe sigurinë, që hedh në erë çdo shtyllë të mbetur të bashkëjetesës paqësore politike në vend.

Mesazhi qe Edi Rama u jep qytetarëve me precedentin e zaptimit të dhunshëm të pushtetit lokal është se edhe ata mund të përdorin të njëjtin standard, të hyjnë në kryeministri, ministri, drejtori, parlament.

Qëndrimi ynë është i qartë: Ne do të insistojmë në zgjidhje politike të krizës. Kjo do të thotë me zgjedhje të lira e të ndershme, me një qeveri tranzitore pa Edi Ramën kryeministër, në një ditë me zgjedhjet vendore.

Ju kam ftuar për një bashkëbisedim.

Së pari dua të sjell në vëmendje të qytetarëve që na ndjekin disa prej çështjeve më të mprehta, të zbuluara këto javë të nxehta të korrikut dhe të gushtit, ku duket se, pavarësisht që shumë prej aktivitetit njerëzor është ngadalësuar dhe ndokush ka shkuar edhe me pushime, hajduti nuk ka shkuar me pushime, hajdutëria vazhdon.

Kam qenë këtu para një muaji, kur kam denoncuar qasjen e fundit të grabitjes së pasurive dhe parave publike të shqiptarëve nga Edi Rama. Dhe sot dua ta them fare qartë se modeli që ai aplikon është modeli tipik i regjimeve të korruptuara në botë, një metodë e njohur dhe studiuar nga të gjitha organizatat që luftojnë korrupsionin, si p.sh Transparency International.

Metoda është ajo e fryrjes së kostove publike dhe marrjes mbrapsht nga klienti, nga oligarku paratë mbi koston e fryrë, në anglisht quhet kick – back, e njohin si korrupsion, anglezët i thonë “kick – back”, e merr dhe e kthen pjesën që të ka dhënë tepër, nga paratë e shqiptarëve në këtë rast.

Të gjitha koncesionet dhe të gjithë tenderat e Edi Ramës janë të tilla.

Fryje koston disa herë.
Jepja tenderin klientëve
Ndaj paratë me klientët.

Kjo shpjegon pse rrugët që po ndërtohen dhe do të ndërtohen kushtojnë disa herë më shumë sesa në Europën Perëndimore me një cilësi shumë më të dobët.
Kjo shpjegon pse çmimi i rrugëve në Shqipëri që do të ndërtojë Edi Rama me koncesione, me PPP, por edhe ato që po bën me tendera të drejtpërdrejtë në vendin më të varfër të Evropës, me cilësi më të dobët nga vendet e tjera europiane, kushtojnë shumëfishin e kostos së ndërtimit të të njëjtave rrugë në Gjermani apo në vende të tjera të Europës Perëndimore.

Kjo shpjegon se përse 600 metra bulevard Zogu i Parë, nga sheshi “Skëndërbej” tek ish-stacioni i Trenit, do t’i kushtojë shqiptarëve plot 6 milionë euro. Në fakt, kosto reale e gjithë këtij segmenti nuk i kalon 1 milionë euro. 4 milionë euro do të ndahen mes Edi Ramës, Erion Veliajt dhe kompanisë që ka marrë këtë shumë, 6 milionë euro për 600 m. Dhe e dini se cila do të jetë kjo kompani? Është “Fusha” e Teatrit Kombëtar. 6 milionë euro për 600 m do të ndahen 1 apo maksimumi 2 milionë i merr “Fusha”, pjesën tjetër i merr Rama dhe ndonjë pjesë për Uria Hipin e tij në bashki.

Kjo shpjegon pse Milot – Balldre, 17 km u kushton shqiptarëve 256 milionë euro. Presidenti i Republikës e ka kthyer dje ligjin e këtij koncesioni, duke zbuluar, përmes vetë burimeve zyrtare, rritjen artificiale të kostos me 50 mln euro, kjo sipas vetë burimeve zyrtare.

Natyrisht, që e përshëndes kthimin e këtij ligji korruptiv nga Presidenti i Republikës. Rritja faktike e kostos është 150 mln euro, pra 3-fish. Ky është kick – back i Milot Balldre, përfitimi që do të ndajë Edi Rama me oligarkun. Studimi i fizibilitetit i vetë qeverisë që u publikua për Thumanë – Kashar, tregoi fryrjen e kostos së rrugës me 100 mln euro. Në fakt, fryrja reale e kostos është 220 mln euro. Ky është kick – back, ky është rryshfeti i Thumanë-Kashar.

Modeli i fryrjes së kostos tregon pse Dukat –Orikum me një korsi dhe vetëm 14 km do të kushtojë 70 milionë euro, ku kosto nuk është më shumë se 20 mln euro, 50 mln euro është kick – back që do të ndahen mes Gjikurisë dhe Edi Ramës.

Ky pra është modeli, fry koston dhe vidhi bashkë me klientët të gjithë paratë shtesë, që, në fakt, janë paratë e qytetarëve, paratë e taksapaguesve. Ky është modeli për çdo koncesion, ky është modeli për çdo tender.

Ky lloj korrupsioni në këto përmasa, që në botë njihet me termin Grand Corruption, ka ndodhur në kushtet e kapjes totale të shtetit. Kapja e shtetit është kur programet, projektet, politika, ligjet bëhen me qëllimin direkt për t’u shërbyer jo njerëzve, jo interesit publik, por klientëve dhe interesave të qytetarëve, interesave private, në këtë rast të qeveritarëve.

Rasti më i fundit i kapjes së shtetit është kontrata për faturimin elektronik të bizneseve. Është një projekt ku Edi Rama dhe klientët e tij kanë planifikuar t’i vjedhin biznesit me qindra milionë euro në vitet e ardhshme, me qindra milionë euro t’i vjedhin nga bizneset.

Për këtë ka bërë një ligj për t’i detyruar bizneset të blejnë aparatura të reja dhe programe të reja kompjuterike, të cilat do t’i blejnë, gjejeni se nga kush! Nga klientët e Edi Ramës.

