Dy rrugët për qeveri teknike

Lulzim BASHA

Është gusht, është verë, e di një pjesë e mirë e qytetarëve, burra, gra, të rinj e të reja kanë nisur pushimet. Dhe unë ju uroj me gjithë zemër pushime të mbara! Një pjesë e madhe e qytetarëve nuk kanë bërë e nuk do të bëjnë pushime për shkak të gjendjes jashtëzakonisht të rëndë ekonomike, kolapsit ekonomik ku e ka futur vendin qeverisja e Edi Ramës. Për shkak të varfërisë, krizës, çmimeve të papërballueshme, për shkak të përkeqësimit dramatik të gjendjes së çdo familjeje shqiptare, nga ato në ndihmë ekonomike tek ato në gjendje më të mirë, si rezultat i taksave të larta, si rezultat i një klime biznesi në përkeqësim e sipër që patjetër reflektohet në cilësinë e përditshme të jetës të çdo qytetari shqiptar. Në këtë kuptim politika nuk iu ndahet, nuk iu ndahet sepse është politika e qeverisë ajo që ka shkaktuar këtë gjendje pasigurie të thellë, në kuptimin ekonomik dhe të gjithanshëm të fjalës.

 

Vendi me kultivimin më të dendur të drogës në Europë

 

Kriminaliteti që ka marrë një hov të ri me shndërrimin e Shqipërisë në vendin me kultivimin më të dendur të drogës në Europë dhe në krye të listës me vende të tjera famëkeqe të kultivimit të drogës në botë. Dhe qytetarët sado të shumta e të mëdha t’i kenë hallet janë të vetëdijshëm që kjo situatë nuk ka ardhur nga qielli, por është rezultat i politikës, i politikës së kësaj qeverie, ndaj jam i bindur se edhe këto ditë gushti qytetarët shqiptarë po pjekin një mendim të urtë e të mençur për të marrë një vendim, i cili së shpejti do t’u parashtrohet. Një vendim, i cili duhet të shënojë një ndryshim rrënjësor nga situata aktuale e vendit, si në parametrat e sigurisë edhe në parametrat e ekonomisë.
Natyrisht nuk iu ndahet politika edhe për një arsye tjetër. Sepse politika duhet të mbartë edhe shpresë, shpresë për një të nesërme më të mirë. Ndaj ne si opozitë, siç është e natyrshme në çdo demokraci, jemi tashmë mbartësit e kësaj shprese të re. Siç është konfirmuar nga qindra, mijëra qytetarë, nga partnerët tanë amerikanë dhe europianë.
Dhe në këtë gusht opozita nuk ka dhe nuk do të ketë pushim, por do të vijojë të gjitha përpjekjet e saj për të vazhduar të jetë jo vetëm mbartëse e shpresës, por edhe realizuese e shpresës së shqiptarëve për një të nesërme ndryshe.

 

Dy proceset e udhëhequra nga opozita, Dekriminalzimi dhe Reforma në Drejtësi 

 

