Dy protesta para Kryeministrisë: Naftëtarët duan pagat, ekspertët kundër HEC mbi Vjosë

Godina e Kryeministrisë ishte epiqendra e dy protestave. Naftëtarët e Ballshit për të dytën ditë radhazi kërkojnë nga qeveria të marrin pagat e 10 muajve. Protesta tjetër ishte ajo e ekspertëve të mjedisit, shoqërisë civile dhe turistëve të huaj kundër ndërtimit të hidrocentralit mbi Vjosë në Poçëm të Mallakastrës. Protestuesit thonë se ky projekt rrezikon të përmbytë shtëpitë e banorëve të zonës dhe shkatërron biodiversitetin. Pjesë e kësaj proteste ishte dhe një shtetase amerikane e cila dha këtë apel për të gjithë qytetarët shqiptarë.
Qindra punëtorë të rafinerisë së naftës në Ballsh protestuan të enjten përballë godinës së Parlamentit, nga ku marshuan drejt ministrisë së Energjisë dhe Industrisë dhe godinës së kryeministrisë, duke kërkuar ndërhyrjen e qeverisë për zgjidhjen e problemeve të ARMO-s.
Ata e përshkruan bulevardin kryesor të kryeqytetit me thirrjet “duam punë, duam bukë”, “jo korrupsionit” dhe “duam jetë me dinjitet”. Të papaguar prej 10 muajsh, pasi ish-gjiganti i privatizuar i naftës pezulloi prodhimin prej borxheve të akumuluara ndaj bankave, punëtorët kanë protestuar vazhdimisht në kërkim të një zgjidhjeje.
Naftëtarët kërkuan marrjen e rrogave të papaguara dhe ndërhyrjen e shtetit për rifutjen në punë të rafinerisë.
“Kërkojmë nga kryeministri Rama të mbajë premtimin e dhënë për ndërhyrjen në zgjidhjen e krizës që ka varfëruar naftëtarët e Ballshit,” tha Kastriot Avdiu, punonjës i rafinerisë.
“Ne duam të punojmë ashtu sikurse kemi bërë prej vitesh, duam ta fitojmë jetesën tonë me djersë dhe për këtë duhet të ndërhyjë shteti në mënyrë urgjente” shtoi ai.
Uzina e naftës është burimi kryesor i punësimit në zonën e Ballshit, ndaj mungesa e pagesave të 1200 punëtorëve ka paralizuar ekonominë e qytezës, duke i çuar naftëtarët drejt skajit të varfërisë, mbulimit në borxhe dhe ndërprerjessë financimit të shkollimit të fëmijëve të tyre.
Pjesë e protestës ishin edhe 29 punëtorë të Filialit të Import-Eksport Tregtimit të Karburantit (FIETEK) të kompanisë ARMO në Vlorë. Të gjithë me mbi 25 vite pune në industrinë e përpunimit të naftës, ata i thanë BIRN se jetesa e tyre është bërë e pamundur dhe se qeveria duhet të marrë masat për të rikthyer në punë naftëtarët.
“Kërkojmë të marrim  rrogate papaguara, sepse jemi mbytur sa më s’ka në borxhe. Qeveria duhet të marrë në dorë ARMO-n që të rifuqizojë të gjithë filialet si atë të Ballshit, Vlorës dhe Librazhdit,” tha një punëtor 58-vjeçar për BIRN, i cili kërkoi të mbetej anonim.
“Ne kemi informacion që vetëm 250 punonjës të Fierit vazhdojnë të marrin rrogat dhe të nxjerrin naftë për përfitim të kompanisë, ndërsa ne të tjerëve na kanë hedhur në rrugë,” shtoi ai.
Në Ditën e Punëtorëve më 1 maj, qindra naftëtarë të Ballshit shprehën zemërimin e tyre me gjendjen e kompanisë dhe akuzuan qeverinë se po merr shumë kohë për të ndërhyrë në  zgjidhjen e gjendjes së vështirë ku ndodhen punëtorët.
“Ne duam vetëm ta nxjerrim bukën e gojës me dinjitet dhe të punojmë për të mbajtur familjet tona. Derisa kjo të bëhet realitet, nuk do të largohemi nga sheshi përballë kryeministrisë,” paralajmëruan naftëtarët.

Exit mobile version