Aktualisht, në vend përllogariten rreth 140 mijë kasa fiskale në përdorim dhe secila prej tyre do të zëvendësohet me pajisje kompjuterike apo iPad, që do të kushtojnë të paktën 250 euro për aparaturën dhe do të thotë mbi 30 milionë euro nga bizneset, 50-100 euro çdo vit programi kompjuterik për mirëmbajtje, që do të thotë 14 milionë euro në vit për 10 vjet.

Bëhet fjalë për 170 milionë euro që do të zhvaten nga biznesi pasi janë rënduar me taksa, tarifa, me çmimin mëtë lartë të energjisë në rajon, me çmimet më të larta të naftës në rajon, tani çdo 2-3 vjet i ndërrohen edhe kasat, tani i vendoset edhe kjo taksë e papërballueshme. Pse?! Që Edi Rama dhe mafia kroate e mikut të tij të vjedhin 170 milionë euro nga biznesi i vogël dhe i mesëm shqiptar.

Tenderi i bërë për të krijuar këtë sistem, që në embrion ka qenë tërësisht i korruptuar dhe i sajuar më qëllim që të mundësonte vjedhjen e menjëhershme të 10 milionë eurove.

Tenderi është vjedhur direkt nga Edi Rama. Ne e dimë për fakt se Edi Rama është takuar me biznesmenët kroatë, që diktuan së bashku me dy kompani shqiptare, para bërjes së tenderit në zyrën e tij, kushtet dhe termat me të cilat është bërë tenderi.

Dimë që mafiozi kroat ka urdhëruar, siç ka dashur zyrtarë të shtetit shqiptar sa herë që ata kanë vonuar zbatimin e urdhrave të kryeministrit për ecjen përpara me përgatitjen e këtij tenderi.

Dimë që, pasi tenderi fallco përfundoi, kompania shqiptare “Jehona” u shit për 250 mijë euro tek një biznesmen mafioz kroat, i hetuar për pastrim parash në Kroaci dhe, përmes atij që është edhe miku i mikut tjetër të Edi Ramës, këshilltarit të tij, Edi Rama, do të marrë kick – back, rryshfetin, paratë e vjedhura të pastruara në Kroaci.

Është një skemë e sajuar në çdo detaj me një qëllim, për të vjedhur. Imponimi i panevojshëm me një ligj, kalimi nga Parlamenti, që ta bëjmë ligjore, që nesër Prokuroria të mos ketë mundësi ta ndjekë, i sistemit të ri të faturimit, vjedhja e kostos, fryrja e tenderit, për të ndërtuar këtë sistem të ri, detyrimi i bizneseve për të blerë këtë program kompjuterik tek klientët e vet, e gjitha është e sajuar dhe ka vetëm një qëllim: Vjedhjen, e cila në 10 vite kap shifrën 170 milionë euro, para që do t’i paguajnë bizneset shqiptare.

Tashmë, është e qartë se edhe pa këto skandale të verës, s’ka lënë ditë pa bërë një tender, pa miratuar një vendim korruptiv, se Edi Rama jeton për të vjedhur, qeveris për të vjedhur, merr frymë për të vjedhur dhe çdo ditë çohet me një qëllim: si të vjedhë dhe si të grabisë. Pavarësisht kërdisë që po bën me fondet e buxhetit të shtetit, me PPP-të dhe koncesionet, me taksat dhe detyrimet e jashtëligjshme, si këto që po planifikon për biznesin e vogël, nuk ka për t’i gëzuar paratë e vjedhura.

E kam theksuar se PD dhe opozita e bashkuar do të fillojnë menjëherë një hetim penal dhe një auditim financiar të të gjitha kontratave, koncesioneve, të të gjitha lejeve të dhëna kjo qeveri, nga kjo bandë.

Do të gjurmohet çdo burim parash. Çdo individ shtetëror dhe privat, shqiptar dhe i huaj, i përfshirë në këto kontrata, do të gjurmohet në Shqipëri, do të gjurmohet në Danimarkë, do të gjurmohet në Kroaci, do të gjurmohet në Itali, do të gjurmohet në Delaëare, do të gjurmohet në Ishujt Kajman, do të gjurmohet në Singapor dhe kudo që do të jenë dhe do të fshihen ata dhe pasuritë e tyre, në emrin e tyre apo në emra të tjerë.

Do të gjurmohen nga shteti shqiptar, në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me Europolin, me Interpolin dhe me agjencitë kryesore të ligjizbatimit të vendeve të mëdha të Bashkimit Europian dhe agjencitë e specializuara kundër krimit të organizuar të SHBA-ve. Do të kemi një program të posaçëm për rikuperimin e të gjithë pasurive dhe parave të vjedhura nga zyrtarët shtetërorë dhe nga klientët e tyre privatë.

Për këtë arsye, dua t’ua bëj të qartë të gjithë zyrtarëve të çfarëdo niveli, si dhe klientëve të tyre, që me paratë që po vidhni nuk jeni duke blerë as mirëqenie, as luks, por jeni duke blerë burgun dhe konfiskimin.

Nëse mendoni se do të vidhni qindra milionë euro, praktikisht, të gjithë paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe do t’ua hidhni, gaboheni rëndë! Nëse mendoni se shqiptarët do të vuajnë në varfëri, pa arsim, pa shëndetësi dhe papunësi sepse paratë e tyre i keni vjedhur ju, gaboheni rëndë!

Ata që mendojnë se do të dergjet në mjerim një popull që ata të jetojnë në luks, gabohen dhe, shpejt, do ta ndjejnë gabimin me dhimbje të padurueshme. Ky është mesazhi që kam për ta.