Nuk është zakon që opozita ta marrë e para fjalën dhe të japë lajmin e mirë, të jetë protagoniste e në veçanti një opozitë që nuk i ka numrat në Parlament për të diktuar asnjë lloj vendimmarrje. Megjithatë ju jeni dëshmitarë, qytetarët shqiptarë janë dëshmitarë, faktori ndërkombëtar është dëshmitar që në një hark kohor prej më pak se një viti opozita ka udhëhequr proceset më të rëndësishme në vend. Duke nisur me betejën për dekriminalizimin, si një betejë jetike në kushtet e një keqqeverisje të lidhur në kërthizë me krimin e organizuar, të cilin e promovoi në nivelet më të larta të qeverisjes, në Parlament, në krye të bashkive, në pozicione kyçe të administratës shtetërore, në polici, në dogana, në tatime, në drejtori ku duhet të jepen shërbime për qytetarët, ku në fakt sot e gjithë ditën sundojnë bandat e veshura me pushtet nga Edi Rama.
Në mes të krizës, në mes të korrupsionit, në mes të këtij inkriminimi të pashembullt opozita ia ka dalë së bashku me ndihmën e shumicës dërrmuese të qytetarëve, pavarësisht prej bindjeve politike, t’i imponojë kësaj mazhorance konsensusin për ligjin e dekriminalizimit me mbështetjen e madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian. Së dyti, është Reforma në Drejtësi, një tjetër ngjarje madhore. Dy ngjarje, të cilat ne i kemi përjetuar në procesin e tyre, por impakti i të cilave do të ndihet sepse këto ngjarje do të shënojnë zbatimin në Shqipëri të një kulture të re të shtetit ligjor dhe të standardit europian, të barazisë para ligjit dhe të shtetit të individit dhe jo shtetit të fortit, as në ekonomi, as në polici, as në media, por të individit të fortë, të qytetarit të fortë përballë shtetit që ka detyrimin t’i shërbejë dhe jo ta shtypë. Dhe sot kjo është vetëm një aspiratë, por e ngulur fort në këto dy reforma, reformën e dekriminalizimit dhe Reformën në Drejtësi dhe në zbatimin e tyre që ne do ta garantojmë nesër në qeverisje, kjo nuk do të jetë më thjesht një premtim, por do të jetë një realitet që do të preket, do të shijohet nga çdo shqiptar.
Ne kemi pasur nderin, opozita ka pasur nderin, Partia Demokratike ka pasur nderin të jetë protagoniste në të dyja këto reforma. Sepse të dyja përbënin kauzë, kauzën e parimeve dhe vlerave për të cilat PD është krijuar dhe ka qëndruar fort në 25 vite të historisë së saj. Ndaj jemi angazhuar me mish e me shpirt, me të gjitha burimet tona njerëzore, me gjithë vëmendjen tonë politike për suksesin e këtyre dy reformave, të cilat synuan dhe sollën çmontimin e planeve të Edi Ramës për të çimentuar planin e qeverisjes me krimin nga njëra anë dhe nga ana tjetër për kapjen e drejtësisë. Si një parakusht për të vazhduar bashkëqeverisjen me krimin.
Ne u futëm në këtë betejë jo thjesht si një palë, por si bashkëluftëtarë të parimeve, normave, vlerave të mishëruara nga Komisioni i Venecias në dy opinionet e tij, të vlerave dhe parimeve, të cilat përbëjnë bazën e çdo demokracie moderne, që janë konsensusi, gjithëpërfshirja. Luftuam për konsensus dhe arritëm konsensus. Konsensusi është bazuar mbi normat, parimet europiane dhe euro-amerikane të mishëruara në Opinionin e Komisionit të Venecias. Pra, jo konsensus me emëruesin më të vogël të përbashkët, por siç luftuam prej fillimit për normat dhe parimet e Komisionit të Venecias. Sot Reforma në Drejtësi, pjesë thelbësore e saj që është drafti kushtetues, mishëron pikërisht këto norma dhe kjo është fitorja. Kjo është fitorja.
Nuk ka ekzistuar asnjëherë debat duhet apo nuk duhet Reformë në Drejtësi. Ky është një trillim i shpikur për të hequr vëmendjen se çfarë Reforme në Drejtësi duhej. Duhet një Reformë në Drejtësi ku dora e Kryeministrit, aktuali apo e çdo kryeministri tjetër të lëvizte mekanizmat e drejtësisë, që do t’u jepte shqiptarëve një drejtësi jo thjesht të kapur politikisht, por një padrejtësi të madhe në çdo hap të jetës së tyre nga problemet me pronat, tek problemet civile, tek çështja e rendit dhe sigurisë apo duhej një drejtësi ashtu siç e meritojnë shqiptarët, siç e ka e gjithë Europa, e pavarur politikisht, e pandikuar politikisht dhe e aftë të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivele të larta. Drafti kushtetues që u kthye në realitet më 22 korrik e zgjidhi në mënyrë përfundimtare këtë pyetje në favor të së dytës, të një drejtësie europiane, të pakapur dhe të aftë të luftojë krimin dhe korrupsionin. Zbatimi i normave kushtetuese është tani sfida.

 

Kushdo që kërkon alibi për të rindezur konfliktin politik do të zhgënjehet thellë

