Gjykata e Tiranës la edhe dje në fuqi masën “Arrest shtëpie” për dy oficerët e Forcave Operacionale që janë në hetim për shpërdorim detyre në lidhje me çështjen e pajisjes përgjuese “IMSI Catcher”. Paraditen e djeshme, gjyqtari Arjan Aliaj zhvilloi seancë verifikuese në lidhje me masën e sigurisë dhënë në mungesë ndaj shefit të IT-së të Forcave Operacionale, Ention Xhelili dhe drejtorit të Forcave Operacionale të Policisë, Artion Duka. Në përfundim të seancës gjykatësi vendosi që dy zyrtarët e policisë të vazhdojnë të qëndrojnë në të njëjtën masë sigurie siç kishte vendosur gjatë seancës së parë të masave të sigurisë të kërkuara nga Prokuroria.
Xhelilaj ka mbërritur i pari në gjykatë me një valixhe në dorë, ku mbante disa dokumente, që do t’i përdorte për mbrojtjen. Në mënyrë ironike, ai ka nxjerrë nga kjo valixhe edhe një trëndafil, duke nënkuptuar se nuk ka përgjuar njeri. Gjykatësi Arian Aliaj vendosi që seanca të jetë me dyer të mbyllura, sipas kërkesës së dy të arrestuarve. Gjyqi ka zgjatur përtej parashikimeve, për shkak të debatit mes prokurorit Gjergj Tako, avokatëve dhe dy oficerëve të policisë.
Përveç argumenteve të bëra të ditura më herët, prokurori ka sqaruar se Duka dhe Xhelilaj nuk kanë qenë të pajisur me çertifikata sigurie, për të kryer përgjime. I menjëhershëm ka qenë reagimi i dy oficerëve, të cilët kanë mohuar akuzat, duke pretenduar se e vërteta do të zbardhet shumë shpejt. Avokatët mbrojtës të tyre, në fund të procesit thanë se do të apelojnë vendimin.
Ndërkohë, në Gjykatën e Apelit është caktuar data kur do të shqyrtohet kërkesa e drejtorit të Policisë, Haki Çako, i cili u pezullua nga detyra nga Gjykata e Shkallës së Parë. Më 16 qershor, ai do të dalë para togave të zeza, që do të vlerësojnë kërkesën e tij për rikthimin në detyrë.