Ishte momenti i duhur për Realin të shkëputej nga Barcelona dhe Atletiko, por Las Palmas i përcolli për në shtëpi me vetëm një pikë mbrëmjen e së shtunës. “Galaktikët” kaluan dy herë në avantazh në Las Palmas Gran Kanaria me anë të Asensio (33′) dhe Benzema (67′), por Tanausu (38′) dhe Araujo (85′) i barazuan. Kampionët e Europës kanë qenë shumë të zhgënjyer nga ky rezultat. Humbja e dy pikëve mund të ndikojë në përcaktimin e titullit kampion në fund të sezonit. I këtij mendimi ka qenë sulmuesi Alvaro Morata, i cili luajti për 80 minuta.
“Humbëm dy pikë shumë të vyera që do na duheshin për të fituar titullin. Duhet ta kishim fituar ndeshjen ndaj Las Palmas”, kritikoi Morata pas ndeshjes. Pavarësisht dy barazimeve radhazi, Reali i Madridit kryeson La Ligën me 14 pikë, pa asnjë humbje. Madrilenët kanë shënuar 4 gola më pas se Barcelona, por kanë një pikë më shumë se ta.
Sulmuesi 23-vjeçar u bën thirrje kolegëve që mos nënvlerësojnë kundërshtarët. “Po ecim shumë mirë, por në ndeshje të tilla nënvlerësojnë shumë shanset për gola. Të kalosh dy herë në avantazh dhe në fund të fitosh një pikë, është pak për ne. Kjo rrjedhje pikësh mund të ndikojë për titullin kampion.
Gara është e fortë dhe sa më shumë të shkëputemi nga rivalët tanë të drejtpërdrejtë, aq më mirë është. Megjithatë ky do të jetë një mësim për ne. Në dy ndeshjet e fundit kemi humbur katër pikë dhe nuk janë pak”, përfundoi Morata.
Skuadra e Valencias arriti fitoren e dytë brenda pak ditësh në La Liga pas shkarkimit të Pako Ayestaran. Pas suksesit me Alaves, valencianët triumfuan 1-2 në fushën e Leganes, duke lënë pas krizën e rezultateve të fillmsezonit, ku në katër ndeshjet e para nuk kishte mundur të merrte qoftë një pikë.
Sfida nisi keq për të besuarit e trajnerit Voro, që në minutën e 21-të u ndëshkua nga Szymanowski. Valencia ktheu barazpeshën me Nanin në minutën e 34-rt, me portugezin që i gjendur në kohën dhe vendin e duhur nuk hezitoi për ta dërguar topin në rrjetë.
Fraksioni i dytë nisi me një tjetër gol për Valencian, që mban firmën e Mario Suarez. Valencia ishte me fat në këtë sfidë, pasi në të 62-ën Alexander Szymanowski autori i golit të parë të ndeshjes, dështoi nga pika e bardhë e penalltisë përballë Diego Alvesit. Rastet e pastra për shënim nuk munguan gjatë pjesës së mbetur të ndeshjes, por rezultati mbeti ai i minutës së 62-të. 1-2 për Valencian.