Angazhimi ynë pra ka qenë, as më pak dhe as më shumë, por angazhim për një drejtësi europiane. Ndaj në fund të këtij procesi, i cili pa jo pak baltë e shpifje dhe trysni të paparimta ndaj opozitës e Partisë Demokratike, ndaj meje si kryetar i saj të përfundonte me një mirënjohje dhe një falënderim unanim nga drejtuesit më të lartë, liderët më të lartë europianë ndaj opozitës dhe ndaj PD për kontributin që dhanë në përcaktimin e këtyre amendamenteve kushtetuese në përputhje me normat, vlerat, parimet, me të cilat ata qeverisin në vendet e tyre, në Gjermani apo në Amerikë, në Holandë, Itali apo në Mbretërinë e Bashkuar. Rrallë ka ndodhur në Europë që një opozitë të luajë një rol kaq të rëndësishëm në një proces ligjvënës ku nuk gëzon numrat për të diktuar. Edhe një herë dua ta përsëris, se ne diktuam me forcën e vlerës, me forcën e vlerave dhe parimeve në të cilat besuam dhe besojmë dhe të cilat i ndajmë, jam i bindur me shumicën dërrmuese të shqiptarëve, pavarësisht prej bindjeve politike.
Kemi kryer kështu një detyrë jo thjesht opozitare dhe jo vetëm për përkrahësit e opozitës, por një detyrë për brezat që vijnë dhe busull kishim normat europiane, kishim Venecias. E njëjta busull do të vlejë edhe për 7 ligjet themelore dhe paketën tjetër të ligjeve, e cila është tani në diskutim e sipër. Por tanimë procesi nuk është politik. Përcaktimet kushtetuese ishin një proces politik pikërisht sepse ndanin dy realitete të ndryshme politike, atë perëndimor, të shtetit ligjor, të drejtësisë së pavarur, të ndarjes midis pushteteve, të respektit për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Dhe një pikëpamje tjetër, e cila kërkoi të vinte këmbë në realitetin shqiptar, një pikëpamje që s’ka të bëjë fare me të ardhmen tonë europiane, që nuk e shikon shtetin ligjor si një domosdoshmëri, por si një instrument për sundimin e njëshit.
Kjo betejë ka përfunduar dhe korniza kushtetuese, Kushtetuta e re dikton tashmë një proces kushtetues dhe ligjor, por jo politik.Nuk ka dhe nuk do të ketë më beteja politike, siç dëshiron dikush. Ka beteja ligjore, kushtetuese që rrjedhin në analet, në shinat e institucioneve shqiptare me ndihmën e partnerëve tanë të çmuar, Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Komisionit të Venecias.
Ndaj kushdo që kërkon alibi për të rindezur konfliktin politik do të zhgënjehet thellë dhe do të përballet që nga dita e sotme me arsyet e vërteta se pse kërkon të rishpikë një luftë politike, ndërkohë që vendi, shqiptarët po luftojnë ditë për ditë për bukën e gojës dhe sigurinë e tyre. Përmbyllja e këtyre dy beteja hap siparin e një beteje të re për opozitën dhe jam i bindur për çdo shqiptar që kjo është beteja për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Zgjedhje të lira dhe të ndershme janë të rrezikuara si asnjëherë nga korrupsioni qeveritar, nga krimi e nga narkotrafiku në veçanti. Ndaj me urgjencë nis kjo betejë, përgatitja e reformës zgjedhore, marrja e masave për të bërë nul ndërhyrjen e krimit dhe të parave të pista të krimit në tërësi e të narkotrafikut në veçanti dhe parave të pista të korrupsionit në fushatën zgjedhore. Kam marrë sërish siguri edhe gjatë vizitës time të fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sikundër edhe gjatë javës pararendëse, nga liderët më të lartë të Bashkimit Europian, se do të ndihmojnë fuqishëm për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ne, opozita do ta fitojnë këtë betejë, Shqipëria do ta fitojë këtë betejë. Ftesa ime është që ta fitojmë me kontributin e të gjitha forcave politike. Para tre muajsh Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka miratuar platformën tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe një javë më pas kjo platformë është prezantuar zyrtarisht në Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore. Kanë kaluar tre muaj dhe ndonëse në atë takim, siç mund ta mbani mend sepse keni qenë edhe të pranishëm, mazhoranca nuk shfaqi asnjë kundërshtim, asgjë nuk ka lëvizur.

 