Sikundër, dua të njoftoj sot se brenda javës së parë të shtatorit, prokurorisë shqiptare dhe prokurorisë daneze do t’i depozitohet kallëzimi penal për arkitektin e korruptuar në funksion të vjedhjes dhe të grabitjes së Teatrit Kombëtar, Bjerke Ingels i Danimarkës dhe koorporatën e tij “Big”. Ndërkohë që po bëhen të gjitha përgatitjet për të bërë të njëjtat hapa, sot me mundësi që kemi si opozitë, natyrisht nesër ne qeverisje të tjera mundësi do të kemi, por sot me këtë mundësi, edhe sa i përket mafiozëve kroatë, edhe sa i përket aferës së Ramës me kasat fiskale, edhe sa i përket një tjetri të përfshirë në një skemë gjigande korrupsioni dhe shkatërrimi të trashëgimisë kulturore shqiptare me kontribut italian, që është arkitekti i dënuar në Itali, Casamonti, që duket se do të marrë përsipër të njëjtën skemë korruptive tek Akademia e Arteve, tek Universiteti i Arteve në sheshin Nënë Tereza.

Pyetje: A mendoni se djegia e mandateve dhe më pas bojkotimi i zgjedhjeve ka dëmtuar më shumë opozitën, sesa qeverinë “Rama”? Nga ana tjetër Partia Demokratike bën akuza të shumta, por çfarë ka ndodhur?

Lulzim Basha:Çfarë kishte në dorë Partia Demokratike, kur ishte në landfilldin e Republikës, bashkë me plehrat dhe hajdutët, që ne, pavarësisht se u tregonim se kushtetuta po shkelet, ligji po shkelet, që të vjedhë Edi Rama me bandën e tij, ngrinin dorën si dele dhe vidhnin e grabisnin pasuritë e shqiptarëve?!

Dhunonin rregulloren e Parlamentit, nuk pranonin komisionet hetimore apo i sabotonin ato, që nuk pranonin amendamentet e opozitës, që kalonin me efekt prapraveprues, në mënyrë antikushtetuese ligjet për t’u dhënë oligarkëve mbrapsht dividentin, për të marrë miliona euro nga taksat e shqiptarëve dhe për t’ua dhënë oligarkëve.

Cilin nga këto akte mund të pengonte opozita, kur përballë nuk kishte një kundërshtar normal politik, por një bandë plaçkitësisht dhe hajdutësh, me në krye Edi Ramën?! Kjo ka qenë beteja jonë për 2 vjet. Ishte e qartë se zgjedhjet e 2017-s u vodhën, ishte e qartë se parlamenti i 2017-s ishte produkt i krimit.

Këtë e kam thënë prej ditës sime të parë në parlament, i keni arkivat. Pra i dhamë një shans prokurorisë, të bënte punën që duhet të bënte. Nuk e bëri. Përkundrazi, u kap brenda 4 muajsh, tërësisht brenda një viti dhe sot ka mision kryesor, të mbulojë, të ndalë, të varrosë hetimet për korrupsionin dhe për lidhjet kriminale të Edi Ramës.

E vetmja garanci, kur shkelen të gjitha rregullat e demokracisë, ishte Gjykata Kushtetuese. E asgjësoi edhe Gjykatën Kushtetuese. Pra është naivitet dhe iluzion t’u thuash shqiptarëve se opozita mund të bënte më shumë brenda, se ç’po bën jashtë. E kundërta është e vërtetë.

Duke u distancuar nga ky parlament, që nuk i them më kot Landfilli i Republikës, parlament hajdutësh, grabitqarësh, në rastin më të mirë, parlament delesh, e them për ata që s’kanë inteligjencien të kuptojnë se po votojnë vjedhjen, se të tjerët nuk janë dele, janë bashkëfajtorë, ishte të distancoheshim dhe të rreshtoheshim në krah të interesit publik.

Padyshim që kjo ka sjellë vlerë të jashtëzakonshme. Së pari ka vetëdijësuar të gjithë shqiptarët se nuk jemi të gjithë njësoj, se ka një pjesë të politikës, që është opozita, që është Partia Demokratike dhe aleatët, që kanë sakrifikuar privilegjet, mandatet, karriget, imunitetin, për t’u rreshtuar në një betejë shumë më të madhe se beteja për pushtet, në betejën për interesin publik, në betejën për njerëzit, në betejën për Shqipërinë e të gjithë shqiptarëve, jo për Shqipërinë vetëm të hajdutëve, që duan këta.

Dhe së dyti, sepse dashur padashur, në këtë botë plot me sfida dhe prioritete globale, ka rikthyer vështrimin e faktorit ndërkombëtar, që në Shqipëri ka një krizë të thellë, jo thjesht politike dhe kushtetuese, po ka një shtet të kapur nga mafia, ka një narkoshtet, dhe ky është një problem i madh stabiliteti dhe sigurie për Shqipërinë, për rajonin dhe për Evropën.

Dhe së treti, na ka dhënë mundësinë, që si me shqiptarët, ashtu edhe me faktorin ndërkombëtar, të dialogojmë për rrugët e daljes nga kjo krizë, për planin e Partisë Demokratike dhe të opozitës së bashkuar për të rikthyer edhe sigurinë kombëtare, edhe stabilitetin, përmes një qeverie që lufton krimin, që lufton oligarkinë dhe që i hap rrugë lirisë, konkurencës, si mundësi zhvillimi për të gjithë shqiptarët.

Dhe që të kemi një qeveri të tillë, duhet të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme, një parlament jo nga krimi dhe oligarkia, të krimit dhe të oligarkisë, për krimin dhe për oligarkinë, por një parlament të njerëzve, nga njerëzit dhe për njerëzit.

Pyetje: A është opozita e bashkuar, duke qenë se LSI-ja ka bërë një kërkesë që të marrë pjesë në zgjedhje dhe nga ana e Partisë Demokratike nuk u bë një kërkesë e tillë. Ka një përçarje brenda opozitës?

Lulzim Basha: Nuk ka asnjë përçarje në gjirin e opozitës. Qendrimi ynë është i qartë dhe publik. 13 Tetori është e vetmja datë kushtetuese për zgjedhjet në Shqipëri. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe të gjitha institucionet e tjera duhet të zbatonin dekretin e presidentit.

