Dy raste dhune barbare të denoncuara, policia bën sehir

Pasiguria për jetën në Shqipëri vijon të jetë në përmasa të frikshme. Rastet e dhunës nga më të ndryshmet dhe viktimat e këtyre rasteve janë të shumta fatkeqësisht në vendin tonë, por kur këto raste nuk përfillen apo neglizhohen nga institucionet që në fakt kanë për qëllim të të ofrojnë mbrojtje, situata bëhet edhe më e rëndë. Emisioni investigativ “Stop” këtë të mërkurë sjell dy raste dhune të denoncuara nga dy qytetarë.
Natasha Përleka nga qyteti i Lezhës i është drejtuar emisionit “Stop” për të denoncuar rastin e saj, me shpresën se këtu do t’i dëgjohet zëri. Për mikrofonin e “Stop” ajo rrëfen se ka rënë viktimë e një rasti kur është përpjekur për të ndihmuar një person, duke i dhënë 500 mijë lekë borxh.
Por, personi që ka marrë paratë jo vetëm që nuk ia ka shlyer ato, por si shpërblim e ka rrahur në mënyrë barbare, shenja të cilat janë të dukshme ende në fytyrën e Natashës dhe madje e ka përplasur edhe me makinë.
Natasha i është drejtuar Policisë së Lezhës, por kjo e fundit e ka dërguar atë në spital dhe e kanë mbyllur me kaq rastin, pa e regjistruar. E shoqëruar nga gazetarja e emisionit, në Policinë e Shtetit i bëjnë të mundur regjistrimin e denoncimit.
Rasti i dytë i transmetuar në emision ka të bëjë me të njëjtin fenomen, atë të dhunës, këtë herë në kryeqytet.
Viktimë e dhunës makabre me sende të forta ka mbetur një i moshuar. Ky i fundit është goditur me tub hekuri nga një person me probleme të shëndetit mendor.
Djali i tij, Ruzhdi Dapi i është drejtuar emisionit “STOP”, pasi as në këtë rast sipas tij policia nuk vepron, duke qenë se i akuzuari është vëllai i administratorit të Bërxhitës, Refik Velija.
Djali i të moshuarit bën apel për ndihmë, pasi personi në fjalë përbën rrezik jo vetëm për gjithë pjesëtarët e familjes së tij, por edhe për gjithë komunitetin, nëse nuk merren masat e nevojshme.
Ruzhdi Dapi para mikrofonit të “Stop” denoncon dhunën e ushtruar ndaj babait të tij, sipas tij nga një person me probleme të shëndetit mendor. Ka ndodhur një ngjarje e rëndë, është goditur babai juaj me sende të forta në fytyrë, si ka ndodhur dhe nga kush është goditur? “Kjo ndodhi para një jave, u godit nga komshiu që kemi pranë. Ne nuk kemi asnjë konflikt personal me të, kjo na shtyn të mendojmë se ky është me të meta mendore. Ka patur ankesa edhe nga banorë të tjerë të fshatit, mirëpo i vëllai e ka ndihmuar, ai e dëmton me këtë rast, duhet ta ndjekë me ilaçe me rrugët siç i ka shteti, mirëpo ai bën të kundërtën. Ne menduam se kishim të bënim me një me të meta mendore, por na doli gjithë familja budallenj. Shteti duhet t’i ndjekë këto gjëra se po na tmerrohen fëmijët, nuk jemi të qetë në familjen tonë. Ne kërkojmë ta bëjmë publike këtë gjë që të parandalohen këto se nesër mund të na vrasë ndonjë fëmijë”, shprehet ai.

Artikulli paraprakKarteli-Bushi, droga me vlerën e 10 milionë eurove
Artikulli tjetërAksident në Korçë, humbin jetën 2 policë, 3 të plagosur