Një videomesazh nga Dritan Zagani ish-oficeri i policisë dhe një tjetër nga një emigrante, e cila është larguar nga Shqipëria për shkak të kushteve skandaloze të jetesës këtu iu drejtuan dje protestuesve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Videomesazhi i parë tregonte gjendjen e mjeruar në të cilën jetojnë shqiptarët që kërkojnë azil në një kamp, në Lion të Francës.
Zëri ishte i një prej emigrantëve që shpjegon gjendjen ku banojnë rreth 70 familje në çadra.
“Ja pra këtu janë çadrat ku jetojnë shqiptarët, por nuk dalin me dhënë intervista, sepse u vjen zor. Kjo është gjendja e shqiptarëve që kanë ikur prej mjerimit në Shqipëri.
Janë mbi 70 familje që janë vendosur këtu, në këtë zonë. Mbi 250 persona jetojnë këtu. Ja flasim nga afër me këtë zonjë. Ja ta shohin pushtetarët, shteti shqiptar ku janë katandisur shqiptarët, populli shqiptar.
Ekonomia përtokë. Ajo rrëfeu dhe arsyet se përse emigroi. “Probleme ekonomike. As punë as përkrahje sociale nuk marrim. Nga e keqja morëm rrugët për këtu në azil. Lamë vendin dhe siç e shihni jemi mos më keq. Jemi pa bukë. Na kanë marrë me urgjenca na kanë çuar në spitale.
Këtu jemi në vështirësi shumë të mëdha”, u shpreh gruaja.
Videomesazhi i oficerit të policisë, Dritan Zagani, aktualisht në azil politik, pasi denoncoi publikisht në tetor 2015 se makina e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, u përdor për trafik ndërkombëtar droge nga banda e Habilajve.
“Përshëndetje! Unë jam Dritan Zagani.
Protesta ime ndaj krimit, çlirimit të drejtësisë nga mafia ka nisur prej 20 vitesh, kur nisa punë si oficer Policie dhe prej 3 vitesh në mënyrë të pandërprerë në arrati, ku sakrifica e familjes dhe fëmijëve të mi është ekstreme.
Jam ndëshkuar nga padrejtësia, nga trafikantë që kishin në dorë ligjin, nga trafikantë droge në Policinë e Shtetit të lidhur me eprorët e tyre.
Unë u bëj thirrje kolegëve të mi në Policinë e Shtetit, atyre oficerëve të përkushtuar të kenë kurajon të denoncojnë lidhjet e krimit kushdo që qofshin ato, sepse kështu do të jenë mburoja më e mirë, do të jenë misionarë të drejtësisë.
Unë jam detyruar të largohem nga Shqipëria prej kërcënimeve, por kjo nuk është zgjedhja ime që unë të jem në arrati se ndalova Habilajt dhe Saimir Tahirin në Parlament. Sikur nuk shkon apo jo?! Unë dua të kthehem dhe do të kthehem. Ndaj dhe dua që krimi dhe bandat të mos jenë më në krye të vendit tim”.