Moszbatimi i ngarkon me përgjegjësi ligjore dhe penale dhe të gjithë do të vihen përballë përgjegjësisë ligjore dhe penale. Zgjidhja mund të vonojë, por nuk do të mungojë momenti, kur ata do të vihen përpara përgjegjësisë ligjore dhe penale. Por duhet të dallojmë vendimet partiake, të drejtën e partive politike për të mbajtur qendrimet e tyre politike në raport me çdo proces, duke përfshirë edhe zgjedhjet, dhe shtetin e së drejtës, detyrimet kushtetuese dhe ligjore të KQZ dhe institucioneve të tjera. Vendimet partiake për të hyrë apo jo në zgjedhje janë vendime partiake.

Nëse partitë nuk hyjnë në zgjedhje, nuk kanë shkelur as kushtetutën e as ligjin, pavarësisht prej ndikimit politik që ky vendim ka. Ndërsa kur institucionet kushtetuese shkelin kushtetutën dhe shkelin ligjin, ato duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore dhe penale.

Pyetje: Zoti Basha, ndoshta partitë nuk kanë shkelur ligjin, por ato kanë shkelur kauzën e përbashkët të opozitës për të mos hyrë në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër.

Lulzim Basha: Jo, nuk është e vërtetë. Siç e keni marrë përgjigjen edhe nga të gjithë aleatët që keni pyetur tashmë, këto 3-4 ditë, vendimi i opozitës për të mos hyrë në votimet e 30 qershorit ishte një vendim unanim dhe pa asnjë kundërshti. Disa parti kanë bërë kërkesë për t’u regjistruar në zgjedhje, me qëllim që të detyronin KQZ dhe institucionet shtetërore për të mos marrë qendrime antikushtetuese dhe për të mos çuar deri në fund grushtin institucional të 30 qershorit.

Kjo është e vërteta, siç jua kanë shpjeguar edhe aleatët e mi, dhe këtë po dëgjoni edhe sot nga unë. Të jeni të sigurtë se këdo që të pyesni, këtë përgjigje do t’ju japë, sepse, siç e dini fare mirë, hapat që u hodhën janë paraprirë nga një konsultim dhe një rakordim i plotë, mbrëmjen para se të hidheshin këto hapa, në këtë seli.

Pyetje: Zoti Basha, thirrjes së vazhdueshme të ndërkombëtarëve, i është bashkuar gjatë ditës së djeshme edhe presidenti Meta, i cili ju ka kërkuar që të hyni në institucione. Si do i përgjigjeni kësaj ftese të presidentit? Njëherazi, zoti Meta ju ka ofruar edhe modelin sesi të përballeni me pozitën, duke ju treguar opozitën serbe në përballjen e saj me Milosheviçin. Ju njihni dekretin e presidentit, por, nga ana tjetër, nuk merrni pjesë në zgjedhje.

Lulzim Basha: Presidenti po përpiqet në mënyrë aktive që të ndihmojë në zgjidhjen e krizës. Thelbi i qendrimit të presidentit është i njëjtë me qendrimin e Partisë Demokratike dhe aleatëve tanë, që ne kërkojmë të vijmë në pushtet me zgjedhje. Qendrimi ynë ndaj zgjedhjeve të organizuara nga Edi Rama ka qenë i qartë, transparent, i argumentuar dhe tashmë i faktuar, në veçanti pas 30 Qershorit, sepse të gjithë zhvillimet politike të këtyre 3 viteve kanë faktuar gjithçka kemi thënë ne. Shikoni përgjimet e Bildit dhe e kuptoni se gjithçka që thamë për zgjedhjet e 2017-s është e vërtetë, gjithçka që thamë për provën gjenerale të zgjedhjeve të 2017-s, për zgjedhjet e Dibrës në 2016-n, është e vërtetë, përfshirë këtu edhe zhvillimet e 30 ershorit, të gjitha kanë konfirmuar qendrimet tona.

Pyetje: Si do të hyni në institucione?

Lulzim Basha: Me zgjedhje të lira e të ndershme, me një qeveri tranzitore pa Edi Ramën, me zgjedhje të parakohshme në një ditë me zgjedhje kushtetuese vendore.

Pyetje: Si do ta largoni kryeministrin?

Lulzim Basha: Procesi i arritjes së një marrëveshjeje politike, që është mënyra për ta zgjidhur këtë krizë, është një proces i cili padyshim kërkon dialog. Dhe në këtë dialog, Partia Demokratike dhe opozita ua kanë bërë të qartë partnerëve perëndimorë se janë të gatshëm të kontribuojnë.

Nëse ka një palë që e ka refuzuar këtë dialog, para 30 Qershorit dhe pas 30 Qershorit, duke mohuar praninë e kësaj krize, është Edi Rama dhe kupola e organizatës së “Rilindjes”. Dua t’ju them edhe këtë tjetrën, që ky është një zhvillim shumë i rrezikshëm, kjo që po ndodh tani, sepse, nga njëra anë po refuzon zgjidhjen e krizës, përmes normave dhe parimeve evropiane të demokracisë dhe të shtetit të së drejtës, pra jo përmes pazarit, se ai kërkon pazar dhe jo zgjidhje përmes normave dhe parimeve evropiane.

Kur një qeveri dhe një kryeministër është kapur në një të njëqindtën e aferave që është kapur Edi Rama, kudo në Evropë dhe në Ballkan do të ishte larguar, siç janë larguar, kudo ata që janë përfshirë, siç i ka dëgjuar e gjithë bota, në vjedhjen e zgjedhjeve, do të ishin para gjykatës sot.

Çfarë po kërkojmë ne? Po kërkojmë normat, parimet, standardin evropian edhe në Shqipëri. Ndërkohë që standardi që Edi Rama ka vendosur, është standardi i grabitjes me dhunë të pushtetit vendor. Ajo që keni parë këto ditë është grabitja me dhunë e pushtetit vendor. Me 30 Qershor nuk ka patur proces zgjedhor.