Beteja e PD në të gjitha frontet, qeverisja e Rama po shteron

Qeverisja e Edi Ramës po shteron me shpejtësi mundësinë kohore për implementimin e votimit elektronik dhe biometrik dhe numërimit elektronik. Kjo është e papranueshme. Kjo është në funksion të keqqeverisjes, kjo është në funksion të vazhdimit të skandaleve të mëdha korruptive, të cilat thithin miliona euro çdo ditë, me pompë nga ekonomia kombëtare. Pra, qindra apo mijëra euro nga ekonomia familjare duke përkeqësuar gjendjen ekonomike të çdo shqiptari e duke pasuruar një grusht oligarkësh në krye të qeverisjes. Kjo bëhet bashkë me moszbatimin e ligjit të dekriminalizimit për të ruajtur sinorët e përbashkëta me krimin dhe për t’i përballur shqiptarët edhe një herë me zgjedhje të komprometuara, me zgjedhje të dhunuara, me zgjedhje të trafikuara, me zgjedhje të blera, me zgjedhje të inkriminuara. Ne nuk do ta lejojmë. Më 8 dhjetor të vitit të kaluar, unë kam shpallur në emër të PD para qindra e mijëra protestuesve kërkesën tonë për një qeverisje teknike që të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Me refuzimin “de facto” me taktikën e zvarritjes dhe shterimit të kohës, për të zbatuar platformën tonë me zgjedhje të lira dhe të ndershme, që është në përputhje të plotë me standardet e OSBE/ODIHR-it e konfirmuar nga ekspertët më të mirë ndërkombëtarë që ndodhen prej muajsh në Tiranë, qeverisja e Edi Ramës po fakton se nuk ka ndërmend të lëvizë gishtin për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe se po përgatitet të bëjë prenë e radhës mbi votën e shqiptarëve dhe arsyet për këtë dihen botërisht, një bilanc jo zero, por negativ. Nuk flasim për premtime të pambajtura, por flasim për një përkeqësim tërësor të situatës në vend; nga siguria tek ekonomia, nga papunësia tek varfëria ekstreme, nga rënia në pikiatë e investimeve publike tek rënia në pikiatë e eksporteve e importeve, e prodhimit, nga falimentimi i bujqësisë tek mbyllja e qindra, mijëra bizneseve të vogla, dhjetëra bizneseve prodhuese, largimi i investitorëve strategjikë, janë produktet e kësaj keqqeverisje. Të vetmit që po prosperojnë janë një grusht ministrash dhe oligarkësh të lidhur me ta përmes koncesioneve abuzive dhe korruptive, vjedhjes dhe kërdisjes së doganave dhe tatimeve shqiptare. Ndaj e dinë fare mirë se nuk mund t’i shkojnë asnjë votuesi opozitar jo që jo, por as socialistë që t’i kërkojnë votën, ndaj po bëjnë gati vjedhjen dhe shkatërrimin e zgjedhjeve të tjera. Kjo është një vijë ndarëse, një rubikon që nuk mund të ndahet. Me asnjë çmim nuk do të lejojmë prishjen e procesit të ardhshëm zgjedhor. Ndaj dua të përsëris sot kushtin tonë, se për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, falë refuzimit prej tre muaj të kësaj mazhorance për t’u angazhuar në një proces të reformës zgjedhore, siç e kanë kërkuar partnerët ndërkombëtarë, siç vetë nuk e kanë kundërshtuar është dhe mbetet një qeveri teknike si garanci për mosprishjen dhe mosdhunimin e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri. Beteja jonë do të luftohet në të gjitha frontet. Në frontin ligjor platforma jonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, e cila do t’u shpërndahet përsëri me përmirësimet e fundit, përbën një bosht konkret me standarde europiane dhe euroatlantike për t’i dhënë shqiptarëve kornizën ligjore bazuar në tri shtylla Paprekshmërinë e votës, votimin elektronik, biometrik dhe numërimin elektronik, financimin e partive politike dhe ndalimin e parave të pista të korrupsionit, narkotrafikut e krimit të organizuar dhe lirinë e medias, që është më e kërcënuar, më e dhunuar, më e nëpërkëmbur, se sa rrallë herë në 25 vite të historisë së Shqipërisë pluraliste.

 

