Një qendër spitalore në Alabama, që ofronte shërbimin e fekondimit artificial in-vitro njoftoi se do të ndërpresë një pjesë të trajtimeve për pacientët pasi Gjykata e Lartë e shtetit vendosi se embrionët e ngrirë, ligjërisht konsiderohen fëmijë.
Qendra spitalore e Alabamës tha të enjten në një deklaratë se “ka marrë vendimin e vështirë për të pezulluar trajtimet e reja të fekondimit artificial in-vitro për shkak të problemeve ligjore me të cilat mund të përballet klinika dhe stafi mjekësor”.
Vendimi vjen një ditë spitali më i madh i Alabamës tha përmes një deklarate se po pezullonte trajtimet in vitro për të shqyrtuar nëse pacientët dhe mjekët e tij mund të përballeshin me akuza penale apo me masa të tjera ndëshkimore.
“Po komunikojmë me pacientët që preken nga ky vendim për të gjetur zgjidhje për ta dhe po bëjmë përpjekje për të ndërgjegjësuar ligjvënësit tanë mbi ndikimin negativ të këtij vendimi ndaj grave në Alabama”, tha qendra spitalore e Alabamës.
Këtë javë, mjekët dhe pacientët po përballen me tronditje dhe frikë ndërsa përpiqen të vendosin çfarë mund të bëjnë pas vendimit të Gjykatës së Lartë të Alabamës, që ngre pikëpyetje mbi të ardhmen e trajtimit të fekondimit artificial.
Vendimi i qendrës spitalore të Alabamës e detyroi Gabby Goidel, e cila pritej t’i nënshtrohej procedurës së fekondimit artificial, që t’i telefononte të gjitha klinikat në jug, për të gjetur një spital ku të mund të vazhdojë trajtimin e saj.
“U shqetësova shumë. Fillova të qaj”, tha ajo.
Vendimi i gjykatës së Alabmës, të premten, përkonte me nisjen e një trajtimi me injeksione për 10 ditë për zonjën Goidel, përpara se asaj t’i merreshin vezët për fekondim, me shpresën se do të mbetej shtatzënë përmes fertilizimit in vitro, muajin e ardhshëm.
Ajo gjeti një spital në Teksas për të vazhduar trajtimin dhe planifikon të shkojë atje të enjten në mbrëmje.
Zonja Goidel kaloi tre aborte. Ajo dhe bashkëshorit besojnë se trajtimi in vitro është mënyra se si mund të përmbushin ëndrrën e tyre për t’u bërë prindër.
“Nuk është në asnjë mënyrë pro-familjes,” tha zonja Goidel duke iu referuar vendimit të gjykatës.
Mjeku Michael C. Allemand, në qendrën spitalore në Alabama, tha të mërkurën se trajtimi in vitro është shpesh procesi më i mirë për pacientët që duan dëshpërimisht të kenë fëmijë dhe vendimi kërcënon aftësinë e mjekëve për të ofruar këtë shërbim.
Gjykatësit, duke cituar Kushtetutën e Alabamës që “shteti njeh të drejtën e fëmijëve të palindur” mori vendimin se tre çifte mund të ngrinin padi për embrionet e tyre të ngrira që u shkatërruan në mënyrë aksidentale ndërsa ruheshin në një qendër të posaçme.
“Fëmijët e pa lindur janë fëmijë, pa përjashtim, bazuar në fazën zhvillimit apo vendndodhjen e tyre”, shkroi gjykatësi Jay Mitchell në vendimin e së premtes./VOA