Dyvjetori i tërmetit dramatik që la pas 51 viktima e gjen sërish në çadër familjen Murati në fshatin Shullaz të Kurbinit.
Banesa e tyre u dëmtua rëndë nga lëkundjet sizmike dhe u klasifikua si e pabanueshme, por ende nuk është shembur për t’i hapur rrugë rindërtimit. Në këto kushte 5 pjesëtarët e kësaj familjeje jetojnë në çadër, ndërsa më e moshuara e shtëpisë nuk ka pranuar të dalë nga shtëpia gjysmë e shkatërruar.
“Që nga tërmeti i 26-nëntorit të vitit 2019-të, unë banoj në çadër. Kalova dy dimra shumë të ftohtë dhe verë tepër të nxehtë. Është tepër e vështirë që të rrish këtu. Unë kam tre fëmijë që i kam në shkollë dhe fëmijët janë të detyruar të mësojnë nën hijet e pemëve kur është ngrohtë dhe kur është ftohtë nën batanije, këtu brenda në çadër”, thotë kryefamiljari, Tahir Murati. Ai tregon se po pret prej dy vitesh rindërtimin e shtëpisë, por pavarësisht premtimeve ende nuk sheh asnjë dritë jeshile.
“Na është premtuar nga Bashkia për të filluar ndërtimi i shtëpisë, mirëpo nuk është lëvruar fondi nga shteti, sepse paret që Kryeministri i Shqipërisë doli duke lypur nëpër Europë kanë shkuar në drejtim të paditur dhe jo për të bërë rindërtimin e shtëpisë. Dua t’i them Kryeministrit shqiptar se, kam përjetuar tërmetin e ‘79-ës bashkë me të babain tim, për tre muaj u rindërtua Lezha, Shkodra dhe gjithçka. U eliminuan pasojat e tërmetit, ndërsa ne jemi ka dy vite nëpër çadra. Për rindërtimin ka pasur një neglizhencë të jashtëzakonshme nga shteti”, shton Tahir Murati.
Ndërsa e zonja e shtëpisë Dëshira Murati, teksa tregon vështirësitë që po përballen prej dy vitesh thotë se e ka humbur shpresën për rindërtimin e shtëpisë. “Shkojmë kërkojmë lekët për të bërë shtëpinë, thotë s’ka pare do ta bëjmë vetë. I thashë prit sot e prit nesër, kur të dalë bari, tash do presim shtetin ne. Vetëm kur t’i shoh në oborr të shtëpisë, unë besim më te ky shtet nuk kam. Apeli për mua është me var veten e me rënë në përrua”, thotë Dëshira Murati.
Prefekti: Ndërtimet, me ritme të shpejta
Në Bashkinë e Kurbinit tërmeti i 26-nëntorit të vitit 2019 la të pastrehë 1616 familje, duke shkatërruar 35 pallate dhe 465 banesa individuale. Prefekti i Lezhës, Gjok Jaku, bën me dije se procesi i rindërtimit po ecën me ritme të shpejta dhe brenda këtij muaji do të hynë te shtëpitë e reja 524 familje, në apartamentet e ndërtuara me financim të qeverisë Turke. Sipas tij i gjithë procesi i rindërtimin në qarkun e Lezhës është planifikuar të përfundojë brenda pranverës së vitit që vjen. 24 muaj pas tërmetit, as për familjen Bregaj në Torovicë të Lezhës asgjë nuk ka ndryshuar. Prej 26 nëntorit të vitit 2019, ata jetojnë në një kontejner, pasi banesa e tyre u bë e pabanueshme. Kryefamiljari Vat Bregaj tregon se i është premtuar disa herë rindërtimi i banesës dhe tashmë e ka humbur totalisht shpresën.
“Nuk e kisha menduar kurrë se shtëpia ime nuk do bëhej deri në muajin shtator. Tani nuk kam fare shprese, po të ishte xhaxhi gjallë po kam shprese se do ishte ba. Përgjatë këtyre dy viteve kemi pasur shumë vështirësi, duke jetuar në kontejner. Unë kam dhe dy invalidë në shtëpi dhe kjo e bën dhe me të rëndë situatën. Ishalla ven dorën në zemër për ne”, thotë kryefamiljari Vat Bregaj. E zonja e shtëpisë Angjelina tregon vështirësitë që po kalojnë që prej dëmtimit të banesës nga tërmeti.
“Është shumë e vështirë të jetohet në kontejner. Kam dy persona të sëmurë në shtëpi, burrin me epilepsi dhe vajzën me sidromën “Daën”. Ka shkuar disa herë tek institucionet, më kanë thënë do e bëjmë sot e do bëjmë nesër shtëpinë, por asgjë nuk është bërë. Madje nuk kanë ardhur as për të shembur shtëpinë e dëmtuar, çka do të thotë se dhe këtë dimër do e kalojmë në kontejner. E kam humbur fare shpresën, sepse kanë ngelur vetëm duke na mashtruar”, thotë Angjelina Bregaj. Janë rreth 20 familje që jetojnë në çadra dhe kontejnerë në zonën e Kurbinit, ndërsa pjesa tjetër jetojnë në banesa me qira.
Bashkia: Probleme me dokumentacionin
Bashkia Lezhë thotë se procesi i rindërtimit nga tërmeti në tërësi ka ecur mirë, ndërsa vonesat e krijuara për banesat individuale janë krijuar për shkak të problemeve që kanë pasur me dokumentacionin. “Deri tani kemi hedhur shortin dhe shpërndarë 86 apartamente të rindërtuara në lagjen “Besëlidhja”. Gjithashtu, ka përfunduar dhe pallati 99 në lagjen “Skëndërbeg” dhe besoj që brenda këtij muaji do bëjmë shpërndarjen e banesave, e po ashtu po vazhdon puna dhe në rindërtimin e pallateve në lagjen “Gurra”. Sa i përket banesave individuale, 197 banesa individuale që pritet të nisë puna për rindërtimin e tyre.
Vonesat për rindërtimin e këtyre shtëpive është krijuar vetëm për shkak të dokumentacionit sepse kemi pasur familje të cilët vetëm kanë aplikuar pa sjell asnjë dokumentacion. Gjithashtu, ka pasur dhe problematika tjera për shtëpitë individuale dhe hap pas hapi të gjitha janë drejt zgjidhjes dhe shpresoj që brenda gjysmës së vititi 2022 të përfundojë i gjithë procesi i rindërtimit”, thotë Ermal Pacaj, nënkryetar i Bashkisë Lezhë./Panorama/