Paulo Dybala nuk ndjehet më pjesë e projektit të Juventusit dhe nuk ka gjetur mënyrën e duhur për të luajtur bashkë me Cristiano Ronaldon, ndaj po mendon largimin nga bardhezinjtë.
Mediat italiane raportojnë se sulmuesi argjentinas ka pakënaqësi edhe me trajtimin që i ka bërë trajneri Allegri, duke e lënë shpesh herë jashtë dhe duke punuar shumë pak për përshtatjen e tij në fushë.
Nga ana tjetër, edhe vetë Allegri ka dhënë miratimin për një shitje të mundshme të numrit 10, që në një pjesë të mirë të ndeshjeve këtë sezon, u nis nga stoli, por edhe kur luajti titullar, rrallë qëndroi në fushë deri në fund.
Pikërisht për këto arsye, Paulo Dybala duket se ka diskutuar me drejtuesit dhe u ka kërkuar atyre largimin drejt një tjetër skuadre, ku të ketë një rol prej protagonisti në fushë, ndërsa shanset janë që Juventusi të negociojë shkëmbimin e tij me Icardin.
Edhe ky i fundit nuk ka qetësi në klubin zikaltër, pasi marrëdhënia me Spallettin është thyer tërësisht dhe në rast konfirmimi të teknikut, atëherë do të jetë pikërisht Icardi që do të kërkojë për një tjetër strehë.
Në këtë pikë, të dy klubet janë të interesuara që të realizojnë shkëmbimin kokë më kokë të sulmuesve argjentinas, për të shmangur zhvlerësimin e kartonit të tyre në treg.