Nga Ervis Iljazaj
Dënimi ndaj deputetit Ervin Salianji me një vit burg është një vendim që mban erë. Nga vetë fakti që është dënuar vetëm me një vit. Zakonisht në drejtësinë penale, rrallë ka dënime me një vit burg. Kur një person dënohet me kaq pak heqje lirie do të thotë që vepra penale, edhe nëse është e vërtetë në këtë rast, është kaq e vogël sa që fare mirë mund të konvertohet me dënime alternative dhe jo me heqje lirie. Aq më tëpër kur bëhet fjalë për një denoncim në kuadër të betejës politike, dhe aq më tepër nga një deputet në emër të një forcë politike opozitare. Nëse merret ky si precedent ka rrezik që shumica e denoncimeve politike të kthehen në ‘’në kallëzime të rreme’’.
Në këtë kuptim duket si një hakmarrje politike e personit që kishte kosto politike nga ai denoncim. Personi që sot është kryetari i komisionit parlamentar të anti-reformës në drejtësi. Duhet thënë që ky është një vendim i dhënë nga e njëjta gjykatë që i dha logon dhe vulën Sali Berishës. Dy nga tre gjyqtarët që dënuan deputetin Ervin Salianji ishin në përbërje të trupës gjykuese që i dhanë logon dhe vulën e Partisë Demokratike Sali Berishës.
Tani, kur kjo gjykatë merr vendim pro Sali Berishës është oaz drejtësie, shpëtimtare e demokracisë dhe pluralizmit politik. Kur dënon Ervin Salianjin është në interes të qeverisë dhe sulm politik.
Partia Demokratike ndodhet në një inkoherencë të plotë më drejtësinë tashmë prej shumë kohësh. E vërteta është që të gjitha gjykatat e tjera përveç SPAK dhe GJKKO janë të përdorura politikisht.
Besimi i qytetarëve është vetëm te SPAK dhe GJKKO, të gjitha të tjerat janë të përdorshme. Për një arsye shumë të thjeshtë. SPAK dhe GJKKO janë nën monitorim dhe mbrojte të fortë nga ndërkombëtarët dhe Shtetet e Bashkuara.
Dhe po, vendimet e Gjykatës së Apelit kanë ndikimin politik. Vendime që shkojnë të dyja në interes të qeverisë. Si dënimi i Ervin Salianjit, si dhënia e logos Sali Berishës i interesojnë qeverisë.
Ervin Salianji është dënuar vetëm se ka bërë një betejë publike dhe politike kundër personit që ndoshta ka ndikim më të madh në sistemin e drejtësisë. E për këtë arsye ndoshta e ka pësuar. Personi që njihet si drejtuesi i Reformës në Drejtësi dhe tani ka marrë flamur e anti-reformës në drejtësi me anë të një komisioni parlamentar që kërkon të pengojë aktivtetin e SPAK-ut.
Ndërsa dhënien e vulës të Partisë Demokratike Sali Berishës e ka dhënë po ashtu me ndikim të qeverisë. E gjitha kjo histori duhet të qartësojë edhe njëherë raportin e Partisë Demokratike me drejtësinë. Sepse gjykimi i drejtësisë nuk mund të bëhet në varësi të interest politik. Kur është pro meje është oaz drejtësie dhe kur është kundër meje është e kapur. Në të dyja këto raste gjyka është e ndikuar nga qeveria , edhe kur dënoi sot Ervin Salianjin, edhe kur i dha logon Sali Berishës.
Ndërsa mbrojta në bllok që i bënë sot kolegët e tij Ervin Salianjit ishte totalisht hipokrite. Shumë nga ata, jam i sigurtë që janë të gëzuar që hoqën qafe një person i cili me aktivitetin e tij publik dhe politik i kishtëe mënjanuar në hirarkinë brenda Partisë Demokratike.