Koalicioni për zgjedhje të lira dhe të ndershme do të zgjerohet

Në këtë betejë kemi një koalicion të gjerë që i kapërcen vijat e deridjeshme të aleancës tonë politike, parti të tjera të cilat ndajnë apo jo vizionin tonë për daljen e vendit nga kriza, ndajnë pa asnjë diskutim platformën tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo aleancë do të shtrihet tek çdo qytetar shqiptar që beson siç besojmë ne, që pa zgjedhje të lira dhe të ndershme Shqipëria nuk ka dhe nuk mund të ketë shpresë për daljen nga kolapsi ekonomik dhe i pasigurisë ku është futur. Qytetarët duhet të vendosin në mënyrë të lirë dhe të vetëdijshme se kush do t’i qeverisë në bazë të programeve, ofertave, zgjidhjeve që ofron çdo forcë politike dhe që ka për detyrë t’i ofrojë. Nuk mund ta bëjnë këtë zgjedhje as bandat, as sekserët me zhaget e mbushura me paratë e krimit të organizuar dhe të korrupsionit miliona eurosh në koncesionet, në dogana dhe tatimet shqiptare. Ndaj koalicioni ynë për zgjedhje të lira dhe të ndershme do të zgjerohet e po zgjerohet me faktorë politikë dhe jo vetëm politikë, të shoqërisë civile, të medias padyshim, përfaqësues të grupeve të interesit që e kuptojnë se e keqja që e ka mbërthyer për fyti Shqipërinë mund dhe do të zmbrapset vetëm kur përgjegjësia e votës të mos deformohet sepse vetëm në këtë moment llogaridhënia është dhe do të jetë e plotë ndaj sovranit. Dhe jam i bindur pavarësisht prej qëndrimeve refraktare, zvarritëse të kreut të qeverisë dhe mazhorancës në tërësi, aleanca për zgjedhje të lira dhe të ndershme është sot aleanca më e madhe, më e gjerë, aleanca më numerike që ka njohur Shqipëria dhe unë kam nderin dhe privilegjin që bashkë me PD dhe opozitën shqiptare të nisim e të çojmë drejt kurorëzimit të suksesshëm këtë betejë të tretë dhe vendimtare për një ekonomi të fortë, për një të nesërme të sigurt dhe për një Shqipëri të standardit europian.

– Zoti Basha, ju thatë që koalicioni për zgjedhje të lira dhe të ndershme do të zgjerohet. Por a ka një premisë ose një bashkëpunim të mundshëm mes PD dhe LSI? Pyetja e dytë, ekziston një raport i publikuar, në të cilin thuhet se ambasadorja e BE në Tiranë, Romana Vllahutin nuk ka bërë deklarim të saktë të pasurisë, kur ka qenë këshilltare e Presidentit kroat. A keni një koment lidhur me këtë?

Po e nis me pyetjen e dytë. Është një çështje që në radhë të parë i takon autoriteteve kroate, autoriteteve të një vendi të BE-së dhe kam besim të plotë se anëtarësimin në BE e kanë merituar edhe duke siguruar zbatimin e drejtë dhe të barabartë të ligjit për çdo shtetas. Së dyti, është një çështje që i takon autoriteteve të BE-së. Pra, jam i bindur që në të dy nivelet, kjo çështje dhe çdo çështje e ngjashme, do të marrin trajtimin e duhur. Ndaj nuk shoh vend për komentin tim si kryetar i opozitës.
Përsa i përket premisës për bashkëpunim me LSI, unë sapo thashë që kërkoj bashkëpunimin e çdo force politike, të LSI, të PS, të cilët nuk duhet të nisen nga premisa e frikës, e tmerrit nga vota e lirë, por duhet të nisen nga përgjegjësia për t’i dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ndaj mirëpres kontributin e çdo force politike në këtë drejtim, siç do të kisha mirëpritur kontributin e çdo force politike për të arritur konsensusin e 22 korrikut. Kam përshëndetur LSI-së dhe në veçanti kryetarin e saj, njëherësh kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, për shërbimin e jashtëzakonshëm që i bëri vendit me insistimin për kalimin e reformës me konsensus. Po të njëjtën gjë do të kisha bërë për Edi Ramën nëse ai do të kishte mbajtur të njëjtin qëndrim. Por faktet, provat, rrethanat siç tashmë janë në syrin e çdokujt, vërtetuan të kundërtën, që ai u investua me mish e me shpirt kundër konsensusit, duke rrezikuar edhe Reformën në Drejtësi vetëm e vetëm për hir të manovrave dhe lojërave të tij politike, të cilat fatmirësisht përfunduan aty ku duhet të përfundonin, në koshin e plehrave.
Reforma në Drejtësi ka kërkuar konsensus prej fillimit dhe e zgjidhëm me konsensus dhe pjesë e meritës është padyshim LSI-ja e në veçanti, zotit Meta. Do të doja të kishte qenë dhe e zotit Rama, do të doja ta kisha përshëndetur dhe atë. Dhe në këtë moment me të vërtetë do të flisnim për një kapitull të vërtetë në politikën shqiptare, ku për një interes kaq madhor që transendon jetëgjatësinë e një mazhorance apo të një opozite, palët bien dakord për t’i dhënë shqiptarëve diçka që e meritojnë, drejtësi të standardeve europiane, por u luajtën qindra lojëra bizantine dhe intriga të pafundme pikërisht për t’i ikur konsensusit, pikërisht për t’i ikur normave, parimeve bazë, mbi të cilat është ndërtuar Europa dhe Amerika. Të njëjtën gjë politikisht mund të them sot për reformën zgjedhore. Është një shans si për Edi Ramën dhe për Ilir Metën, të tregojnë vullnetin e tyre për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Një gjë është e sigurt, ne nuk do të presim duarkryq, por do të veprojmë.