Çdo hap pas 10 Qershorit është bërë në shpërdorim të detyrës dhe në shpërdorim të fondeve publike dhe përbën dëm ekonomik, në më të paktën, dhe prokuroria duhet të kishte nisur hetimet. Me 10 Qershor zgjedhjet u anulluan nga i vetmi institucion që ka të drejtë t’i anullojë zgjedhjet, që është Presidenti i Republikës. Dhe për sa kohë që ky vendim nuk është kontestuar nga i vetmi institucion që mund ta kontestojë, që është Gjykata Kushtetuese, ky vendim është në fuqi.

Që do të thotë që çdo veprim, qoftë me pasoja financiare, siç janë shpenzimet për fushatë dhe për ditën e 30 Qershorit, qoftë jo me pasoja financiare, siç janë shkeljet e Kodit Zgjedhor për vazhdimin e fushatës edhe kur nuk ka zgjedhje, përbën vepër penale dhe duhet të hetohet. Po ne e dimë fare mirë se ku nuk ka demokraci, nuk ka as drejtësi.

Dhe sa kohë që Edi Rama të jetë kryeministër, siç nuk ka demokraci, siç nuk ka zgjedhje të lira, nuk do të ketë as drejtësi, as prokurori të pavarur. Por tashmë precedenti i kapjes me dhunë, i shpërthimit të dyerve të bashkive me dhunë, i zaptimit me dhunë të pushtetit vendor, po e fut vendin në një cikël, në një spirale jashtëzakonisht të rrezikshme për sigurinë kombëtare, për stabilitetin e vendit. Kjo është dhuna! Dhunë banditeske, dhunë hajdutërore, dhunë shtetërore. Ndaj zgjidhja e kësaj krize do të vijë ose përmes normave dhe parimeve europiane, ose, përndryshe, vendi do të futet në një cikël jashtëzakonisht të rrëzikshëm me precedentin që ka vendosur Edi Rama.

Në qoftëse shkon dhe futet me dhunë në bashkinë që nuk e ka fituar, sepse nuk ka pasur zgjedhje, kush do ta pengojë nesër popullin që të futet në të njëjtën mënyrë në Kryeministri apo në ministri, Drejtorinë e Rrugëve, apo në Drejtorinë e Përgjithëshme të Hipotekave, Drejtorinë e Kthimit të Pronave, apo Drejtorinë e Tatim Taksave, Drejtorinë e Doganave?! Dhuna shtetërore është përshkallëzimi më i rrezikshëm në këto 6 vite dhe kapja me dhunë e pushtetit vendor është një precedent që hedh në erë çdo shtyllë të mbetur të bashkëjetesës paqësore politike në vend.

Pyetje: Aleati juaj historik, Partia Republikane, ju ka bërë thirrje që të hiqni dorë nga kushti i panegociueshëm për t’u ulur në tryezë me Edi Ramën. Të njëjtën thirrje jua kanë bërë edhe funksionarë të tjerë brenda partisë. Pra, për të mos u konsideruar tabu ulja me Edi Ramën qoftë në pozitat e kryeministrit, apo qoftë në pozitat e kryetarit të PS, për të arritur një marrëveshje për zgjidhjen e krizës politike, pavarësisht nëse e pranon apo jo kryeministri këtë krizë. Ju deklaruat se Edi Rama po kërkon Pazar, a tregon kjo që deri në këtë moment ka pasur negociata për t’u ulur në tryezë me të?

Lulzim Basha: Së pari, ka një vendim të PD, nga forumet e Partisë Demokratike, të cilave unë u përmbahem dhe do të vazhdoj t’u përmbahem. Ky vendim është, po kështu, edhe vendim i Opozitës së Bashkuar. Natyrisht, që në koalicion ka njerëz me përvojë politike, të cilët kanë mendimet e tyre për çeshtje të ndryshme.

Mund të kenë dhe qasje të ndryshme, por vendimi politik është ky që është dhe qëndron. Askush nuk e ka vendosur këtë qëndrim politik në pikëpyetje. Të gjithë qëndrojnë prapa këtij vendimi politik që kemi marrë të gjithë së bashku. Këto nuk janë dhe nuk mund të jenë qëndrime personale dhe nuk motivohen nga interesa apo qëndrime të momentit apo ndjesi personale.

Nuk ka asgjë personale këtu. Këtu janë shtruar disa qendrime politike, pasi është marrë në analizë në mënyrë të kujdesshme situata. Përballë kemi një hajdut të çertifikuar të zgjedhjeve dhe të pasurive të shqiptarëve, i cili në vend që t’i hapte rrugë zgjidhjes politike, ka burgosur politikisht mbi 160 qytetarë, ka përndjekur politikisht mbi 1 mijë të tjerë, gjysma prej të cilëve me masa sigurie arrest në shtëpi apo detyrim paraqitje.

Ka helmuar gjysmën e Tiranës për 5 muaj me radhë me gaz dhe ka përdorur të njëjtat mjete nga Shkodra në Fier, nga Elbasani në Librazhd dhe kudo në Shqipëri. Ndaj qëndrimi i Opozitës së Bashkuar është ai që sapo ju shpreha dhe gjithçka tjetër është pa vlerë në këtë diskutim.

Mund të ketë vlerë gazetareske për të mbushur lajmet e ditës, por nuk ndryshon asgjë në qëndrimet tona politike, të cilat janë të pandryshuara dhe janë të marra me konsensus dhe unanimitet të plotë në gjirin e një opozite të bashkuar, ndryshe nga çfarë synon ta shesë Edi Rama me mercenarët e tij politikë dhe mediatikë, për të cilët po hidhet para e madhe këta muaj të verës për të përdorur të vetmen levë që i ka mbetur, përçarjen e opozitës, përçarjen e Partisë Demokratike. Nuk do t’ia dalë as me njërën, as me tjetrën.

