Lindja e Mesme me trazirat e saj të përhershme e konvulsionet periodike tërheq vëmendjen botërore si dhe ndërhyrjen e fuqive të mëdha.
Por afërsia gjeografike dhe lidhjet e ndryshme me Europën e Shqipërinë lipset të na bëjnë që, përtej rreshtimit automatik me aleatët tanë, të thellohemi në pasojat direkte tek ne të këtyre ngjarjeve.
Një kalif e një gjeneral në shënjestrën amerikane Në fillim të janarit 2020 presidenti i ShBA Donald Trump urdhëroi vrasjen e shënjestruar të Qazim Sulejmanit, komandantit të njësisë Kuds, pjesë e Korpusit Rojeve të Revolucionit Islamik iranian, e cila operonte kryesisht jashtë vendit, përgjithësisht në Lindjen e Mesme.
Gjeneral-major Sulejmani u vra nga një raketë në aeroportin e Bagdadit. Në fund të tetorit 2019, përsëri me urdhër të presidentit Trump, trupat amerikane në Siri sulmuan pranë Idlib-it Abu Beqir al Bagdadin, kalifin e vetëshpallur të DAESh-it (Shteti Islamik në Irak e Levant i njohur me akronimin anglisht ISIS ose ISIL).
Al Bagdadi vrau bijtë e tij e veten gjatë këtij operacioni. Dy terroristë të ndryshëm, dy lloje të ndryshme terrori: në Lindjen e Mesme, “Njësia Kuds shkon kudo ku e kërkojnë popujt e shtypur për t’u kthyer atyre dinjitetin”, shkruante pardje në twitter Kamenei, udhëheqësi suprem islamik i Iranit.
Meqë popujt nuk kanë gojë ose kanë shumë të tilla e nuk kuptohet se ç’thonë atëhere kërkesat në emër të tyre i formulon udhëheqja. Nën urdhërat direkte të Kameneit njësia Kuds e komanduar nga Suleimani përmes operacioneve direkte e aleancave me milicitë shiite zgjeroi ndikimin e Teheranit në Lindjen e Mesme duke destabilizuar, Libanin, Sirinë, Jemenin, Bahreinin, Saudinë etj. Amerika, “satani i madh” dhe Izraeli “që duhet asgjësuar” janë objektivi jo vetëm retorik: jo pak ushtarakë e diplomatë amerikanë janë vrarë në rajon gjatë disa dekadave nga sulmet e milicive shiite të orkestruara nga Kudsi i Suleimanit.
U desh një president si Donald Trump, i cili nuk don të fillojë luftëra të reja por që me realizmin strategjik është i paparashikueshëm, që të lante hesapin e vjetër amerikan me Sulejmanin.
Të gjithë kritikët e tij në ShBA e Europë, të cilët pas vrasjes së shefit të Kudsit u alarmuan për luftë frontale me Iranin e për Lindjen e Mesme në zjarr e flakë rezultuan të gabuar. Njëlloj si kur parashikuan para dy vjetësh një skenar të ngjashëm, kur Presidenti Trump e transferoi ambasadën amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem.
Udhëheqja në Teheran simuloi një hakmarrje të vogël dhe e pa të udhës që t’a linte me aq. DAESh do të kujtohet si kryengritja e vetme e cila që pas Luftës së parë Botërore arriti të shtrihej në dy shtete, Irak e Siri, në një siperfaqe rekord dhe me një kohëzgjatje rekord. DAESh do të kujtohet edhe për mizorinë fanatike e shpesh shtazarake ndaj popullsisë nën kontroll duke filluar nga sunitët “jo dhe aq fetarë”, tek shiitët rivalë të urryer, tek të krishterët dhe jazidët e pafe.
Një koalicion shtetesh fqinjë e europianë, i mbështetur nga milici e tribu rajonale dhe i drejtuar nga ShBA, pas pesë vjetësh arriti t’a zhdukte nga harta këtë monstruozitet. Vrasja e al Bagdadit në vjeshtë ishte një fitore simbolike por edhe domethënëse e koalicionit.
Si në rastin e një shteti si Irani u imponohet fqinjëve me dhunë e kërcënim ashtu edhe në rastin e një organizate ahistorike si DAEShi, që tmerron dynjanë me kultin e vdekjes, fuqia e botës së civilizuar u tregua jo vetëm në frenimin e përmbajtjen e tyre por edhe në eliminimin e titullarëve të terrorit me duar të përgjakura në Europë.
Në Europë Irani ka tentuar kryesisht të bëjë zap kundërshtarët e regjimit që strehohen e organizohen aty. Ka vrarë në Hollandë e Danimarkë, ka vënë bombë në Francë. Por gjithësesi “merret me të vetët” siç bën fatkeqsisht edhe Rusia, Saudia e ndonjë tjetër shtet.
DAESh në Europë synoi destabilizimin deri tek marrja nën kontroll dhe ngritjen e një regjimi të ngjashëm me DAESH-in. Ai kam luajtur me një tjetër kalibër: përmes propagandës ekstremiste online apo përmes imamëve të ndikuar prej tij ai synoi radikalizimin në masë të myslimanëve dhe nxitjen e tyre për dhunë në ambjente publike kundër kujtdo që i dilte para.
Sulmet me armë zjarri, bomba, thika apo edhe makina kundër kalimtarëve të rastësishëm ndodhën në Barcelonë, Paris, Nizza, Bruksel, Berlin e gjetkë. Pasojat në sigurinë publike por edhe vrragat në psikën kolektive europiane janë të mëdha. e në Shqipëri.
Në Shqipëri prej qeverisë së mëparshme dhe asaj aktuale janë strehuar një grup i madh në numër i Muxhaidinëve E Kalk (MEK), një lëvizje me të kaluar plot dritë-hije dhe me një ideologji që mikson islamizmin me marksizmin.
Në kampin e tyre në Irak atyre u rrezikohej jeta nga agjentët iranianë prandaj me kërkesë e përkrahje të ShBA muxhaidinët u transferuan tek ne. MEK synon përmbysjen e regjimit të ajatollahëve në Iran por ndërkohë ka përqafuar parimet e demokracisë. Ndonëse vendi ynë nuk ka ndonjë int