– Zoti Basha, kur flisni për qeveri teknike, keni ju ndër mend se kush mund të jetë Kryeministri që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme?

Absolutisht kjo nuk është çështje emrash, është çështje parimesh. Mungesa e vullnetit për të ecur përpara me platformën e diskutuar në Komisionin e Reformës Zgjedhore që në maj, tregon qartë që kjo qeveri që dhunoi zgjedhjet e Korçës dhe pastaj amnistoi me ligj dhunuesit dhe pastaj iu vërsul në mënyrë të paprecedent zgjedhjeve lokale, imagjinoni se çfarë përgatitet të bëjë me zgjedhjet e përgjithshme. Kjo qeveri është e provuar dy herë si armike e votës së lirë.
Do të ishte një faj i madh për opozitën dhe për qytetarët, të cilët ju shërbejmë pavarësisht se janë apo jo votuesit tanë, t’i besonim për herë të tretë. Ma hodhe një herë turp për ty, ma hodhe dy herë turp për ne. Pra, nuk ka asnjë shans që qeveria e Edi Ramës dhe bashibozukëve që shkatërruan zgjedhjet lokale 2015, siç e konstatoi raporti i ODIHR me frazën famëkeqe; qytetarëve shqiptarë iu mohua e drejta të votojnë të lirë nga frika e ndëshkimeve apo pasojave të papara që nga zgjedhjet e kontestuara të 2001, t’i besojmë tashmë zgjedhjet parlamentare në kushtet e falimentimit të plotë të shtetit që ata morën në dorë.
Prandaj qeveria teknike është kusht i patejkalueshëm për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ftesa ime është që kjo qeveri teknike të bëhet me kontributin e të gjitha forcave politike dhe mbi bazën e një platforme europiane siç është platforma që kemi dorëzuar ne. Sigurisht jemi të hapur për kontributin e të gjitha palëve parlamentare dhe jo parlamentare, por qeveria teknike është një kusht i patejkalueshëm.

Kartelet e drogës po
paralajmërojnë akte terrori

– Qeveria teknike dhe pas saj do të kryhet reforma zgjedhore? Dhe a jeni të gatshëm t’i besoni politikisht Ilir Metës duke patur parasysh që pikërisht më 2015, zonat më të nxehta të konfliktit, ishin kandidatët e PD me kandidatët e LSI?
Ne jemi të gatshëm t’i besojmë vetëm qytetarëve shqiptarë. Nuk i besojmë as Ilir Metës, as Edi Ramës. I besojmë vetëm platformës sonë që është bazuar mbi norma dhe parime europiane, të testuara, të provuara nga OSBE/ODIHR. I besojmë vullnetit të shqiptarëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Përballë kemi një qeveri që i ka dhunuar zgjedhjet dy herë, në Korçë dhe ato lokale kombëtare në vitin 2015.

– Qeveri teknike pastaj reforma?

Qeveria teknike do të ishte zgjidhja më e preferuar dhe për reformën zgjedhore. Në çdo rast reforma zgjedhore ecën, për të cilën deri tani nuk ka asnjë sinjal pozitiv. Qeveria teknike është e domosdoshme për zbatimin e saj.

– Zoti Basha, si arrihet qeveria teknike? Domethënë për këtë duhet një mazhorancë e re parlamentare. PS nuk e jep këtë mazhorancë dhe këtë ta keni të sigurt…

Qeveria teknike është një proces politik. Besoj po më pyesni për këtë, jo për procedurat parlamentare se si zgjidhet një qeveri teknike. Procesi politik ka dy rrugë. Ka një rrugë bashkëpunimi politik mes palëve, realizimi, që në fakt kjo qeveri e ka pasur me tepri. Edi Rama është super realist në gjithçka që thotë dhe bën, po bëj pak groteskun, por na lejohet ndoshta tani në gusht, por unë nuk po e mbyll këtë shteg. Po kërkoj kontributin e çdo force politike për zgjedhje të lira dhe të ndershme që përfshin qeverinë teknike. Dhe këtu opozita nuk paragjykon në këtë fazë asnjë palë politike. Por nëse kjo qeverisje, siç pres jo me pa të drejtë, nuk reflekton mbi këto dy kushte themelore: platformën zgjedhore dhe qeverisjen teknike, rruga tjetër është rruga e detyrimit me presion popullor. Këto dy rrugë ka për qeveri teknike.

