Dy të vdekur në dy aksidente automobilistike

Dy persona kanë humbur jetën ditën e djeshme në dy aksidente në Divjakë dhe në Kavajë. Një makinë ka përplasur një motoçikletë në fshatin Mizë të Divjakës mbrëmjen e djeshme rreth orës 20:35, ku për pasojë ka humbur jetën një 25-vjeçar. Policia bën me dije se 32-vjeçari me iniciale A.P, banues në fshatin Mizë, duke drejtuar mjetin tip “Benz”, me targa AA 634 BE, është përplasur me një motoçikletë.
Si pasojë është aksidentuar drejtuesi i motoçikletës shtetasi M.M, 32 vjeç, banues në fshatin Kryekuq, Divjakë, dhe pasagjeri në motoçikletë, shtetasi L.S 25 vjeç. Ky i fundit ndërroi jetë në spital, ndërsa i plagosuri tjetër ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Eshtë shoqëruar në Komisariat shtetasi A.P dhe po kryhen veprimet proceduriale. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti.
Po ditën e djeshme, një 16-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti të ndodhur në autostradën Rrogozhinë – Kavajë. Rreth orës 19:20, në autostradën Rrogozhinë-Kavajë, drejtuesja e automjetit tip “Skoda”, Erila V., ka aksidentuar shtetasin e mitur H. D., 16 vjeç, i cili ka gjetur vdekjen si pasojë e goditjes, njofton policia. Drejtuesja e automjetit është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të shkaqeve të aksidentit.

Exit mobile version