Dy shqiptarë kapen me 32 kg kokainë në Itali

Policia italiane sekuestroi 32 kg kokainë në Romë dhe arrestoi dy trafikantë shqiptarë droge. Sipas mediave italiane, shqiptarët me inicialet M.A dhe V.A të moshave 50 dhe 36 vjeç u ndaluan gjatë një operacioni antidrogë të zhvilluar në Romë. Atyre iu sekuestruan 32 kg kokainë si dhe 60 mijë euro kesh.
Operacioni u zhvillua në orët e vona të së martës në zonën e quajtur Ponte di Nona. Ata u kapën në një garazh nëntokësor, që e kishin shndërruar në magazinë të lëndëve narkotike. Ndalimi i tyre u bë në momentin kur ata po ngarkonin sasinë e kokainës në një automjet, për ta transportuar për shtije. Drogën e kishin ndarë në disa pako dhe e kishin fshehur në bagazh. Në pjesën e kroskotit, policia gjeti të fshehur një shumë prej 60 mijë eurosh, si dhe një pistoletë e gatshme për t’u përdorur, që rezultoi e vjedhur dy vite më parë në Romë.
Në garazh, ata mbanin edhe automjete të tjera që i përdornin për transportin e drogës. Kontrolle u ushtruan edhe në banesat e tyre. Vlera e drogës së sekuestruar arrin një vlerë tregu prej disa milionë euro.
Mediat italiane thonë se bëhet fjalë për një prej operacioneve më të rëndësishme antidrogë të kohëve të fundit në Romë. Lajmi u bë publik dy ditë me vonesë për arsye hetimore. Aktualisht policia është në kërkim të të tjerë bashkëpuntorëve të dy shqiptarëve të arrestuar, të cilët dyshohet të jenë pjesë e një grupi të gjerë kriminal.

Artikulli paraprakPërplasje me armë në zonën e Bllokut
Artikulli tjetërZhduket prej një jave avokati, u nis me traget për në Itali