Dy persona kanë mbetur të plagosur me armë në atentate në Tiranë dhe Shkodër. Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e të dielës në kryeqytet në rrugën “Aleksandër Moisiu” në kryeqytet. Një person ende i paidentifikuar i kanë zënë pritë tek dera e shtëpisë një 22-vjeçari Xhuljano Kosturi. Atentatori, i cili e ka pritur objektivin e tij pranë pallatit ku ai banonte, e ka qëlluar nga pas një herë me armë zjarri, duke i shkaktuar plagë në pjesën e veshkave.
I riu është dërguar menjëherë në Spitalin e Traumës, dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Gazetarja Dorjana Bezat raporton se 22-vjeçari, djali i vetëm i një punonjësi të Gardës, rezulton pa precedentë të mëparshëm penalë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00, ndërsa atentatori është larguar menjëherë nga vendngjarja. Ndërkohë, një person ka mbetur i plagosur me armë zjarri në pasditen e djeshme në Shkodër. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:40 në vendin e quajtur “Radio Shkodra” tek ish “5 Heronjtë”, ndërsa i plagosur ka mbetur shtetasi A.A. 26 vjeç, banues në Shkodër.
26-vjeçari është plagosur në këmbë, ndërsa është transportuar në Spitalin Rajonal Shkodër për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia tha se, ka nisur hetimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes.
Në të dy rastet nuk janë zbuluar autorët e krimit. Gjatë ditëve të fundit është rritur frikshëm numri i krimeve, si vrasje, plagosje, grabitje bankash dhe biznesesh, etj. Rritja e krimit ka shtuar frikën dhe pasigurinë tek qytetarët.