Ne do të qëndrojmë fort, sepse fuqia jonë është kauza e drejtë, kauzë që nuk është thjesht dhe vetëm e opozitës, është e të gjithë shqiptarëve. Nuk na thyejnë presionet, nuk na thyen dhuna barbare e policisë së Llesh Kimikut. Nuk na theu gazi lotsjellës dhe nuk do të na thyejnë një grusht mercenarësh mediatikë dhe politikë të paguar nga paratë e vjedhura nga shqiptarët, nga Edi Rama dhe oligarkët e tij.

Pyetje: Zoti Basha, ju thatë se faktori ndërkombëtar është ndërgjegjësuar për situatën në vend. A pritet që të ketë ndonjë vizitë në shtator për të tentuar uljen tuaj me zotin Rama në tryezë?

Lulzim Basha: Vizita do të ketë shumë, jo vetëm në shtator, do të ketë dhe në gusht vizita të faktorit ndërkombëtar. Por, siç ju thashë, pengesa e vetme për ta zgjidhur këtë krizë të thellë politike, kushtetuese, institucionale me pasoja të rënda për sigurinë dhe stabilitetin e Shqipërisë dhe më tej, është refuzimi i Edi Ramës, refuzimi për të pranuar krizën dhe refuzimi për t’i dhënë zgjidhje krizës sipas normave dhe standardeve europiane.

Pyetje: Zoti Basha, duke qënë se zoti Rama nuk pranon të flijojë postin e tij si kryeministër për t’u ulur në dialog me ju, siç keni kërkuar ju, thatë se rrezikohet vendi. A rrezikohet edhe Partia Demokratike?

Lulzim Basha: Kur rrezikohet vendi, rrezikohemi të gjithë. Rrezikoheni edhe ju që jeni në këtë sallë, rrezikohet çdo qytetar. Për fat të mirë, Partia Demokratike ka qënë dhe vazhdon të jetë në ballë të kësaj beteje, së bashku me aleatët tanë, si e vetmja shpresë dhe si e vetmja mburojë e interesit publik, nga Teatri tek Unaza e kudo tjetër.

A ka një plan të Edi Ramës? Ka gjashtë vjet Edi Rama, që kur është bërë kryeministër, prioritet kryesor, përpos vjedhjes dhe grabitjes, ka pasur diversionin, përçarjen, sulmet ndaj PD dhe ndaj meje, personalisht. Vetëm këtu mos kërkoni lajm. Çdo verë mund të shikoni pak a shumë të njëjtët figura, të njëjtët personazhe, të njëjtët mercenarë politikë dhe mediatikë që bëjnë pak a shumë të njëjtat linja sulmi. Janë tre linja sulmi. Studentët e shkencave politike i kanë mësuar përmendësh tre linjat e sulmit që financon Edi Rama me paratë që ju grabit ju dhe qytetarëve shqiptarë, kundër opozitës dhe kundër Lulzim Bashës. Këtu nuk ka lajme.

Pyetje: Mund të ketë dhe Basha ik në shtator?

Lulzim Basha: Dhemb shumë ajo Rama ik, kështu që tani do të dëgjoni lloj lloj. Lexova një denoncim, 700 mijë euro kishin paguar për të bërë atë, për të shpallur dashurinë ndaj Edi Ramës.Dhemb shumë ajo Rama ik. S’ka si të mos dhembë, se është në gojën e të gjithë shqiptarëve. Nga fëmija më i vogël tek ai më i mohuari. Kudo ku kam qënë në Shqipëri, “Rama ik” është kthyer në refren.

Pyetje: Zoti Basha, pak më herët ju përmendët rastin e bashkive që sipas jush janë uzurpuar dhe, në këtë mënyrë, nuk do të pengojë askush qytetarët që të futen në institucionet shtetërore duke krahasuar me bashkitë. A do të thotë kjo se në shtator nëse nuk do të ketë një dialog, opozita do t’i rikthehet protestave?

Lulzim Basha:Që opozita do të vazhdojë me protestat dhe jo do t’i rikthehet, sepse nuk është larguar asnjëherë, për këtë nuk ka pikë dyshimi. Ndërsa ajo që thashë, që të jemi të qartë, – t’i do të jesh i qartë pavarësisht se TV do ta shtrembërojë, sepse hyn tek klientët më besnikë të qeverisë, ndër më të hershmit e qeverisë, të paktën këtë duhet t’ia njohim si meritë që ka qënë klient i Edi Ramës që në opozitë – është se në kërkojmë një zgjidhje politike.

Ndërsa precedenti që Edi Rama ka vendosur, zaptimin me dhunë të institucioneve të pushtetit vendor, është i rrezikshëm për stabilitetin dhe sigurinë. Dhe mesazhi që i jep qytetarëve është fare i thjeshtë: në një vend ku duhet të ketë barazi para ligjit, duhet të kemi të njëjtin standard. Nëqoftëse njëra palë, pushteti, dhunon pushtetin vendor, zapton pa zgjedhje të ligjëhme me dhunë pushtetin vendor, çfarë mesazhi u jep qytetarëve?!

Çfarë mesazhi u jep atyre që kanë me vite para institucionit të kthimit të pronave?! Të futen dhe ata aty! Pse ajo është dhunë dhe kjo tjetra nuk është dhunë?! Apo te Tatim-Taksat, doganat, ministritë, ku kryhen padrejtësi të përditshme, apo në vetë kryeministri, apo në vetë Parlament?!Pse futja me dhunë në institucionet e pushtetit vendor pranohet dhe kjo tjetra nuk pranohet?!