– Z. Basha, ju thatë që do të jeni në krye të qytetarëve, por Partia Demokratike ka 3 muaj që është futur në një proces zgjedhor të

degëve të saj dhe ende nuk keni zgjedhur kryetarët e atyre degëve…
Jo, informacionin nuk e keni të saktë. Zgjedhje ka pasur dhe kanë përfunduar në pjesën më të madhe të degëve. Zgjedhje ka pasur edhe para dy ditësh. Kryetarë të rinj kanë marrë detyrën. Partia Demokratike është në përfundim të procesit të riorganizimit dhe është gati për betejën e ardhshme.

– A po luan z. Meta një rol mbi palët? Po i rikthehem Reformës në Drejtësi dhe asaj zgjedhore…

Rolin e z. Meta unë e komentova për arritjen e konsensusit. Uroj dhe shpresoj, edhe nga takimi i djeshëm, që do të luajë një rol konstruktiv, por tashmë procesi i ligjeve është në ullinë kushtetuese dhe ligjore, nuk është më proces politik. Kështu nuk ka as nevojë dhe as vend për protagonizmin që fatmirësisht tregoi në arritjen e konsensusit politik të 22 korrikut.

– Z. Basha, po i rikthehem edhe një herë pyetjes përsa i përket pasurisë së ambasadores së BE, Romana Vlautin, pas dokumentit të publikuar. A intimidon kjo rolin dhe pozicionin e saj në lidhje me Reformën në Drejtësi?!

Gjithsecili prej nesh mund të ketë opinionet e tij për konduktin dhe motivet e aktorëve, përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare në Shqipëri. Për rastin në fjalë, ata që duhet të shprehen janë autoritetet kombëtare dhe të Bashkimit Europian.

– Kryeministri Rama dha tri arsye pse u arrit konsensusi për Reformën në Drejtësi. E treta m’u duk më interesante për opozitën dhe ai tha se ishte një konsensus i detyruar për shkak edhe të presionit që u bë nga brenda Partisë Demokratike. Në dijeninë tuaj, sa deputetë të PD kishin dhënë një votë paraprake për Reformën në Drejtësi, për një reformë të njëanshme dhe jo me konsensus?

Tani, sa mund t’i besohet dikujt që mbajti zi një javë pas konsensusit dhe pastaj doli e shpiku këto fabula?! Ju ishit dëshmitarë. Një javë zi. Një javë zi për konsensusin. Nisi zija akoma pa u miratuar Kushtetuta e re, amendamentet kushtetuese në Parlament. Zija e tij personale. Dhe vazhdoi për një javë me radhë. Edi Rama nuk e donte konsensusin. Ishte një armik i shpallur i konsensusit dhe kur konsensusi u arrit pavarësisht prej qëndrimit të tij bëri gjithçka për të rishpikur një betejë tjetër nga e cila po kështu është tërhequr me bisht ndër shalë, pasi partnerët ndërkombëtarë ia bënë të qartë se çështja e ligjeve është çështje kushtetuese dhe ligjore dhe nuk është më çështje politike.
Edi Ramën e zë konsensusi. E tmerron dakordësia me opozitën sepse udhëhiqet nga konfliktualiteti politik dhe në këtë kuadër përfaqëson më të keqen e shkollës së vjetër politike. Mua më gëzon konsensusi. Ia thashë këtë edhe përfaqësuesve të Partisë Socialiste të ftuar në Konventën e Demokratëve. E di që shumica prej tyre gëzuan për konsensusin. Ka pasur edhe të hutuar që kanë ndjekur linjën e kryetarit të tyre. Të faktuar kanë qenë në Partinë Socialiste sepse i pari i kësaj partie ishte dhe është kundër konsensusit.
Partia Demokratike ka qenë unanime, siç u kam thënë prej ditës së parë. Unanime. Dhe ka qenë qëndrimi i grupit në tërësi dhe çdo deputeti të Partisë Demokratike dhe të opozitës, që sërish dua t’i falënderoj sot, që kanë bërë të mundur konkludimin me sukses të negociatave nga ana jonë deri në orën e fundit. Deri në 6 pasdite dhe ju keni qenë dëshmitarë kur u detyrua të lëshonte jo vetëm atë që mohoi një natë më parë, faktikisht vendet e rezervuara, por në hutim e sipër la në tryezën e negociatave përballë negociatorëve të zotë si nga ana ligjore ashtu edhe nga ana diplomatike, faktikisht edhe të drejtën e vetos së opozitës për 3 anëtarët e KLGJ-së dhe KLP-së. Në hutim dhe arrati e sipër. Këto janë faktet.
Faktet janë që opozita qëndroi fort dhe fitoi të gjitha betejat. Vijën e kuqe të 6 qershorit e shpartalloi me propozimin e zonjës Nuland: 6 me 6 për komisionet e Vetingut, 4 me 3 për Komisionin e Apelimit dhe tentativën e fundit për t’ju rikthyer çështjes së KLGj-së e KLP-së, të cilën e kishim zgjidhur, po kështu e zgjidhëm me rekomandimin 88. Padyshim që kjo betejë u fitua në emër të gjithë shqiptarëve. Nuk jemi mburrur. Nuk më keni dëgjuar t’i bie gjoksit, por kjo nuk do të thotë të pranojmë dënglat e atij që mbajti zi për një javë. Nuk e nxjerrim dot ne nga zia. As ilaç për ta shëruar nga sëmundja që e zë konsensusi nuk kam. Kam dëgjuar që i zë njerëzit makina, vapori, por që t’i zejë konsensusi apo makina qepëse këtë nuk e kam dëgjuar. Këtë e zë konsensusi.

