Dy ngjarje që tregojnë brishtësinë, ose dobësinë e Policisë së Shtetit

Nga Ilir Yzeiri

Policia e Shtetit shqiptar, në këta 30 vjet tranzicion, është struktura që ka qenë më e eskpozuara ndaj opinionit publik. Krimi i madh shtetëror që bëri qeveria demokratike duke e shkatërruar institucionin e Ministrisë së Brendshme, ashtu sikundër edhe atë të Ministrisë së Mbrojtjes, i ktheu këto dy shtylla të shtetit shqiptar në një model banal hxhiqamilist dhe i hoqi palcën dinjitetit të shtetit. Asnjë vend në Ballkan dhe as në Europën Lindore nuk bëri atë krim që bënë demokratët dhe arkitekti i zi, Sali Berisha. Është histori më vete dhe një aventurë që kërkon shumë kohë për të analizuar këtë krim, por edhe krimet e tjera që u bënë mbi ekonominë ish-socialiste.

Në emër të luftës kundër komunizmit u vodh, u shkatërrua dhe u nxor në rrugë pasuria e shqiptarëve, por jo komunizmi si ideologji, sepse komunisti më i egër shqiptar i tranzicionit, Sali Berisha, është ende aktiv. Kjo bëri që, për 30 e ca vjet, ne nuk po arrijmë të ndërtojmë një polici shtetërore të besueshme. Për fat të keq, duke shkatërruar këto institucione, ne hodhëm në erë besimin dhe idealin.

Policia e Shtetit dhe Ministria e Mbrojtjes, sipas ideologjisë berishiste ishin vende ku mund të bëje lekë e të pasuroheshe. Ideja e ëngjëllit mbrojtës, e atij që ka zgjedhur me idealizëm që të mbrojë jetët tona, ra dhe, në vend të tij, u fut heroi i së keqes, ai që e përdor policinë dhe postin e tij për t’u pasuruar. Përpjekjet e mëdha të qeverisë Rama për ta modernizuar Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Mbrojtjes janë ende të pamjaftueshme. Shoqëria shqiptare ka krijuar një strukturë sociale të ndryshme nga ajo e socializmit. Sot, ndarja në të pasur e në jo të pasur, në shtresa të mesme dhe në shtresa të vobegëta nuk është shumë e qartë. Në Shqipëri, ashtu si edhe në vende të tjera, është krijuar e krijohet vazhdimisht një shtresë me prirje përfitimin e paligjshëm e kriminal.

Nëse do të bësh një pasyqrë sociale të shtresave shoqërore në qytetet shqiptare, do të vëresh, veç të tjerash, se kategoria e pasunarëve të rinj dhe familjarëve të tyre që kontrollojnë dhe diktojnë nganjëherë bizneset e qeverisjeseve vendore, por edhe atyre më lart bashkë me kontigjentet kriminale që kontrollojnë anë të jetës së qyteteve të ndryshme apo trafiqet, jo gjithnjë e ndiejnë frikën e ligjit dhe të shtetit. Dy ngjarjet e fundit: rrahja barbare e një vajze në mes të Tiranës nga dy femra kriminele që vijojnë sot e gjithë ditën që të sfidojnë policinë dhe rrahja barbare deri në vdekje e të riut në Pogradec dhe fshehja e policisë apo bashkëpunimi i saj me kriminelët në fillim, tregojnë se heronjtë e së keqes që qarkullojnë pa frikë në qytetet tona janë një kontigjent që nuk e njohin autoritetin dhe frikën e Ligjit.

Në të dyja rastet më bëri përshtypje kjo gjë: në radhë të parë, qëndrimi i viktimës që u dhunua nga dy femrat kriminele dhe në rastin e dytë motra e të ndjerit. E para, me një dinjitet prekës shfaqej para nesh si femra që ka zgjedhur lirinë dhe dinjitetin në jetë dhe që nuk e tremb dhuna. Fytyra e saj e gjakosur ishte një apel për mbrojtje, dhe nuk u ligshtua nga ajo që i ndodhi. Ishte i vetmi rast kur viktima, ashtu e gjakosur, fitonte mbi dy agresore që tani, në përfytyrimin e përgjithshëm, identifikohen me hijenat dhe me gangsterët e makinave me xhama të zinj që popullojnë ambientet e natës në këtë vend. Ndërsa e motra e viktimës në Pogradec bëri një rrëfim rrëqethës mbi vdekjen e të vëllait dhe aty ne morëm vesh se antropologjia e krimit dhe frika ka përfshirë edhe qytete të tëra si Pogradeci në këtë rast. Pasi u rrah për vdekje, ai u la në rrugë për disa minuta dhe askush nuk i afrohej. Pse? Si ka mundësi që njerëzit përreth nuk e ndihmuan, nuk u futën në mes që të përlesheshin me agresorët? Dhe pasi agresorët ikën, askush nuk afrohet. As ambulanca. E motra tha dhe ne të gjithë e dëgjuam deklaratën e parë të Policisë së Pogradecit se viktima u rrëza e vdiq sepse ishte i pirë.

E kuptoni se sa thellë ka hyrë frika nga kriminelët e rrugës dhe nga ata që kontrollojnë pushtetitn dhe paratë në qytete të vogla si Pogradeci? E kuptoni se në dorë të kujt ndodhet sot ai qytet ? Ajo bandë që vrau të riun në Pogradec dhe ato bandite që masakruan një vajzë të pfajshme në një lokal në Tiranë në mes të kryqytetit janë vetëm maja e ajsbergut e një shtrese që qëndron mes nesh dhe shtetit. Nuk e dimë se deri në cilën pikë na sfidon. Por deri tani, policia e shtetit është e humbur. Bashkë me të edhe ne të gjithë.

Artikulli paraprakProtestat e dhunshme të studentëve për largimin e saj shkaktuan qindra viktima, ish-kryeministrja e Bangladeshit hetohet për vrasje
Artikulli tjetërAnaliza e DW: Si e djathta ekstreme në Britani përfitoi nga zemërimi?! Trazirat u shndërruan në konflikt etnik e racor! U dogjën vendstrehimet e azilkërkuesve