Ky është precedent i rrezikshëm që ka hapur Edi Rama me kapjen me dhunë të pushtetit vendor. Qëndrimi im, qëndrimi i opozitës është fare i qartë: Ne do të insistojmë në zgjidhje politike të krizës, sipas normave parimeve dhe standardeve europiane. Kjo do të thotë me zgjedhje të lira e të ndershme, me një qeveri tranzitore pa Edi Ramën kryeministër, në një ditë me zgjedhjet vendore. Dhe, padyshim, do të vazhdojmë të thërrasim qytetarët në protesta që, siç i keni pare, janë bërë gjithmonë e më të mëdha, gjithmonë e më të fuqishme.

Pyetje: Këto ditë kemi parë disa pamje jo fort të këndshme, ku po hapen dyert e bashkive me kaçavidë. Në 30 Qershor janë bërë votime, nga ku, në mënyrë të ligjshme apo të paligjshme, janë çertifikuar me vendime gjykatash disa kryetarë bashkish. Nëse nesër bëhen zgjedhje të parakohshme, por ata nxjerrin si justifikim këto vendime gjykatash, si do të veprohet?

Lulzim Basha: Kushtetuta është e qartë. Ka vetëm një institucion që e përcakton ditën e zgjedhjeve me Kushtetutë dhe ky është Presidenti. Ka vetëm një institucion që mund ta kontestojë këtë, është vetëm Gjykata Kushtetuese. Gjithçka tjetër ka zero vlerë.

Ato vendime kanë aq vlerë sa, po ta shkruash ti vendimin., shkruaje ti një vendim, na e jep ne dhe shkruaje aty, le të themi: Anisa është kryeministre e Shqipërisë dhe po e marrim e shkojmë në kryeministri dhe themi se ja ku është vendimi. Çfarë lidhje ka? Nuk e ke ti këtë të drejtë?! Asnjë gjykatë nuk e ka këtë të drejtë. Ju e keni parë sesi janë turpëruar gjykatat.

Nga njëra anë e kanë kontestuar mandatin e Durrësit dhe, të nesërmen, në mënyrë të paparë, e njëjta gjykatë, në të njëtën shkallë ka dhënë një vendim ndryshe. Kjo është tallje me shqiptarët. Kjo tregon vetëm banalitetin, në të cilën është zhytur drejtësia shqiptare nën presionin e Edi Ramës. Kjo nuk tregon asgjë tjetër, veçse drejtësia, ato segmente të drejtësisë nën presion politik, me këto vendime kanë po aq pak vlerë sa landfilli i Republikës dhe ata që janë brenda në landfill.

Pyetje: Për t’u kthyer edhe njëherë tek koncensionet dhe PPP-të korruptive që ju thoni se kur të vini në pushtet do t’i kaloni në skaner, çfarë i mungon kuadrit aktual ligjor të Republikës së Shqipërisë për të realizuar gjithë këto hetime apo goditje që po paralajmëroni se do të bëni?

Lulzim Basha: Shumë i mungon kuadrit ligjor, por akoma më shumë i mungon vullnetit politik. Kështu që operacioni ynë do të ketë tre komponentë kryesorë:

– Amendime ligjore dhe ligje të reja, të cilat i shpjegova dhe dje, për të cilat do të ketë një plan të detajuar në shtator.
– Procesin e hetimit dhe të auditimit të gjithë këtyre kontratave, koncensioneve, tenderave, PPP-të, por edhe të pasurive të personave privatë dhe publikë të përfshirë, shqiptarë dhe të huaj.

– Elementi i tretë do të jetë një kuadër bashkëpunimi me agjencitë e huaja, Europolin, Interpolin, agjencitë e vendeve kryesore europiane dhe të SHBA që sot nuk ekziston apo që është në faza rudimentare për të mundësuar atë lloj bashkëpunimi që do t’i shkojë parasë së zyrtarit apo të koncensionarit të korruptuar deri në fund, do ta gjurmojë deri në fund pavarësisht se në cilin kontinent fshihet dhe në çfarë forme është ngurtësuar, investuar apo e fshehur në llogari bankare.

Pyetje: Nga Selenica, pak ditë më pare, ju deklaruat se kryebashkiakët e ligjshëm janë ata që ishin në qeverisjen lokale deri atë ditë kur e bëtë deklaratën, deri kur të mbaheshin zgjedhje të lira e të ndershme. A mendoni se e keni humbur këtë bast kur në zyrat ku drejtuan për 4 vite kryebashkiakët tuaj, kanë hyrë kryebashkiakët e tjerë të dalë nga votimet e 30 Qershorit?

Lulzim Basha: Unë nuk vë bast dhe nuk bëj lojë me çeshtje të rëndësishme për njerëzit siç është pasja e një pushteti që buron nga qytetarët dhe jo nga hajdutët, jo nga kriminelët dhe nga oligarkët. Baste të tilla i vë Edi Rama me oligarkët dhe me shokët e oligarkëve.

Unë kam një qëllim të qartë, kam një objektiv të qartë bashkë me PD-në, bashkë me Opozitën e Bashkuar. Ne do t’i shkojmë këtij objektivi deri në fund, sepse nuk është thjesht dhe vetëm objektivi i opozitës, është objektivi dhe kauza e çdo shqiptari, çlirimi i çdo shqiptari, çlirimi i vendit nga banda në pushtet, rikthimi i legjitimitetit sinë nivel qëndror edhe në nivelin lokal, përmes zgjedhjeve të lira. Kjo do të thotë rikthim i sovranitetit tek qytetarët, që sot janë të dhunuar, të vjedhur, të grabitur, për këto arsye të papunë, më të varfër dhe më të pashpresë sesa ç’kanë qënë ndonjëherë në këto 20 vite.

Pyetje: Keni ndonjë informacion nëse pronari real i kompanisë Jehona Shpk, mund të jetë zoti Dollapi?

