Dy të rinj shqiptarë janë arrestuar nga Policia në Xhenova të Italisë, teksa u kapën me 1 kg kokainë dhe dy pistoleta, raportonin dje mediat lokale. Njëri prej tyre nuk kishte leje qëndrimi në shtetin fqinj, ndërsa kishte histori kriminale të lidhura me krime kundër pronës, ndërsa tjetri qëndronte në Itali për një periudhë të shkurtër.
Arrestimet e tyre erdhën pasi bënë gabimin e zakonshëm të shumë prej shitësve të rinj të drogës: lëvizjet e dyshimta. Patrullat e policisë kishin pikasur shqiptarët, duke qarkulluar shpesh në zonë ndërmjet Casaregis dhe Ruspolit pa pasur arsye të veçanta. Kjo çoi më pas në identifikimin e shtëpisë ku ata jetonin në Xhenova.
Pas disa ditësh kërkimesh, në shtëpinë e tyre u gjetën 10 mijë euro para të gatshme, të dyshuara si të përfituara nga trafiku i drogës. Kërkimet gjetën edhe sasinë prej 1 kg drogë e pastër, e ndarë në pako si dhe armët që ishin të vjedhura në Liguria. Të dy të dyshuarit u arrestuan dhe u transferuan në burgun Marassi në pritje të seancës së vlefshmërisë së arrestimit të tyre. Emrat e të arrestuarve nuk bëhen me dije nga raportimet e mediave italiane.