Juventus dhe Barcelona do të kenë fatin të përballen me njëra-tjetrën në fazën çerekfinale të Champions League, më 11 dhe 19 prill. Kjo është një nga supersfidat që mund të cilësohet edhe si finale e parakohshme, për vetë faktin se të dy ekipet janë nga pretendentët kryesorë për fitimin e trofeut. Hera e fundit që këto ekipe janë ndeshur bashkë, ka qenë pikërisht një finale e Champions League, ajo e 6 qershorit të 2015-ës, e fituar nga katalanasit, me rezultatin 3-1.
2 vite më pas, Barcelona ka bërë shumë pak ndryshime dhe Dani Alves është i vetmi futbollist që i mungon formacionit të katalanasve, nga finalja e para dy viteve. Mbrojësi brazilian u largua këtë verë nga Spanja, për t’u bashkuar pikërisht me Juventusin dhe do të rikthehet si kundërshtar në “Camp Nou”, më 19 prill. Por, nëse Barcelona vjen thuajse e njëjtë, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për kampionët e Italisë.
Juventusi aktual ka pësuar ndryshime të mëdha nga ekipi finalist i 2015-ës, veçanërisht në mesfushë dhe sulm. Evra, Pirlo, Pogba, Vidal, Morata dhe Tevez, janë 6 futbollistët që i mungojnë Juventusit të sotëm, por edhe skema e ekipit të Allegrit, nuk është më e njëjta.
4-2-3-1 është rreshtimi që po aplikohet nga torinezët këtë sezon dhe duket se ekipi po funksionon më së miri.
Pjaniç, Khedira, Mandzukiç, Cuadrado, Higuain dhe Dybala janë titullarët dhe protagonistët kryesorë të këtij revolucioni bardhë e zi dhe do t’ju duhet të tregojnë se mund të triumfojnë në ligën e më të fortëve, ndryshe nga ekipi i para dy viteve. A do t’ia dalin dot?
Pavel Nedved, zëvendëspresident i Juventusit u shpreh se, kundër Barcelonës është një përballje magjepsëse. “Ato janë një nga skuadrat më të famshme në botë dhe ne duhet të përqendrohemi tek e tashmja, me bindjen se jemi ekip shumë i fortë dhe mund të përballemi. Mendoj se Juve është përmirësuar shumë që nga finalja e humbur më 2015-ën. Kjo skuadër mund të luajë pa frikë ndaj Barcelonës. Nuk besoj se ta luash brenda apo jashtë ndeshjen e parë përbën ndonjë avantazh në këto nivele. Duhet të jesh në maksimum për 180 minuta apo më shumë”, deklaroi Nedved.
Ndërsa Xhordi Mestre, zëvendëspresident i Barcelonës tha se, “kemi respektin më të madh për Juventusin. Për ta luan Dani Alvesh, një lojtar të cilin e kemi shumë përzemër”.