Lulzim Basha: Jo! Kjo është një shpifje totale, tipike për pronarin e Temës, sepse ai është mësuar me lojra të tilla. E vërteta është që ka një luftë midis fiskalizimit aktual dhe fiskalizimit të ardhshëm. Kjo është luftë mes interesave të Arben Ahmetajt dhe ndonjë zyrtari të korruptuar të Partisë Demokratike në vitet kur ishim ne në pushtet – do t’i shkojmë deri në fund dhe do t’jua themi emrin, kur ta gjejmë, sepse të korruptuarit do të trajtohen njësoj nga, pavarësisht nëse janë socialistë apo kanë qenë demokratë – dhe klanit të Edi Ramës me familjarët e tij dhe mafian kroate, që e ka në paradhomën dhe zyrën e tij. Ky është konflikti që pronari i Temës e di fare mirë.

Pyetje: Z. Basha, ju thatë që do ta pengoni 30 qershorin, ndërkohë që nuk e penguat dot, thatë që nuk do t’i lironi zyrat e drejtuara nga demokratët dhe ato zyra sot janë liruar dhe kanë hyrë të zgjedhurit e 30 qershorit socialistë. Pse duhet t’ju besojnë demokratët dhe shqiptarët, kur ju thoni se nuk do të ketë një marrëveshje me kryeministrin Rama?

Lulzim Basha: Sepse të dyja parashtrimet që bëre janë të gabuara dhe vijnë direkt nga kuzhina e Edi Ramës. Dhe është një linjë grafike e mënyrës sesi mundohet ta zhvendosë vëmendjen e diskutimit nga ajo që është tek ajo që do të jetë ai. Pra, e gjithë beteja e Edi Ramës zhvillohet që opozita, kryetari i opozitës, kryetari i PD-së, vendimet e PD-së, vendimet e opozitës, të gjitha vendimet tona kanë qenë në interesin publik.

Edhe vendimi për të mos u përballur qendër më qendër votimi ka qenë në interesin publik që të shmangnim të vdekurit, që të mos shtinim në dhè atë ditë njerëz të moshës sime apo të moshës tënde për pushtetin e Edi Ramës. Sepse i kishte mbushur me kriminelë qendrat e votimit dhe nuk kishte garanci që pas 5 minutave të shkëmbimeve me fjalë, nuk do të shkëmbeheshin gjëra të tjera në mes njerëzve.

Dhe ai donte pikërisht këtë! sepse viktimat dhe gjaku më 30 Qershor, në gjykimin e hajdutit psiqik, do të bënin të harrohej “Bild”, të harroheshin këto koncesionet dhe vjedhjet e mëdha. Dhe do të detyronte Lulzim Bashën të ulej në tavolinë me të. Se edhe udhëheqësit më të papërgjegjshëm të juntave afrikane ulen me njëri-tjetrin, kur ka gjak në rrugë. Ky ishte plani i Edi Ramës.

Ne ishim pro interesit publik, që asnjë shqiptar të mos shtihej në dhè për pushtetin e Edi Ramës apo për pushtetin tim, siç e kam thënë prej fillimit. Por edhe shqiptarët na u përgjigjen. Braktisje dhe refuzim, dështim total si më 30 Qershor nuk i ka ndodhur asnjë partie politike në 30 vite. Kjo është energjia, ky është mesazhi që kanë nisur shqiptarët, kjo është energjia opozitare.

Tani është detyra jonë që këtë energji të ecim përpara edhe për realizmin e objektivit tonë, që është një objektiv europian, zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Çfarë po kërkojmë? Zgjedhje të lira dhe të ndershme. Çfarë kushti kemi vënë? Kushte europiane, që të mos qeverisemi nga hajdutë në zgjedhje te ardhshme.

Një hajdut i çertifikuar, e ka parë gjithë Shqipëria, e ka parë e gjithë bota, ky vjedh edhe veten e vet. Kur nuk ka kë të vjedhë, vjedh edhe veten e vet. E patë. Vetë kandidoi, vetë votoi, vetë numëroi dhe vetë vodhi. Dhe nxjerrjen para drejtësisë të atyre që janë kapur duke vjedhur zgjedhjet.

Këto janë qëndrimet tona, janë qëndrime të drejta. Janë qëendrime për interesin e shqiptarëve dhe ne do të vazhdojmë t’i shërbejmë interesit të shqiptarëve deri në fund, duke sakrifikuar shpesh edhe nga interesi ynë. Por kjo nuk është shenjë dobësie. Kjo është shenje force, është shenjë përgjegjshmërie dhe është shenjë e një politike të standardit europian, që po vjen dhe do të vijë me Partinë Demokratike dhe me lidershipin e saj aktual dhe me aleatët tanë.

Pyetje: Djegia e mandateve, bojkoti i zgjedhjeve nuk është përkrahur dhe nga shuma figura nga opozita dhe brenda Partisë Demokratike. A i trembeni ju një nisme “Basha ik” brenda partisë?

Lulzim Basha:Iu përgjigja kësaj pyetje pak më parë dhe e kuptoj që është një pyetje që ju e merrni me shumicë. Referojuni përgjigjes sime të mëparshme.

Pyetje: Zoti Basha, zoti Meta dhe zoti Rama janë shprehur se nuk kanë frikë nga SPAK-u. Ju keni frikë?

Lulzim Basha: Mungesa e SPAK-ut është një nga veprat më të mëdha tinzare të Edi Ramës. Partia Demokratike ka votuar ligjin për SPAK –un dhe BKH-në, pikërisht sepse amendamentet tona u morën parasysh, ndërkohë që në 6 ligje të tjera, ato nuk u morën parasysh dhe kanë çuar në kapjen totale të drejtësisë.

Ndaj e kam thënë dhe e përsëris, kur them se kjo krizë do të mbarojë me standarde, norma dhe parime europiane, e kam thënë dhe e përsëris, do të mbarojë me politikanë me pranga në duar. Në qoftë se mbaron me pandëshkueshmëri, do t’i hapë rrugën një krize tjetër. Ata që kanë vjedhur votat e shqiptarëve, ata që kanë vënë dorë mbi pasuritë e shqiptarëve do të shkojnë të gjithë para drejtësisë, nga I pari tek I fundit, pa përjashtim.

Ju faleminderit!

Exit mobile version