Dy persona humbën jetën dje dhe 4 të tjerë u plagosën në dy aklsidente që ndodhën në në rrugën Fushë Krujë – Milot dhe në Elbasan. Një mësuese humbi jetën dhe dy të tjera janë në gjendje të rëndë si pasojë e një aksidenti rrugor. Viktima është Aglentina Kurti, e cila pak kohë më parë kishte humbur dhe bashkëshortin. Në këtë aksident u plagosën rëndë edhe dy burra që udhëtonin me mjetin tip Benz dhe u përplasën me makinën tip Fiat, me të cilën lëviznin gratë, njëra nga ato gruaja e drejtorit të Spitalit të Laçit.
Ngjarja ndodhi tek vendi i quajtur mbikalimi i Patokut, në rrugën Fushë Krujë – Milot. Nga verifikimet e para, sipas policisë makina në të cilën udhëtonin dy burrat, ishte në korsi të kundërt të rrugës. Drejtuesi i mjetit Benz është Bardhok Tuci dhe u vu në masë arresti nga policia, kurse drejtuesja e autoveturës është mësuesja Enerjeta Muça. Në vendin e ngjarjes shkuan disa autombulanca nga Lezha, Fusha Kruja dhe Laçi. Nga informacionet e deritanishme të plagosurit janë rëndë në Spitalin Ushtarak dhe në QSUT.
Ndërkohë një 70-vjeçar, i cili teksa lëvizte me biçikletë u përplas nga një makinë në Elbasan. E.M., i cili banonte në fshatin Hajdaran, pas përplasjes, është transportuar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ka gjetur vdekjen. Ndërkaq, specialistët e Seksionit të Qarkullimit Rrugor në Komisariatin e Policisë Elbasan bënë arrestimin në flagrancë të Agim Rexhës, 49 vjeç banues në fshatin Shushicë. Në Lagjen “Shënkoll”, pranë Urës së Shkumbinit Elbasan, duke drejtuar mjetin tip “Ford”, me targa AA 085 IM, ai ka aksidentuar biçiklistin E.M., i cili pasi mbërriti në Spitalin e Traumës në Tiranë, ka gjetur vdekjen, njofton Policia e Elbasanit.