– Por gjithsesi disa deputetë të opozitës u thirrën nga ambasada amerikane…

Shumë deputetë të opozitës u thirrën nga ambasada amerikane. Pranuan takim me ambasadën amerikane dhe shpjeguan qartë qëndrimin e Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, i cili në fund mori përgëzimet e drejtpërdrejta të Kancelares Angela Merkel, të Presidentit të PPE-së, Joseph Daul, të komisionerit Hahn, të kryetarit të Komisionit për Çështjet e Jashtme në Parlamentin Europian, Elmar Brok, të raporterit të Partisë Socialiste Europiane, Knut Fleckenstein, të mikut tonë të nderuar Eduard Kukan, të ndihmëssekretares së Shtetit, Victora Nuland, të nënkryetarit të Komisionit të Punëve të Jashtme në Kongresin amerikan, Eliot Engel, të Presidentit të Institutit Republikan Amerikan, Mark Green, të kryetarit të presidencës së radhës së Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak, etj., etj.

– Në shtator kur të nisë Parlamenti do të mbeten edhe 9 muaj nga data e zgjedhjeve, të rregullta të paktën. Kur e keni menduar të ngrihet një qeveri teknike? Kur ajo duhet të vihet në punë?

Për ne, beteja për zgjedhjet e lira dhe të ndershme nuk pret. Çdo ditë që kalon, siguria kombëtare cenohet, pasiguria e njerëzve ka arritur në nivelet e panjohura që nga viti 1997, si në situatën e krimit, bandave që plaçkisin ditën për diell banka, biznese, qytetarë. Katastrofë në sigurinë rrugore. Pse?! Sepse Policia e Shtetit me urdhër të Edi Ramës është vënë në dispozicion dhe në mbrojtje të narkotrafikantëve, të cilët po komprometojnë jo thjesht tekstilin e shoqërisë shqiptare, por edhe sigurinë tonë kombëtare.
Partia Demokratike ka marrë raportime serioze për mundësinë e aktivitetit terrorist të personave me rrezikshmëri të lartë në zona të caktuara të kultivimit të drogës, informacion të cilin po ia përcjellim edhe partnerëve tanë. Si mund të presë një ditë më shumë situata e sigurisë në vend ku komprometohet edhe siguria kombëtare, siç është komprometuar me narkotrafikun, siç është komprometuar me skandalin e përgjimeve, siç është komprometuar me thyerjen e aeroportit ndërkombëtar të një vendi anëtar të NATO-s?! Si mund të zgjasë një ditë më shumë kjo situatë kur ditë për ditë shpunësohen në vend që të punësohen me qindra shqiptarë?! Kur bizneset mbyllen, kur fuqia blerëse bie, deficiti rritet, taksat rriten, gjobat rriten, por jo investimet dhe as vendet e punës. Vendi është në emergjencë ndaj ne insistojmë për një qeveri teknike një orë e më parë për të përgatitur zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për t’i rikthyer shqiptarëve të drejtën për të votuar të lirë dhe me dinjitet për atë projekt që ofron më shumë shpresë për të nesërmen.

Exit mobile version